Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes në Pejë

NULL NULL
16.04.2024 09:27
Nderohet e vrara, Gjyljeta Ukelli. Pamje nga ndezja e qirinjve në qytetin e Pejës.

23:34 – Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes në Pejë

Gjykata Themelore e Pejës ka aprovuar kërkesën e  Prokurorisë Themelore të Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Edmond Lajqit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij të martën në Pejë.

Këtë e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” burime brenda Gjykatës Themelore në Pejë.

Caktimi i paraburgimit për një muaji ndaj të dyshuarit Lajqi u bë pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Mëngjesin e sotëm, Lajqi dyshohet se qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukella.


Një grua u vra sot në Pejë nga burri i saj. Dyshohet se dorasi është Edmond Lajqi.

Klan Kosova merr vesh se ai kishte qenë i dënuar për dhunë në familje.

Lajqi, në vitin 2021 ishte dënuar me 400 euro.

Derisa Klan Kosova mëson se emri i viktimës është Gjyljeta Ukella.


22.03 – Prokuroria: Lajçi shfrytëzoi momentin kur gruaja ishte e vetme ulur në krevat, dhe e qëlloi në ballë 

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka lexuar në seancën e sontme dëgjimore, raportin nga hetimet e para të rastit të vrasjes së Gjyljeta Ukellës.

Në të ajo zbuloi disa detaje, ku tha se i pandehuri, Edmond Lajçi, e ka shfrytëzuar momentin kur gruaja e tij të ishte e vetme në banesë duke qëndruar e ulur në krevat, me qëllimin që ta privojë nga jeta me një plumb në ballë, transmeton klankosova.tv.

”Për këtë vepër penale, parashihet dënim së paku 10 vjet, e maksimum është burg i përjetshëm. I pandehuri ka shfrytëzuar momentin kur viktima ka qenë e vetme në banesë, dhe ka shfrytëzuar momentin derisa viktima ka qenë e ulur në krevat, e ka privuar nga jeta me një predhë duke e goditur në pjesën e përparme, në ballë”.


20.02 –  Në Pejë ndizen qirinj për Gjyljeta Ukellin (FOTO)

Në qytetin e Pejës sonte janë ndezur qirinj në nderim dhe kujtim të jetës së Gjyljeta Ukellit, e cila u vra sot në mëngjes nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Klan Kosova ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, nga ku dhe shihen të jenë mbledhur shumë qytetarë të cilët kanë ndjerë dhembjen me familjen e cila pësoi nga rasti tragjik.

E ndjera, u vra nga burri, vetëm dy ditë para se të mbushte 43 vjeç. Ajo la prapa tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

Nderohet e vrara, Gjyljeta Ukelli. Pamje nga ndezja e qirinjve në qytetin e Pejës.

 


15:13 – Abdixhiku: Shteti duhet të jetë mburojë për gratë, femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka reaguar për vrasjen që ndodhi sot në Pejë, ku Gjyljeta Ukella u vra nga burri i saj.

Abdixhiku tha se vrasje e grave është bërë shqetësuese.

“Ende pa u bërë një javë, sot po zgjohemi me një lajm tjetër të trishtë. Gjyljeta Ukella, edhe një grua, sot është viktimë nga burri i saj. Kjo s’është gjendje normale, e ne nuk mund të normalizojmë këtë alarm nacional që na shfaqet para sysh nga dy herë në javë vetëm me reagime”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se “Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme”.

“E asnjë deklaratë e sotme nuk e kthen dot prapa jetën e Gjyljeta Ukella”, tha ai.

Kreu i LDK-së shtoi se shteti duhet të jetë mburojë për gratë.

“Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë. Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrotje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme”, tha numri një i LDK-së transmeton Klankosova.tv

“LDK do ta shqyrtoj çdo mundësi institucionale që të ngris diskutimin rreth vendimmarrjes institucionale për parandalimin e rasteve të tilla”, tha Lumir Abdixhiku transmeton Klankosova.tv

______________________________________________________________________________________________________

14:56 – Ngjarja tragjike në Pejë: Brenda afatit ligjor do të kërkohet paraburgim për Edmond Lajqin

Një vrasje ka ndodhur ditën e sotme në Pejë.

Edmond Lajqi, e vrau gruan e tij Gjyljeta Ukella.

Ngjarja tragjike ndodhi në banesën e tyre në rrugën “Bill Clinton” të Pejës.

Lajqi u arrestua nga policia e po ashtu u konfiskua edhe arma me të cilën dyshohet se u krye krimi.

Prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu tha për Klankosova.tv Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“Fillimisht është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi për Klankosova.tv

______________________________________________________________________________________________________

14:53 – Vrasjet e grave, nesër ditë zie në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie.

Osmani tha se ” shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”.

Sot në Pejë një grua u vra nga burri i saj.

Ngjarja e sotme është e dyta brenda pesë ditësh.

Më 12 prill, 21-vjeçarja Erona Cokli, u vra nga ish-bashkëshorti i saj Valon Aliu.

Ngjarja e rëndë ndodhi në objektin e Qendrës për Punë Sociale atje.

______________________________________________________________________________________________________

13:39 – RrGK: Po vriten vetëm pse janë gra

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar për dy vrasjeve që ndodhën ditëve, ku viktima ishin gratë.

Sot, Edmond Lajqi, e vrau bashkëshorten e tij Gjyljeta Ukella.

Ngjarja tragjike ndodhi në Pejë.

Derisa para pesë ditësh në Ferizaj, 21-vjeçarja Erona Cokli, u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Valon Aliu.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se “gratë po vriten vetëm pse janë gra”.

“Burrat po vazhdojnë të mendojnë se ata kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave dhe vajzave që i rrethojnë”, thuhet në reagim.

Në këtë pozitë ku janë vënë gratë dhe vajzat, reagimi ynë po duket pa ndonjë ndikim.

“Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave. Sot të gjithë duhet të ndihemi fajtor për tolerancën që e kemi ndaj dhunës e ndaj vrasjeve të grave”, thuhet tutje në reagim.

“Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare. Sot shteti ynë duhet të fillojë menjëherë që me urgjencë ta trajtojë parandalimin e dhunës me bazë gjinore e të femicidit duke siguruar që të gjithë akterët relevant për trajtim të dhunës me bazë gjinore kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për viktimat, me viktimën në qendër, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit, pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Angazhim në ndryshim të stereotipeve gjinore përmes edukimit të gjeneratave për respektim të lirive dhe të drejtave të secilit qytetar e qytetare të Kosovës”.

Kjo organizatë ka një porosi edhe për drejtësinë kosovare.

“Sot, sistemi mbrojtës duhet të zotohet se do të bëjë çmos që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet meritore e që viktimat do të trajtohen me dinjitet e me përkushtim që përjetimet e dhunës të mos ju përsëriten. Sot shoqëria në përgjithësi duhet ta mbaj veten përgjegjëse për vrasjet e grave dhe dhunën sistematike që gratë po përjetojnë. Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë dhunën në bazë gjinore dhe vrasjet e grave”.

13:32 – Hoxhaj: Vrasjet e grave në Kosovë duhet dënuar dhe stopuar me të gjitha mjetet

Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj ka reaguar për vrasjen e gruas në Pejë e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai tha se vrasjet e grave në Kosovë, janë alarm që duhet të zgjojë institucionet shtetërore e secilin qytetarë.

Hoxhaj, e quajti këtë akt të tmerrshëm, për të cilin tha se dënuar dhe duhet stopuar sa më parë, me të gjitha mjetet.

“Vrasjet e grave në Kosovë, janë alarm që duhet të zgjojë institucionet shtetërore e secilin qytetarë. Ky akt i tmerrshëm, ashtu si edhe aktet tjera jo shumë të largëta, kundër grave, duhet dënuar dhe duhet stopuar sa më parë, me të gjitha mjetet!”, ka shkruar Hoxhaj, transmeton Klankosova.tv.


13:23 – Rasti tragjik në Pejë: Çifti kishte tre fëmijë

Një grua u vra gjatë ditës së sotme në Pejë.

Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti.

Kryeprokurori Agim Kurmehaj, deklaroi se çifti kishte tre fëmijë.

Kurmehaj tha se burri po intervistohet.

“Për informata më të sakta do të dalim pak më vonë me komunikatë. Që të mos i paraprijë informata të paverifikuara”, tha ai.

Kreu i organit të akuzës shtoi se nuk mund të prononcohet rreth motivit të rastit.


13:30 – Hoti: Një tjetër vrasje është e patolerueshme, drejtësia duhet të shqiptojë dënimet maksikmale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se institucionet duhet të reagojnë duke parë situatën e tmerrshme që është duke ndodhur për vrasjet ndaj grave.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se duhet reflektim dhe përgjegjësi nga të gjitha hallkat shtetërore.

“Edhe një tjetër vrasje brenda 4-5 ditëve është e patolerueshme dhe drejtësia duhet të shqiptojë dënimet maksikmale për këto akte të shëmtuara”.

