Krasniqi: Në Kosovë nuk kemi pasur masivitet të leximit, që të flasim për krizë të lexuesit (VIDEO) NULL NULL 19.06.2026 21:13 19.06.2026 21:13 Autorja dhe studiuesja e letërsisë, Meliza Krasniqi, ka vlerësuar se në Kosovë nuk mund të flitet për një krizë të lexuesit, pasi sipas saj, vendi nuk ka pasur asnjëherë një kulturë masive të leximit. Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, se sa lexohet, Krasniqi tha se leximi në Kosovë nuk ka arritur ndonjëherë nivel shumë të qëndrueshëm. “Ne kurrë nuk kemi pasur në Kosovë një normalitet të leximit, që pastaj të flasim për ndonjë krizë. Nuk kemi pasur masivitet të leximit që të ketë rënie të lexuesit”, tha Krasniqi. Ajo argumentoi se zhvillimi i kulturës së leximit në Kosovë ka qenë i vonshëm për shkak të rrethanave historike dhe nivelit të lartë të analfabetizmit. Ajo kujtoi se libri i parë në gjuhën shqipe në Kosovë u botua tek në vitin 1953. “Është shumë e thjeshtë, nëse libri i parë shqip në Kosovë është botuar 1953, shifrat tregojnë se analfabet kemi hyrë në shekullin 20. Në 1953-ën botohet libri i parë i Martin Camajt, hapet në atë vit Instituti Albanologjik, pesëmbëdhjetë vite më vonë Universiteti i Prishtinës, mandej fillon botimi i librave prej Rilindjes me tirazhe shumë të mëdha si ato të Naim Frashërit, me nga 6 mijë deri 10 mijë kopje. Pra atëherë është konsoliduar njëfarë lexuesi, atë dhjetëvjeçar mund të themi se ato viti 70 deri në 90, pastaj në të 90-tat çka, na kemi qenë të mbyllur pa shkolla normale, vetëm për atë periudhë mund të themi se ka pasur njëfarë leximi, sepse mediumi i vetëm i argëtimit ka qenë libri”, tha më tej Krasniqi. “Pas luftës, me mjetet e teknologjisë nuk mundesh me i konkurru librin qoftë edhe me ilustrime të tjera. Pra kurrë nuk ka pasur ndonjë masivitet siç ka qenë në Shqipëri”, theksoi ajo. Ajo shtoi se, ndryshe nga Shqipëria, ku sipas saj ka ekzistuar një traditë më e gjerë e leximit, Kosova nuk ka njohur ndonjëherë një masivitet të tillë të lexuesve. /Klankosova.tv