Ndeshja Kosovë–Kroaci, Dardanet optimiste për fitore NULL NULL 04.06.2026 21:43 04.06.2026 21:43 Kombëtarja e Kosovës e vajzave në futboll në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Kroacisë, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibraltari. Duke folur për KosovaPress, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj theksoi se ndeshja ndaj Kroacisë është vendimtare për kualifikimin, duke shtuar se edhe një barazim mjafton. Ai u shpreh se ekipi është i përgatitur për sfidën dhe synon vazhdimin e rezultateve pozitive për të arritur objektivat. Sermaxhaj tha se Kosovës i mjafton edhe barazimi për kualifikim tutje. Megjithatë, ai tha se fitorja ndaj Kroacisë është më e rëndësishme. “Na nevojitet një rezultat pozitiv me Kroacinë, edhe me një rezultat baras ne kualifikohemi tutje. Ne kemi bërë katër fitore, por kjo me Kroacinë është më e rëndësishme edhe për atë arsye që nga fillimi kemi paraparë që konkurrenti ynë do të jetë Kroacia. Ne kemi bërë një rezultat pozitiv në Kroaci, mirëpo jam shumë i vetëdijshëm unë, stafi, vajzat, që nesër është një lojë e re, një sfidë e re dhe kemi marrë të gjitha masat e duhura që të vazhdojmë me këto rezultate që kemi pas deri tani dhe të realizojmë objektivat që kemi përpara, që është kualifikimi në Ligën B dhe pastaj të shohim edhe mundësinë për play-off në Kampionatin Botëror që mbahet në Brazil”, tha trajneri Sermaxhaj. Kapitenia Lumbardha Misini deklaroi se, pavarësisht se Kroacia është konsideruar favorite, skuadra Dardane ka besim të plotë në vetvete dhe është e gatshme për të marrë një rezultat pozitiv. Lojtarja Donjeta Halili, bëri të ditur se kjo është ndeshja kryesore e grupit dhe se me angazhim maksimal beson që ekipi mund ta kalojë me sukses këtë sfidë dhe të sigurojë kualifikimin. Trajneri dhe lojtaret bënë të ditur se atmosfera në kampin e Kombëtares Dardane ka qenë pozitive, me futbollistet që kanë dhënë maksimumin në çdo stërvitje, gjithashtu bënë thirrje për përkrahje sa më të madhe në ndeshjen e nesërme, duke ftuar tifozët “Dardanë”, mediat dhe të gjithë dashamirët e futbollit që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin ekipin në këtë sfidë shumë të rëndësishme. Ndeshja mes Kosovës dhe Kroacisë do të zhvillohet më 5 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 19:00.