“Shoqëria duhet të këndellet dhe institucionet duhet të kenë kujdes të shtuar sidomos për rastet që kërkojnë ndihmën e shtetit. Reflektim dhe përgjegjësi nga të gjitha hallkat shtetërore”, ka thënë Hoti. /Klankosova.tv

______________________________________________________________________________________________________

 13:02 – Sindikatat e Shëndetësisë: Shprehim ngushëllime të sinqerta për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot në mëngjes mori lajmin më të trishtë,për vrasjen mizore të anëtares së saj Asistentes së Stomatologjisë Gjyljeta Ukella nga Peja.

Në njoftim thuhet se sot punëtorët shëndetësor janë në zi se u shua edhe një tjetër jetë.

“FSSHK kërkon nga autoritetet shtetërore që të zbardhet në detaj ky krimi dhe prejardhja e saj, njejtë të veprohet edhe për rastet të tjera ku viktima është grua, kurse autorëve të këtyre krimeve tu shqiptohet dënimi maksimal”.

“FSSHK shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerës, kolegëve të saj nga Peja dhe i gjithë vendi”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv


12:32 – Vrasja e gruas në Pejë, drejtori i Policisë: Të gjithë njerëzit që kryejnë akte të tilla duhet të marrin dënimin e merituar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pejë.

Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij në banesën ku jetonin në rrugën “Bill Clinton” të këtij qyteti.

I dyshuari është arrestuar nga organet e rendit dhe është sekuestruar arma e krimit.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

Hoxha para mediave tha se të gjithë njerëzit që kryejnë të tilla duhet merr dënimin e merituar.

“Ajo se çfarë ne dimë është se nga viti 2021 nuk kemi raste të dhunës në familje në këtë familje. Tash ne po i analizojmë raportet tona dhe do të shohim se cili ka qenë roli dhe puna e policisë në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim, normalisht secili do të vihet para përgjegjësisë”, tha Hoxha para mediave.

_________________________________________________________________________________________________

11:56 -Vrasje e gruas, Prokurori i rastit: Bëhet fjalë për një ngjarje makabre

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në Pejë

Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij.

Lidhur me rastin ka folur para mediave ka folur edhe prokurori i rastit Erzen Qavolli.

Ai tha se “bëhet fjalë për një vrasje makabre”.

“Pasi që rasti është shumë i ndjeshëm, nuk mund të japim detaje lidhur me mënyrën e kryerjes së vrasjes apo edhe gjendjen dhe trupin e të ndjerës”, tha ai para mediave.

Prokurori shtoi se me kohë do të bëhen të ditura informacionet e nevojshme për publikun./ Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

10:09 – Gruaja e vrarë në Pejë punonte si asistente stomatologjike, reagon Drejtoria e Shëndetësisë

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale në Pejë, ka reaguar për rastin e rëndë që ndodhi sot ku dyshohet se një grua u vra nga burri i saj.

DShMS thekson se e ndjera Gjyljeta Ukella, për dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

“Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe urtësinë që e ka karakterizu personalitetin e Gjyljetes. U prehshë në parajsë!”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

09:42 – Policia jep detaje për vrasjen e gruas në Pejë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pejë.

Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë edhe policia.

Zëdhënësi Driton Rugova, tha për Klankosova.tv se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton”.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugen Bill Clinton në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjës gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilet kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, tha Rugova. për Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

09:13 – Vrasja e gruas në Pejë: Arrestohet i dyshuari, i sekuestrohet arma

Një vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Pejës.

Dyshohet se burri e ka vrarë gruan e tij.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës Shkodran Nikçi, tha për Klankosova.tv se i dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma.

“Kryeprokurorit dhje Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi për Klankosova.tv


08:52 – Vrasja në Pejë: Dyshohet se burri e ka qëlluar gruan

Një vrasje ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm. Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj.

“Po, ka ndodhur një vrasje. Dyshohet se burri e ka vrarë gruan. Jemi në vendin e ngjarjes, nuk mund të japim më shumë detaje”, tha Kurmehaj.


08:44 – Dyshohet për vrasje në Pejë

Një vrasje dyshohet se ka ndodhur në Pejë.

Burimet e Klan Kosovës bëjnë me dije se dyshohet që një burrë e ka vrarë gruan e tij.

Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe kryeprokurori i Pejës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore është në pritje për ta marrë trupin e viktimës, teksa i dyshuari është arrestuar.

Arma e zjarrit është konfiskuar/ Klankosova.tv

lajme të ngjashme