Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE: Vdes njëri nga të plagosurit në incidentin e mbrëmshëm në Prishtinë

NULL NULL
05.08.2023 08:35

Një 39-vjeçar ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit sot i cili ishte i plagosur nga incidenti i natës së mbrëmshme në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur doktor Shaqir Uka nga Klinika Intensive, i cili tha se i ndjeri për shkak të plagëve të mëdha që kishte marrë nuk mundi të mbijetojë.

“Ka vdekur njëri prej të lënduarve nga plagët që kishte nga gjuajtja me armë në orët e mbrëmshme në Prishtinë”.

“Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenik kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’i përballojë plagët”, ka thënë Uka.

Incidenti i mbrëmshëm ka ndodhur për shkak të një zënke në lokal. Sipas policisë, dy persona janë identifikuar si të implikuar në rast, nga kjo mbetën të lënduar 17 persona.


13:40 – Ministria e Brendshme do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e rastit të djeshëm në Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiu kanë marrë dënime të merituara për vrasjen e Mariqona Osmani.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ndaj Krivaqës drejtësia duhet të reagonte dhe të vepronte më herët para se ta vriste Marigonën.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, ka thënë Sveçla.

Pos kësaj, ai ka reaguar edhe për incidentin që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë në rrugën “Rexhep Luci”, ku ka vdekur një person dhe 16 të tjerë janë të lënduar.

Sveçla ka theksuar se Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë të këtij raste dhe të tjerave.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë. Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë”.

“Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre. Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal”, ka thënë Sveçla.


13:00 – Mbledhje urgjente në komunë, Rama: Urgjentisht i nevojshëm krijimi i policisë së kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka dalë në punë edhe këtë të shtunë, pas tragjedisë së mbrëmshme në njërën nga kafiteritë.

Ai ka zhvilluar takim me Drejtorin e Emergjencave, Lulzim Fushtica dhe Basrin Shabanin, Drejtor i Policisë për Rajonin e Prishtinës.

“Diskutuam për çështjen e sigurisë në kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Rama, transmeton KlanKosova.tv.

“Siguria në kryeqytetin tonë është prioritet i yni”.


12:53 – Zëvendësministri i Mbrojtjes mohon se ka të përfshirë nga radhët e FSK-së në ngjarjen tragjike

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë mbrëmjes së premtes në një nga lokalet në qendër të Prishtinës, ku mbeti i vdekur një person dhe 20 të tjerë të lënduar.

Në këtë ngjarje është raportuar se ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, në një prononcim për Klankosova.tv ka mohuar diçka të tillë.

“Mund të ju konfirmoj se i vrari në këtë ngjarje tragjike nuk është pjesëtar i FSK-së dhe nuk ka të përfshirë nga FSK-ja në këtë rast”, është shprehur Syla për Klankosova.tv.


12:48 – Miftaraj nga IKD: Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokurorëve

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Mifataraj, lë përgjegjësinë tek drejtuesit e institucioneve të sigurisë për tragjedinë e mbrëmshme në kryeqytet.

“Përgjegjësia pse ndodhin raste si mbrëmë në Bon Vivant është e ditur. Këto vrasje janë të parandalueshme, nëse policia dhe prokuroria nuk i mbyllin sytë ndaj tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të angazhohet policia për kontrolle në secilën kafiteri.

“Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokuroreve”.

Ai thekson se ky rast nuk mund të mbulohet me komunikata me shkrim apo me dalje nëpër konferenca.



12:34 – Bajrami e LDK-së për tragjedinë: Kryesit të dënohen – mbajtja e armëve pa leje, rrezik jo vetëm për mbajtësit

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vrasjes së njërit dhe plagosjes së 21 personave në Prishtinë.

Përmes Facebookut ajo ka ngushëlluar familjen dhe shoqërinë e të ndjerit, ndërsa ju uron shërim të shpejtë të lënduarve.

“Besoj fort se kryersit e kësaj vepre makabre do të marrin dënimet meritore. Institucionet të vetëdijesohen se posedimi i armëve pa leje është rrezik potencial jo vetëm për mbajtësit, por për gjithë shoqërinë andaj të gjithë të angazhohen me tërë potencialin që ta adresojnë këtë çështje”, theksoi Bajrami, transmeton KlanKosova.tv.

Ndër të tjera ajo shtoi se: “Të vetëdijesohemi se edukata e mirë, forcimi i lidhjeve tona në shoqëri si dhe dhe kuptimi i çmimit të jetës së tjetrit ndikon në parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”.

Ndërsa po ashtu ajo bëri thirrje që në këto momente që qytetarët të qëndrojnë pranë viktimave dhe familjarëve të tyre, dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit.



12:21 – Kica-Xhelili pas incidentit të djeshëm në Prishtinë: Institucionet urgjentisht të merren me trajtimin e posedimit të armëve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të merret me incidentin që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se duhet të trajtohet seriozisht çështja e posedimit të armëve pa leje.

“Shumë dhimbje sot! E tronditur dhe e lënduar thellësisht nga tragjedia mbrëmë në një lokal në Prishtinë! Tanimë 1 viktimë ka ndërruar jetë ndërkaq konfirmohen 17 të lënduar me armë zjarri dhe mjete tjera”.

“Në raste si ky nuk ke si të mos mendosh për drejtimin që po merr shoqëria jonë, për mungesën e mirëkuptimit e vlerësimit të jetës e dinjitetit të njëri tjetrit, për arsyet e këtij mllefi kolektiv e për domosdoshmërinë e një rikëndelljeje mbarëshoqërore”.

“Posedimi i armëve pa leje në Kosovë po shndërrohet në tmerr e frikë të përditshmërisë sonë!
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta mendojnë seriozisht dhe urgjentisht trajtimin e posedimit të armëve në Kosovë, ndërkaq pres nga sistemi i drejtësisë ta zbardh këtë rast dhe kryerësit t’i mbaj përgjegjës”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Po ashtu, ajo u ka shprehur familjeve ngushëllime për viktimat dhe të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.


 

 

lajme të ngjashme