Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Mbahet online Konferenca e Kryetarëve, Ruçi: Kuvendi i Shqipërisë vazhdon funksionimin

NULL NULL
27.03.2020 14:37

Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe grafikun e shqyrtimit të akteve normative me fuqinë e ligjit në Komisionet e Përhershme Parlamentare.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi sot u zhvillua online Konferenca e Kryetarëve.

Në fillim të mbledhjes, kryeparlamentari shqiptar vlerësoi vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.

“Ju falenderoj të gjithëve ju, si edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, për kontributin në këtë proces. Kuvendi i ka dhënë dhe po i jep procesit të integrimit europian legjitimitetin e duhur”.

Pasi i njohu anëtarët e konferencës me rendin e ditës, Ruçi nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale. Në varësi të ecurisë së mbledhjeve të komisioneve, si edhe të evoluimit të situatës së pandemisë Covid-19, do të vendosim edhe për zhvillimin e seancës së ardhshme plenare”.

Në mbledhje u miratua edhe grafiku i Komisioneve të Përhershme Parlamentare për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit.

Konferenca u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë në lidhje me priotitetet e veprimtarisë së Kuvendit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme: miratimi i akteve normative të Këshillit të Ministrave, miratimi i projektligjeve që lidhen me situatën e pandemisë Covid-19 dhe ratifikimi i marrëveshjeve me organizata dhe institucione ndërkombëtare të cilat janë emergjente.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë porositi që për vendimet e Konferencës së Kryetarëve të informohen të gjithë deputetët./ Top Channel

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.