Nesër dalin në shitje biletat për Kosovë-Zvicër – kombinimi që i çon Dardanët tutje në FIBA Kupën e Botës NULL NULL 21.02.2025 22:20 21.02.2025 22:20 Tifozë të basketbollit në ndeshjen Kosovë-Azerbajxhan, 20 shkurt, 2025. Foto: FBK Kombëtarja e Kosovës në basketboll, të dielën përballet me Zvicrën në ndeshjen vendimtare për parakualifikueset e FIBA Kupës së Botës 2027. Basketbollistët e Kosovës besojnë në fitore në rrugën drejt kualifikimit, ndërkaq kërkojnë që e diela të jetë festë e basketbollit. Federata e Basketbollit e Kosovës njofton se biletat do të dalin në shitje të shtunën nga ora 12:00 dhe do të vazhdojnë të shiten edhe të dielën te “NewBorn”, para Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Një biletë kushton 4 euro. Kosovë-Zvicër zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Dardanët kanë dy fitore e tri humbje në parakualifikimet evropiane për FIBA Kupën e Botës 2027. Duhet theksuar se Zvicra tashmë e ka siguruar pozitën e parë në Grupin A të raundit të parë të parakualifikimeve. Kurse për Kosovën, përballja e së dielës ndaj Zvicrës është vendimtare për të shpresuar në kualifikim tutje. Dardanët të enjten fituan ndaj Azerbajxhanit, me rezultat 81:79. Aktualisht, Kosova gjendet në vendin e dytë në grup me shtatë pikë, baras me Irlandën në vendin e tretë, kurse Azerbajxhani është në të katërtin me gjashtë pikë. E që Kosova të kalojë tutje, janë disa kombinime. Dardanëve iu duhet fitorja ndaj Zvicrës për të mbetur në vendin e dytë. Nëse Azerbajxhani fiton ndaj Irlandës dhe Kosova mposhtet nga Zvicra, atëherë azerët do të kalojnë nga vendi i katërt në të dytin. Ndërkaq, në rast të fitores së Irlandës dhe humbjes së Kosovës ndaj Zvicrës, pozita e dytë u takon Dardanëve, për shkak se kanë bilanc më të mirë në përballjet direkte. Megjithatë, edhe po ta zë vendin e dytë përfundimisht në grup, kjo nuk e garanton kalimin tutje të Kosovës. Kjo pasi në raundin e dytë të parakualifikimeve shkon vetëm ekipi më i mirë i vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej aktualisht në këtë raund. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.