Mrekulli në Viti: Reagimi me kohë i mjekëve ia shpëton jetën 52 vjeçarit pas atakut kardiak NULL NULL 30.06.2026 21:28 30.06.2026 21:28 Reagimi i shpejtë dhe koordinimi i ekipeve mjekësore në Viti, Gjilan dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një pacienti 52-vjeçar, i cili pësoi infarkt masiv të zemrës dhe më pas arrest kardiak. Pas një ndërhyrjeje intensive, gjatë së cilës u kryen rreth 16 defibrilime, pacienti u stabilizua dhe vazhdoi trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë. 52-vjeçari ishte paraqitur fillimisht në Urgjencën Primare të QKMF-së në Viti me dhimbje të forta në gjoks. Menjëherë pas pranimit, ekipi mjekësor i realizoi elektrokardiogramën (EKG), e cila konfirmoi një infarkt masiv të miokardit. Pa humbur kohë, mjekët nisën terapinë emergjente dhe vendosën që pacienti të transferohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Vendimi për transportin u mor nga dr. Ardi Ademi, dr. Imer Ramadani dhe infermierja Almira Abazi, ndërsa transporti u realizua me autoambulancë nga shoferi Ademi. Megjithatë, sapo pacienti mbërriti në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ai pësoi arrest kardiak. Ekipi mjekësor, i udhëhequr nga dr. Begush Canaj dhe i mbështetur nga stafi i infermierëve, reagoi menjëherë duke nisur procedurat e reanimimit. Pavarësisht se fibrilacioni ventrikular u përsërit afërsisht çdo pesë minuta, ekipi nuk u dorëzua. Mjekët realizuan rreth 16 defibrilime, duke arritur ta rikthenin pacientin në ritëm sinusal dhe ta stabilizonin gjendjen e tij. Pas stabilizimit, pacienti u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku iu nënshtrua koronarografisë. Gjatë procedurës u konstatua bllokim i arteries së majtë të zemrës, për çka iu vendos një stent. Aktualisht, pacienti ka vazhduar trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet stabile. Ky rast është një shembull i rëndësisë së reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, duke dëshmuar se ndërhyrja në kohë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.