Masakër në Nigeri: 17 fermerë vriten gjatë punës në ara nga një sulm i armatosur NULL NULL 14.06.2026 08:50 14.06.2026 08:50 Foto arkiv Të paktën 17 fermerë janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi të armatosur në veriperëndim të Nigerisë, derisa po punonin në arat e tyre, kanë bërë të ditur një zyrtar lokal dhe një banor i zonës. Sulmi ka ndodhur të premten në qytetin Goron Namaye, në zonën Maradun të shtetit Zamfara. Autorët e sulmit nuk janë identifikuar, megjithatë në këtë rajon janë rritur ndjeshëm sulmet nga grupe të armatosura në muajt e fundit. Sipas dëshmitarëve, fermerët janë sulmuar papritur gjatë punës në tokat e tyre, ku si pasojë 17 prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa të plagosurit janë dërguar për trajtim në spital. Autoritetet lokale kanë deklaruar se situata e sigurisë është përkeqësuar për shkak të mungesës së negociatave me grupet e armatosura, ndërsa kanë bërë thirrje për ndërhyrje më të fortë të forcave shtetërore për çmontimin e bazave të tyre në pyjet e zonës Maradun, shkruan Abcnews, transmeton Klankosova.tv. Një ditë para këtij sulmi, në të njëjtin rajon u rrëmbyen edhe 39 persona, gjatë një takimi lokal që synonte dialog me familjarë të dyshuar të grupeve të armatosura, në përpjekje për uljen e tensioneve dhe ndaljen e rrëmbimeve. Nigeri vazhdon të përballet me një krizë të sigurisë prej vitesh, veçanërisht në veri dhe verilindje të vendit, ku sulmet dhe rrëmbimet kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë zhvendosur miliona persona, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve për ta frenuar situatën.