Nipërit “luftojnë” për tokën e gjyshit (VIDEO) NULL NULL 19.06.2026 19:49 19.06.2026 19:49 Ka mbi 6 dekada që tokën e kanë pronë të familjes së tyre. Sipas Selahedin Hazirit nga Prishtina, kontribut të madh në punimin e saj ka dhënë babai i tij, Samiu. Ndonëse gjithçka po shkonte mirë, për familjen Haziri situata ndryshoi kur në 1996 u paraqit një testament i gjyshit të tij, Bajram Hazirit. Selahedin Haziri pretendon se ka diçka që nuk shkon me testamentin ngase ishte paraqitur nga nipërit e tij 22 vjet pasi gjyshi tyre vdiq. Një pikë tjetër për të cilën Selahedini ngre dyshime është koha në të cilën thuhet që ishte përpiluar testamenti, viti 1974. Pikërisht në këtë kohë, ai thotë se gjyshi ka qenë i paralizuar dhe në po të njëjtin vit ka vdekur. Sipas Selahedinit, ata asokohe nuk ishin njoftuar me përmbajtjen e dokumentit kur ishte paraqitur për herë të parë. Andaj ai kërkon që testamenti të vërtetohet përmes procedurave ligjore. Me 6 korrik të 2004-ës, Gjykata Themelore e Prishtinës mori aktvendim mbi trashëgiminë në të cilën shpalli trashëgimtarët testamentalë dhe ata ligjorë. 3 muaj pas këtij vendimi, trashëgimtarët sipas parimit të përfaqësimit, fëmijët e një prej djemve të Bajram Hazirit, parashtruan ankesë. Pothuajse një vit pas ankesës, me 6 korrik të 2005-ës, Gjykata e Qarkut të Prishtinës mori aktvendim sipas të cilit refuzoi si të pabazuar këtë ankesë. Pas këtij vendimi, të njëjtit parashtruan kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë tek Prokurori Publik i Kosovës, në të cilën kërkuan që Gjykata Supreme t’i shfuqizojë dy aktvendimet paraprake. 9 muaj pas kësaj kërkese, Gjykata Supreme mori aktvendim sipas të cilit pranoi si të bazuar këtë kërkesë dhe prishi të dyja vendimet, atë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 6 korrikut 2005 dhe aktvendimin e Gjykatës Komunale Prishtinë të 6 korrikut 2004 dhe lëndën e ktheu në rivendosje. Sipas këtij aktvendimi, as shpallja e testamentit nuk është bërë sipas ligjit. 5 muaj pas këtij vendimi, Gjykata Komunale në Prishtinë merr aktvendim në të cilin ndërpriten procedurat në këtë çështje juridike, për të vazhduar kur të përfundojë procedura për shqyrtimin e trashëgimisë me formë të prerë. Në prill të 2007-ës, e njëjta gjykatë merr aktvendim sipas të cilit udhëzon nipërit Haziri që përmenden në testament, në kontest civil për vërtetimin e ekzistimit të testamentit origjinal konform nenit 23 të ligjit të procedurës jashtëkontestimore. Pas këtij vendimi, palët pretenduese të udhëzuara në kontest civil paraqitën ankesë në Gjykatën e Qarkut të kryeqytetit. Por e njëjta gjykatë refuzon këtë ankesë dhe vërteton aktvendimin paraprak të Gjykatës Komunale. Një vit pas kësaj, në 2008-ën, nipi Eroll Haziri dhe nipërit e tjerë të Bajram Hazirit, paditën djemtë dhe vajzat e tyre të axhës, për vërtetimin e testamentit origjinal. Në 2013-ën, Gjykata Themelore e Prishtinës nxori një aktgjykim sipas të cilit aprovoi kërkesëpadinë e paditësve dhe vërtetoi ekzistimin e testamentit origjinal. Një detaj tjetër për të cilin familja Haziri ngrenë dyshime, që forcon më shumë bindjen e tyre se lënda është duke u manipuluar, është ndryshimi i deklaratës së një prej familjarëve të tjerë, ku në procesverbal dëshmitari përmend se nuk i kujtohet se kush ka qenë gjyqtar kur është hapur testamenti. Ndërsa në aktgjykim, citohet që dëshmitari i njëjtë thekson se ka qenë gjyqtare. Kundër këtij aktgjykimi paraqiti ankesë një nga djemtë e Bajram Hazirit, Sahiti. Por pavarësisht kësaj, Themelorja në 2019 mori aktvendim mbi trashëgiminë, vendim ky ndaj të cilit nipërit Haziri ushtruan ankesë me 10 dhjetor 2019. Por në 2023-ën, Gjykata e Apelit të Kosovës merr Aktvendim ku refuzohet si e pa bazuar ankesa e tyre. Nipërit e Bajram Hazirit, ndaj këtij vendimi paraqitën revizion me 29 shtator 2023 pranë Gjykatës Supreme në Prishtinë. Por Supremja merr aktvendim ku e hedh si të palejuar këtë revizion. Përfundimisht, që nga viti 2007, ekziston padia aktive për vërtetim pronësie për të cilën ka edhe një ekspertizë gjyqësore në të cilën ishte konstatuar posedimi faktik pa pengesë në këtë pronë. Detajet e këtij rasti i gjeni në kronikat e përgatitura nga emisioni investigativ Kiks Kosova: Emisioni i plotë: