Më i vjetri i PS-së drejton seancën e parë parlamentare, PD “proteston” me pankarta NULL NULL 12.09.2025 10:32 12.09.2025 10:32 Foto nga Euronews Albania Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, nisi sot seancën e parë plenare, por jo sipas traditës parlamentare. Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, një vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv. Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare në llozhat e Kuvendit. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, mes tyre Sokol Sadushi dhe Holta Zaçe. Në fjalën e tij hapëse, Llajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike, duke theksuar se misioni i këtij Kuvendi është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ai tha se ndasitë politike janë pjesë e pandashme e jetës parlamentare, por qëllimi i përbashkët duhet të mbetet integrimi evropian. Më tej, ai shpalli ngritjen e Sekretarisë së përkohshme të Kuvendit, e cila do të merret me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve të rinj. Sekretaria përbëhet nga tre deputetet më të reja në moshë: Marjana Koceku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Capja. Seanca nuk kaloi pa tensione. Në momentin kur Llajo lexoi emrat e deputetëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike shpalosi disa pankarta me fytyrat e ministrave të kabinetit qeveritar dhe me mbishkrimin “Karteli 2030”, duke protestuar kundër mazhorancës.