Nis protesta e PD-së, Berisha i adresohet turmës NULL NULL 03.03.2023 13:55 03.03.2023 13:55 Protesta e Partisë Demokratike të Shqipërisë kundër Qeverisë Rama tashmë ka nisur. Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, mbajti një fjalim para protestuesve, ku sipas Euronews Albania, tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë vjedhur miliona euro si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. “Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste”, ka thënë Berisha. “Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni”. “Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë”. Berisha e quajti nismën e tij revolucion që përmbys monizmin e bazuar në krim, drogë, vjedhje dhe plaçkitje të shqiptarëve. “Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve”. “Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale”. “Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë”. “Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime”, tha Berisha”.