Në Zvicër pritet të nisë raundi i ri i bisedimeve mes ShBA-së dhe Iranit NULL NULL 21.06.2026 07:24 21.06.2026 07:24 Bisedimet e drejtpërdrejta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nisin në Zvicër, pavarësisht deklaratës së ushtrisë iraniane se ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, si reagim ndaj sulmeve izraelite në jug të Libanit. Ushtria amerikane e ka kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se “trafiku detar vazhdon normalisht”. Irani ka deklaruar se mbyllja e ngushticës është bërë si përgjigje ndaj sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Liban, të cilat sipas Teheranit shkelin marrëveshjen me ShBA-në për përfundimin e luftës. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka mbërritur në Zvicër në orët e para të së dielës, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. Raundi i ri i negociatave pritet të nisë më vonë gjatë ditës. Delegacioni iranian, në përbërje të të cilit janë kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ka arritur të shtunën vonë. Në bisedime do të marrin pjesë edhe kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif dhe shefi i ushtrisë pakistaneze, Field Marshal Asim Munir. Pakistani ka luajtur rol ndërmjetësues gjatë gjithë luftës dhe ka organizuar edhe një raund të mëparshëm negociatash mes ShBA-së dhe Iranit. Ministria e Jashtme e Pakistanit ka deklaruar se vendi do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Vance ka thënë se shpreson të arrihet progres si në çështjen bërthamore, ashtu edhe në atë të armëpushimit në Liban.