Maqedoni e Veriut: Prokuroria hap lëndë kundër drejtorit të ri të ASK-së NULL NULL 01.11.2024 14:03 01.11.2024 14:03 Prokuroria në Maqedoni të Veriut konfirmoi se ka pranuar kallëzim penal anonim ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK) Bojan Hristovski, i cili sipas pretendimeve ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme, për t’i plotësuar kushtet dhe për t’u emëruar drejtor i ASK-së. “Gjatë ditës së djeshme është pranuar kallëzim penal nga një kërkues anonim, pas së cilit konform dispozitave ligjore është hapur rasti dhe i është caktuar prokurori për punë”, thonë nga prokuroria. Hristovski për drejtor ka aplikuar me certifikatën TOEFL nga shkolla bullgare “Julia”. Ky është hetimi i parë paraprak në prokurori për emërimin e Hristovskit në pozitën e drejtorit të ASK-së. Prokuroria Publike më herët kishte paralajmëruar se do të presë vendimin e Komisionit Kundër Korrupsionit, ndërsa nga Komisioni thanë se të gjithë mund t’i kryejnë hetimet dhe obligimet e tyre sipas ligjeve. Ditën e djeshme në Kuvend të RMV-së ka pasur një atmosferë të tensionuar ndër të tjera edhe për emërimin e Hristovskit në krye të shërbimit sekret. /alsat.mk