LIVE| S’ka kompromis e as konsensus, dështon sërish konstituimi i Kuvendit NULL NULL 05.07.2025 19:47 05.07.2025 19:47 Seanca e datës 3 korrik për konstituim të Kuvendit. Foto: Kuvendi i Kosovës 20:31 – S’ka kompromis e as konsensus, dështon sërish konstituimi i Kuvendit Ka dështuar për të 42-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Deputetët e partive PDK, LDK, AAK e partive tjera më të vogla nuk po e votojnë themelimin e Komisionit për votim të fshehtë. Këto parti janë shprehur kundër kandidates së propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. 20:26 – Nis vazhdimi i 42-të i seancës konstituive – a do të ketë zhblllokim? Me deklarimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, ka nisur vazhdimi i 42-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancë janë shumica e deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare. Se çfarë do të na sjellë kjo seancë, mbetet të shohim meqë ka paralajmërime nga deputetë që mund të votojnë pro Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Një nga ta është Bekë Berisha i AAK-së, i cili tha se do të votojë për secilin kandidat që e propozon LVV-ja. 20:18 – Çitaku: Edhe më të rrezikshme se kërcënimi me bombë janë prirjet totalitare të LVV-së Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, tha se kërcënimi i sotëm me bombë në Kuvendin e Kosovës, fatmirësisht doli të jetë i rrejshëm. Megjithatë, ajo tha se edhe më të rrezikshme se këto kërcënime, janë, sipas saj, prirjet totalitare të LVV-së. “Po aq sa janë të rrezikshme dhe të trishtueshme sulmet që po i bëhen Kuvendit nga jashtë, qoftë me kërcënime të rrejshme, në aq e mos më shumë janë të rrezikshme prirjet totalitare që i kemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme, tashmë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të përmbysur rendin kushtetues”, u shpreh Çitaku për Klan Kosova teksa po hynte në sallën e Kuvendit për vazhdimin e 42-të të seancës konstituive. /Klankosova.tv 20:09 – Reqica: Ndjehem i sigurt, e besova nga fillimi se alarmi për bombë ishte i rrejshëm Deputeti i PDK-së, Elmi Reqica, tha se ndjehet i sigurt për pjesëmarrje në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila është shtyrë për orën 20:00, për shkak të një alarmi për bombë që pati paraditen e sotme. Në një paraqitje për Klan Kosovën, ai ka deklaruar se besoi që nga fillimi se alarmi ishte i rrejshëm. “Unë ndihem i sigurt, sepse kam besuar dhe besoj se ka qenë alarm i rrejshëm. Këtu mund të futet gjithkush mund t’i keqpërdor situatat e tilla, mund të ketë edhe të tjerë që nuk ia duan të mirën Kosovës, mund të ketë edhe të revoltuar mund të ketë faktikisht edhe projekte të tjera të ndryshme, mirëpo është e rëndës, nuk ka asgjë më të rëndë se sa të të evakuojnë nga seanca plenare se ka bombë”, ka thënë Reqica. 20:05 – Haradinaj për qëndrimin e Berishës: Shumë mirë ka thënë – ta shohim si votoj kur vjen momenti Kryetari dhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka komentuar deklaratën e bashkëpartiakut të tij, Bekë Berisha, i cili tha se do ta votonte këdo që e propozon Lëvizja Vetëvendosje për kryetar kuvendi, por në formë të hapur. Haradinaj tha se nuk ka informacione për këtë qëndrim të Berishës, por u shpreh se “shumë mirë ka thënë”. “Jo, s’kam informacione por shumë mirë ka thënë. Do ta shohim [si do të votoj] kur të vjen momenti”, u shpreh Haradinaj, njofton Klankosova.tv. Tutje, ai tha se situata aktuale politike është e varur nga fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të cilin tha se “ai e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq”. “Ne nuk mund ta ndryshojmë këtë gjendje pa të. Ai mund ta ndryshojë. Nëse e ka vullnetin për ta ndryshuar, edhe ne jemi për. Kemi dhënë edhe opsione”, tha Haradinaj. Kurse, për sa i përket alarmit për bombë që ndodhi paraditen e sotme, kreu i AAK-së tha se janë çështje të sigurisë dhe se i besojnë institucioneve të sigurisë. 19:57 – Bogujevci: Duhet ta përfundojmë votimin e fshehtë pastaj mund të dalim në të hapur Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka thënë procedurat për votim janë të qarta, ku sipas saj, aktvendimi i Gjykatës Kushteteuse e thotë qartë se mund të votohet në dy forma, në formë të hapur dhe të fshehtë. Bogujevci u shpreh se deputetët kanë një proces që duhet ta përfundojnë, atë për votim të fshehtë, dhe sipas saj, mund të dalin në votim të hapur. “Por, është pjesë e procedurës dhe duhet t’i respektojmë ato. Njëra ndër këto procedura është votimi. Sido që veprojmë, ku në këtë rast jemi në procedurë të votimi të fshehtë që duhet të votojmë dhe kjo duhet të votohet, mund të votohet kundër dhe të kthehemi në votim të hapur”, tha Bogujevci, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo tha se duhet të procedojnë me një proces në të cilin janë aktualisht dhe pastaj tha se mund të kthehen te një proces tjetër. 