Lulëzon pirateria me IPTV, drejtësia nuk po vepron NULL NULL nga Qendresa Tershana 22.05.2024 20:19 nga Qendresa Tershana 22.05.2024 20:19 Një kallëzim penal i ushtruar nga Artmotion. Foto: Klankosova.tv Shumë shpërndarës të përmbajtjes së operatorit kabllor Artmotion, do të përballen me ligjin. Kjo pasi kompania shpërndarëse e shërbimeve mediale audiovizuele, ka ngritur disa kallëzime penale, meqë shesin në mënyrë ilegale kanalet për të cilët ArtMotion ka paguar shuma të mëdha eurosh për t’u licencuar. Megjithatë, çka po bën Prokuroria Themelore e Prishtinës për këto kallëzime, televizioni nuk mori përgjigje gjatë të mërkurës. Por avokatja Blinera Osmani, po kërkon që Prokuroria e edhe institucione e tjera të shtetit të aktivizohen për të ndalur transmetimin e IPTV-ve ilegale. Ajo tha se Kosova ka rrezik të shndërrohet në një strehë të operatorëve ilegalë, sepse, siç u shpreh avokatja Osmani, “nuk ka veprime nga autoritetet”. “Korniza ligjore është e mjaftueshme por sa praktikohet nuk është e kënaqshme. KPM nuk ka pasur kapacitete andaj ne kemi kërkuar gjithmonë që të bëhet një task-forcë, ku përfshihet policia, prokuroria, gjykata dhe ARKEP-i, sepse identifikimi i tyre bëhet lehtë, por duhet të merren masa si zinxhir i krejt këtyre institucioneve sepse identifikimi i tyre është i lehtë, por duhet të merren masa në bllokimin e IP adresave të tyre që veprojnë përmes platformave online të rrjetit të hapur”, ka thënë avokatja Blinera Osmani. Bllokimi i sinjaleve ilegale duhet bëhet me urdhër të institucioneve të drejtësisë, të cilat në pak e hiç raste po veprojnë kështu. Avokatja Osmani, që trajton shumë raste të tilla, po thotë se duhet të behet edhe edukimi i qytetarëve për mosblerje të kanaleve të IPTV. Ata që shesin IPTV ilegale, sipas kallëzimit penal që ka dorëzuar Artmotion, kanë kryer veprat penale të shitjes pa autorizim të shërbimeve, veprim në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit, përfitim në mënyrë të kundërligjshme dhe përdorim i padrejtë i punës së mbrojtur me të drejtat e autorit. /Klankosova.tv