Muzika e lartë gjatë sezonit turistik, kontrolle në Shkodër dhe Velipojë për ndotjen akustike NULL NULL 15.07.2026 12:08 15.07.2026 12:08 Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe respektimin e orarit të aktiviteteve me muzikë në qytetin e Shkodrës dhe në zonën turistike të Velipojës. Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Stacionit të Policisë Velipojë kanë organizuar kontrolle në terren, duke u fokusuar në subjektet që gjenerojnë zhurmë nga aktivitetet muzikore, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv. Kontrollet janë kryer në bazë të hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, ku janë përdorur edhe matës të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura në Shkodër dhe Velipojë. Nga matjet e realizuara, sipas procedurave standarde të përcaktuara, rezulton se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar. Gjithashtu, strukturat policore kanë kontrolluar respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë në ambiente të hapura dhe në zona të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00. Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror, me qëllim ruajtjen e qetësisë publike dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për banorët dhe pushuesit.