Në kujtim të rilindasëve të vërtetë NULL NULL 11.12.2015 13:00 11.12.2015 13:00 Nëno!… (Nonda Bulka) -Bir! -Dua bukë! Mëma hesht. -Nëno! -Bir! -Ngriva! Mëma psherëtin. -Nëno! -Bir! -Më dhëmb koka! Mëma s’përgjigjet. S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tiktaket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. S’guxon të qajë; ka frikë mos ta zgjojë djalin që porsa filloi të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri. -Nëno! -Biri i nënos. -Dua bukë! Nëna hesht. -Nëno! -Xhani i nënos! -Më ngrinë këmbët! Nëna psherëtin. Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron, dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerëzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njëzet! Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndijë shprese shkëlqen në sytë e saj. Shën Maria hesht! Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë. -Nëno! -Bir! -S’jam mirë! -T’u bëftë nëna, fli! Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë. Dhe djali fle! Mëma i ve dorën ne ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht. Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje. S’u prish bota, as fukarallëku s’mori fund. /botimeshqip/