NATO tregon për Klanin se çka do të bisedohet në takimin Rutte-Trump në Washington NULL NULL 22.10.2025 19:17 22.10.2025 19:17 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Foto: AP Aleanca Veriatlantike, të martën njoftoi se shefi i saj, Mark Rutte, do të qëndrojë në Uashington në datat 21 dhe 22 tetor. Në njoftimin e NATO-s u tha se Rutte do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump. Ndonëse nuk u dhanë detaje në njoftimin e NATO-s, një zyrtar i saj tha për Klankosova.tv se bisedimet do të fokusohen në mbështetjen e NATO-s për Ukrainën por edhe në përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja drejt paqes së qëndrueshme. “Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të jetë në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar aspekte të ndryshme që lidhen me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja drejt paqes së qëndrueshme”, tha një zyrtar i NATO për Klankosova.tv. Me të mbërritur në Washington, Rutte tha se vizita e tij nuk duhet të interpretohet si sinjal i shqetësimit pasi një takim mes Presidentit Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky përfundoi pa ndonjë progres drejt armëpushimit. Rutte, sipas “New York Times”, e karakterizoi takimin me Zelenskyn si të suksesshëm dhe tha se ai inicioi planin për t’u takuar me Trumpin pas lirimit të pengjeve dhe arritjes së armëpushimit në Gaza. “Po shkruaja mesazhe me presidentin pas një suksesi të jashtëzakonshëm në Gaza”, tha Rutte, “dhe thamë, ‘Hej, hajde të takohemi në Washington për të diskutuar se si mund ta çojmë vizionin e tij për paqe në Ukrainë’”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se ka besim të plotë në presidentin Trump dhe i minimizoi pyetjet në lidhje me rishqyrtimin e planeve të Shtëpisë së Bardhë për një takim mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin. “Është i vetmi që mund ta bëjë këtë”, tha Rutte për Trumpin para gazetarëve pas një takimi me një grup dypartiakësh të senatorëve në Capitol Hill. /Klankosova.tv