19:58 – Zemaj: Besojmë që VV-ja do ta gjejë mirëkuptimin që ta kryejë procedurën e zgjedhjes së kryeparlamentarit Deputeti Armend Zemaj sot para seancës për konstituimin e Kuvendit u shpreh se besojnë që VV-ja do ta gjejë mirëkuptimin që ta kryejë procedurën e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Ai tha se këto duhet të përfundojnë për të kaluar pastaj në atë se kush do ta formojë Qeverinë. “Ajo çka duhet të jetë kërkesë besojmë që Lëvizja Vetëvendosje do ta gjejë mirëkuptimin, konsenzusin dhe mirëbesimin që sa më shpejt ta kryejmë procedurën e zgjedhjet së Kryetarit të Kuvendit, konstituimit të Kuvendit dhe të kalojmë atëherë kush mund ta bëjë Qeverinë”, u shpreh ai. 20:02 – Gashi (LDK): Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet në mënyrë të hapur Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se votimi për kryetar të Kuvendit duhet të bëhet në mënyrë të hapur. Në hyrje të Kuvendit për të marrë pjesë në vazhdimin e 42-të të seancës për konstitutim të Kuvendit, ai tha për këtë çështje ka gjykuar edhe Gjykata Kushtetuese. “Procedura formale juridike e votimit të kryetarit është vendosur për procedurë të hapur. Kështu ka gjykuar edhe Gjykata Kushtetuese. Ndryshimi i çdo procedure bëhet me mocion procedural. Më së pari duhet të bëhet shmangia nga rregullorja, me 2/3 të deputetëve të pranishëm, e pastaj ndryshimi i procedurës. Mendoj se është e paarsyeshme të ndodhë diçka e tillë dhe duhet të vazhdohet sipas vendimit që është marrë. Kryetari i kuvendit duhet të zgjidhet me votë të hapur”. I pyetur nëse po ndihet si sigurt pas alarmit të rrejshëm për bombë paraditen e sotme në Kuvendin e Kosovës, Gashi u shpreh: “Ndihem i sigurt. Policia e institucionet e sigurisë po e kryejnë punën e vet, por jo ne”. 19:52 – Lushaku-Sadriu: Jo, nuk jam e informuar nëse do të ketë mocion për çështjen e ndërrimit të votimit Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se nuk është e informuar se mund të ketë ndonjë mocion për çështjen e ndërrimit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, siç u shpreh deputeti i AAK-së, Bekë Berisha. Në një paraqitje para gazetarëve para nisjes së seancës së sotme, Lushaku-Sadriu theksoi se shpreson që të mos ndodh më ndonjë problem si gjatë ditës kur u pati alarm për bombë në Kuvendin e Kosovës. Ndër tjera, ajo shtoi se pret nga Lëvizja Vetëvendosje që të respektojë agjendën që duhet për konsituimin e Kuvendit. “Jo në fakt, jo. Ishim të shqetësuar sit ë gjithë qytetarët e Kosovës kur dëgjuam që ka alarm bombe, shpresoj të jetë sqaruar dhe të mos ndodh më. Bëjmë thirrje LVV-së që të respektojë rendin dhe agjendën e Kuvendit të aprovuar nga kryesia e mëhershme, atë e ka thënë Gjykata Kushtetuese, dhe shpresojmë që kjo të ndodh. “Posaçërisht, nëse propozohet kryetari për Kuvend ne do të kemi votën tonë që e kemi deklaruar disa herë. Interpretimi ynë është që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruat proceduralisht ashtu, tani presim të respektohet rendi i ditës”, u shpreh Lushaku-Sadriu. 19:46 – Berisha: Unë do ta votoj bash kë ta qesin Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se do të reflektojë dhe do të votojë edhe pro Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Në hyrje të ndërtesës së Kuvendit për të marrë pjesë në vazhdimin e 42-të të seancës për konstituim të Kuvendit, ai tha se do të votojë “bash për këdo që do ta qesin”. Vazhdimi i 42-të i seancës për konstituim të Kuvendit Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë nisur të mblidhen për herë të 42-të në tentim të konstituimit të Kuvendit. Ata nisën të mblidheshin edhe mëngjesin e sotëm, mirëpo pas një alarmi për bombë në ndërtesën e Kuvendit, seanca nuk nisi dhe u shty për mbrëmjen e së shtunës, në orën 20:00. Alarmi për bombë rezultoi i rremë. Deputetët ndërkaq do të kenë mundësi të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë për themelimin e Komisionit për votim të fshehtë, çështje e cila nuk po kalon tash e një kohë të gjatë, duke u kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK e partitë tjera më të vogla. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Policia konfirmon raportimin e Klankosova.tv: Mesazhi për bombë dyshohet se erdhi nga Serbia 05/07/2025
Kosova Temperaturat e larta, MPB me vendim ndalon ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura 05/07/2025
Kosova Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit 05/07/2025