Nisin hetimet për vdekjen e 23 vjeçares nga Drenasi

Nisin hetimet për vdekjen e 23 vjeçares nga Drenasi

NULL NULL
4 weeks më parë

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një vajze 23 vjeçare nga fshati Zabel i Drenasit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar rastin në fjalë”.

Familjarët e së ndjerës kanë ngritur dyshime se vdekja e 23 vjeçares Zarife Imeri ndërlidhet me marrjen e vaksinës Pfizer (të cilën e kishte marrë dy ditë më parë).

“U detyrove të vaksinohesh që të qëndrosh në vendin e punës. Ajo vaksinë pas 48 orësh të shkaktoi vdekjen. MOS NA #DETYRONI MOS NA #KUSHTËZONI Prehu në paqe mbesa jonë😪😪😪😪😪”, ka shkruar djali i dajës së saj në rrjete sociale.

Sipas të njëjtit familjar e ndjera pasi u vaksinua është ndjerë e lodhur dhe ka pasë marramendje, prandaj familjarët e kanë dërguar në emergjencën e QKUK-së, ku dje ka vdekur.

Ai ka sqaruar se 23 vjeçarja ka pasur një intervenim kirurgjik para gjashtë vjetësh në mëlçi.

Në ndërkohë, QKUK-ja ka dalë me një sqarim ku thuhet se diagnoza përfundimtare e vdekjes së 23 vjeçares ishte gjakderdhja në bark, derisa kanë shtuar se familjarët e së ndjerës e kanë refuzuar obduksionin.

“Në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqarojmë se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”.

“Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësor ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”.

“Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark) , shok hemorragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, Ismet Bogiqi, për Klan Kosova ka deklaruar se e ndjera ishte vaksinuar me procedurë të rregullt me datë 13 shtator ku e ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer, derisa thotë se nuk ka pasur ndonjë problem gjatë vaksinimit.

Në certifikatën e vdekjes së lëshuar dje nga Klinika Emergjente e SHSKUK-së përmendet se shkaku i vdekjes ka të bëjë me hemorragjinë.

QKUK: Kjo ishte diagnoza përfundimtare e vdekjes së 23-vjeçares nga Drenasi

Vdes 23-vjeçarja nga Drenasi, familjarët fajësojnë vaksinën