Napoli fiton ndaj Torinos, rikthehen Anguissa dhe De Bruyne NULL NULL 06.03.2026 22:52 06.03.2026 22:52 Napoli ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi duke mposhtur Torinon me rezultat 2-1 në stadiumin Diego Armando Maradona. Tifozët napolitanë shijuan një mbrëmje të bukur futbolli, ku skuadra e tyre mori tre pikë të vlefshme në kampionat. Golin e parë për Napolin e realizoi Alisson Santos që në minutën e 7-të, duke i dhënë menjëherë avantazhin vendasve. Torino reagoi dhe arriti të barazojë rezultatin me anë të Cesare Casadei, i cili shënoi për 1-1 dhe riktheu përkohësisht baraspeshën në ndeshje. Megjithatë, në pjesën e dytë Napoli gjeti sërish rrugën e rrjetës. Mesfushori Eljif Elmas shënoi në minutën e 68-të për 2-1, gol që në fund rezultoi vendimtar për fitoren e skuadrës napolitane. Një tjetër lajm shumë i mirë për Napolin ishte rikthimi pas një kohe të gjatë i mesfushorit Frank Anguissa, i cili u rikthye në fushë pas mungesës. Po ashtu, tifozët panë sërish në aksion edhe yllin belg Kevin De Bruyne, një rikthim që pritet të rrisë shumë forcën e skuadrës në ndeshjet e ardhshme. Napoli përforcon pozitën e tretë, kurse Torino ende rrezikon shumë.