Mbi 1 mijë e 800 operacione në gjashtë muaj në Spitalin e Mitrovicës NULL NULL 20.07.2026 10:44 20.07.2026 10:44 Mbi 1 mijë e 800 operacione janë realizuar në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se rezultatet janë arritur falë punës së ekipeve mjekësore dhe stafit mbështetës, të angazhuar në ofrimin e shërbimeve kirurgjike për pacientët. Në periudhën janar–qershor 2026, në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Smi Haxhibeqiri” janë kryer gjithsej 1 mijë e 824 operacione-ndërhyrje kirurgjike në repartet e ndryshme. “Këto operacione janë realizuar me angazhimin e mjekëve specialistë të profileve kirurgjike, anesteziologëve, teknikëve të anestezionit, infermierëve dhe të gjithë stafit mbështetës”, është bërë e ditur nga spitali. Sipas statistikave të publikuara, numrin më të madh të ndërhyrjeve e kanë realizuar repartet e Obstetrikës dhe Kirurgjisë, me nga 334 operacione secila. Pas tyre renditen Oftalmologjia me 327 ndërhyrje, Ortopedia me 326, si dhe ORL-ja me 282 operacione. Në Urologji gjatë kësaj periudhe janë kryer 144 ndërhyrje kirurgjike, ndërsa në Gjinekologji janë realizuar 77 operacione. Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë kanë vlerësuar kontributin e stafit shëndetësor, duke theksuar se puna ekipore ka qenë një faktor i rëndësishëm në realizimin e këtyre ndërhyrjeve. “Falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të të gjitha ekipeve shëndetësore, është bërë i mundur ofrimi i shërbimeve cilësore dhe trajtimi i pacientëve në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e institucionit.