Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Migjeni, “Liria” ndër vargje të aktualitetit

NULL NULL
01.08.2015 18:24

“Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë”. Çdo ditë e më i vetëdijshëm bëhet poeti: “Përditë shoh qartë e ma qartë| dhe vuej thellë e më thellë”. Në emër të “bijve të shekullit të ri”, Migjeni goditi themelet e sistemit të pashpirt: mjerimin, injorancën, amoralitetin, maskat, idhujt e rremë, dogmat, mitet.

Ai është i bindur se “inteligjenca pak kuj i solli lumtuni”.

Pa i mbushur as 27 vjetët, vdekja arriti te pavdekshmëria e Migjenit. Një humbje kolosale për artin shqiptar të letrave!

Një jetëgjatësi normale do t’i jepte sigurisht dimensione të tjera. Megjithatë mosha e re nuk e pengoi të ngrihej si apostull i lirisë, të drejtës e të vërtetës; si flamurtar i progresit, humanizmit e demokracisë. Art i madh i një shpirti të madh, që shkëlqen edhe më fort me kalimin e viteve. Atë s’e prek aspak erozioni i kohës. Vepra e tij artistike arriti shkallën më të larte, sepse, duke harruar ngjizjen artistike, e ndiejmë ekzistencën e saj si një realitet të pamohueshëm.

E sotmja dhe problemet sociale

Migjeni është edhe filozof në trajtimin e problemeve sociale, si intelektual i kulturuar evropian, i ndikuar nga ekzistencializmi. E ky ndikim është trajtuar gjerësisht nga studiues si A.Kapurani. Qëllimi i tij është zgjimi në popull i ndjenjës së dinjitetit aq të përlyer e të nëpërkëmbur. Ai pret të lindet një njeri|… që me fjalë të pushton…që të m’kambi një Kohë të retë krijojë një epope…e të sjellë një ide të re|…për një agim të lum e të drejtë kombtar”. Kërkon një hero që “shkatrron e ndërton sërish”. Aftësia e tij profetike është e jashtëzakonshme. Anekënd veprës së tij mund të gjesh citime me tingëllim tejet aktual, si për kohën e diktaturës, ashtu edhe për kohën e sotme, kur “në vend që të naltsohet, njeriu poshtnohet”. Për të, “Malsori bjerr cilsin karakteristike të veten dhe bahet servil, frigacak, pse njashtu e don ligji, nëpunësi, përndryshe s’ka misër”.Dhe sot, për shkak të politikës pa moral, hipokrizia e servilizmi janë bërë një natyrë e dytë për shqiptarët që kërkojnë vende pune a synojnë të bëjnë karrierë.  Migjeni pohon se Lukën prostitutë, “shoqnia drejt ose zhdrejt e detyroi”. Po sot? Mijëra femra si Lokja janë trafikuar në rruge ilegale dhe kanë dalë në rrugët e Evropës si punëtore seksi. Letërsia e viteve ’30-të, me Migjenin në krye, vë gishtin në plagët sociale, sepse realiteti i thyente ëndrrat romantike.

“Shfrytëzimi” nga komunizmi

Propaganda komuniste kishte nevojë për emrin e Migjenit, prandaj e vlerësonte për pasqyrimin e mjerimit dhe për ateizmin, madje duke e paraqitur edhe si prekursor të realizmit socialist, duke anashkaluar pesimizmin, ekzistencializmin apo preferencat letrare e filozofike për Dostojevskin, Niçen, Shopenhauerin etj. Ateizmi i Migjenit nuk ka lidhje me doktrinën e Marksizëm-Leninizmit për fenë. Ashtu si për Tolstoin, edhe për Migjenin ishte i papranueshëm luksi në institucionet fetare në kontrast me mjerimin: “Xhamiat e kishat madhshtore ndër vende tona t’mjerueme”. Dhe është po ai që shkruan: “Të lutem, o perëndi| për një simfoni|…plot dashuni”.  Duke pohuar që “shoqnia lëngon”, Migjeni nuk e idealizon as Perëndimin: “Shpirtent tonë me një dashni tragjike ato vise i duejnë”. Koha e sotme vërteton se rritja e civilizimit, progresit është në përpjesetim të zhdrejtë me moralin. Por Migjeni duket sikur profetizon udhëtimin e Shqipërisë drejt Evropës: “Dielli do ndrrojë rrugën| ka për t’u lindë nga Perndimi…Enden shpirtent tonë nëpër vise të Perndimit të mrekullueshëm…Një tingull perndimi – ngushllim për mue”.   Duke profetizuar që e kaluara mund ta mbajë peng të ardhmen, siç po ndodh, kur ende nuk është bërë dënimi i krimeve të komunizmit dhe nuk janë hapur dosjet, Migjeni thotë: “Kufoma duhet varrosë, përndryshe e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale”. Spiunët sot tallen me viktimat.  Aktualiteti dhe forca e rrallë artistike në veprën, ku ndjenja dhe mendimi bashkëjetojnë në një sintezë aq origjinale, kanë bërë që emri dhe vepra e tij të mposhtin dekadat, duke mbetur të pavdekshme.

Poezia dhe proza migjeniane

Një diapazon i gjerë motivesh, temash, problematikash. Në veprën e tij edhe forma, edhe përmbajtja, edhe llojet e vargjeve e të strofave janë konceptuar sipas ligjeve të së bukurës.

Poezi strofike e monokolone. Strofa me 1 deri 14 vargje. Vargje me 2 deri 21 rrokje. Vargje të bardhë, të thyer, të rimuar. Figuracion jashtëzakonisht i pasur, ku dominon metafora, por të shumta janë dhe personifikimet (apostrofat), antitezat (kontrastet), pyetjet retorike, simbolet, krahasimet, epitetet, reticencat etj. Figuracioni  i zgjedhur mjeshtërisht, është tërheqës e funksional, që i jep krahë fantazisë e i hap horizonte mendimit. Gjuha, si veshje e mendimit, e shkruar ne dialektin e Veriut, është e zgjedhur bukur e ka një qartësi kristaline. Fjalët shndrisin, mpleksen në figura e tablo të pakrahasueshme.  Qëllimi i krijimtarisë së tij ishte ta nxirrte poezinë nga proza e jetës, duke shkaktuar një tronditje të shenjtë te shpirtrat tanë, me përshkrimin besnik të jetës, me portretin e përkryer të njeriut e të shoqërisë së kohës. “Proza e tij si një ‘apendix’ a komentar i “Vargjeve të lira”, thotë A.Pipa. Një ilustrim domethënës do të ishin “Fragment” dhe “Nje refren i qytetit tem”.

Migjeni ishte poet, si në “Vargjet e lira”, ashtu edhe në prozën e shkurtër, apo dilemat me patos grotesk; por edhe ne prozën e gjatë. Në tërësi, vepra e tij mbetet një testament i vyer për brezat./Mapo.al

lajme të ngjashme