Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Tre policët po dërgohen në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (VIDEO)

NULL NULL
26.06.2023 10:35

14:36 – Tre policët po dërgohen në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Tre policët, që ishin rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë në veri të Kosovës, e të cilët janë liruar sot nga Gjykata e Kralevës në procedurë të rregullt, janë duke u dërguar në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi janë pritur nga kolegët e tyre sot në pikën kufitare në Merdarë, njofton Klankosova.tv

Ata ndodheshin në paraburgim në Serbi prej 16 qershorit.


14:40 – Presidenti i Shqipërisë mirëpret lirimin e policëve, kërkon kthim në dialog

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë.

Begaj tha se Kosova dhe Serbia duhet që të kthehen në tryezën e dialogut.

Ai theksoi se duhet të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Ohër.

______________________________________________________________________________________________________________________________________

13:56 – Osmani: Lirimi i policëve nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për agresion ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar pas lirimit të tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen para gati dy javëve nga njësitë speciale të Serbisë.

Osmani tha se kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia.

Ajo i falënderoi miqtë ndërkombëtar për ndihmën e ofruar në lirimin e tyre.

E para e vendit tha se shteti serb ka kryer shkelje të Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n.

“3 policët e Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj Kosovës”, tha Osmani.

______________________________________________________________________________________________________________________________________

13:35 – Policët e kidnapuar nga Serbia arrijnë në Kosovë (FOTO)

Kanë arritur në Kosovë tre policët që u liruan në procedurë të rregullt nga Gjykata e Kralevës.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi janë pritur nga kolegët e tyre në pikën kufitare në Merdarë, njofton Klankosova.tv

Kujtojmë se ata janë rrëmbyer më 14 qershor nga autoritetet e Serbisë brenda territorit të Kosovës.


13:35 – Abdixhiku: Falënderojmë miqtë ndërkombëtarë e në veçanti ShBA-të për lirimin e policëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, e ka mirëpritur lirmin e tre policëve të Kosovës Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemsi Mustafa.

Ata u rrëmbyen më 14 qershor nga njësitë speciale serbe.

Abdixhiku i ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u angazhuan në lirimin e tyre.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se sjelljet agresive e luftënxitëse të Serbisë duhet të dënohen nga komuniteti ndërkombëtarë, prandaj koordinimi i veprimeve të institucioneve të Kosovës me aleatët tanë është domosdoshmëri”, tha Abdixhiku.

______________________________________________________________________________________________________________________________________

13:12- Ministria e Jashtme jep detaje rreth lirimit të tre policëve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë detaje për lirmin e tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen nga njësitë speciale të Serbisë.

MPJD njofton se ndaj Rifat Zekës, Beqir Sefit dhe Mustafë Shemit, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë e Kralevës, për vepren penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese” .

“Ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Republikën e Kosovës tek familjet e tyre”, thuhet në njoftimin e MPJD-së përcjell Klankosova.tv

Tutje në njoftim thuhet se atyre iu është lejuar që të mbrohen në liri.

Ministria e Jashtme thekson se rrëmbimi i policëve tanë në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare, dhe se akuzat e autoriteteve serbe janë të paqëndrueshme dhe të motivuara politikisht.

______________________________________________________________________________________________________________________________________

“Siç edhe është dëshmuar me prova të qarta, policët kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke kryer detyrën e tyre”, thuhet në njoftim.

12:08 – Policët e liruar nisen drejt Kosovës (VIDEO)

Gjykata në Kralevë të Serbisë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës

Të tre policët janë nisur drejt kufirit me Kosovën, njofton Klankosova.tv.

Më poshtë mund të shihni videon e siguruar nga gazetari, Besnik Tahiri:


11:43 – Kryeministri i Hungarisë i merr meritat për lirmin e tre policëve të Kosovës

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, para disa javësh i kishte kërkuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që t’i lironte tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë.

E sot pasi ata u liruan, Orban tha se kjo erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së tij.

“E vlerësojmë shumë hapin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilin ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, tha Orban.


11:34 – Hoti falënderon ndërkombëtarët për lirimin e tre policëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur lajm të mirë lirimin e tre policëve të rrëmbyer.

Ai ka falënderuar ndërkombëtarë për përkushtimin për lirimin e tyre, përcjell Klankosova.tv.

“Lirimi i tre policëve të Policisë së Kosovës është lajm i mirë. Falënderojmë miqtë ndërkombëtarë për përkushtimin për lirimin e tyre. Republika e Kosovës është mbështetur gjithmonë tek miqtë. Falënderim i veçantë për Shqipërinë për angazhimin e fuqishëm dhe koordinimin me aleatët e Kosovës për lirimin e policëve”, ka shkruar ai në Facebook.


11:33 – Policët e liruar do të sillen në Merdare

Janë liruar tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga njësitë speciale më 14 qershor.

Vendimi për lirimin e tyre e mori sot Gjykata e Kralevës.

Beqir Sefi, Rifat Zeka dhe Mustafë Shemi, do të sillen në pikën kufitare në Merdare.

Lajmi u konfirmua për Klan Kosovën nga sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli.


 11:30 – Rama: Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi, lajm i vonuar, por gjithsesi shumë i mirë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas lirimit të tre policëve, ka thënë se kthimi i tyre në shtëpi është lajm i vonuar, por siç tha ai, gjithsesi lajm shumë i mirë.

Rama përmes një shkrimi në Twitter, tha se i vjen mirë që forca e arsyes ka fituar mbi arsyen e forces, përcjell Klankosova.tv.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi  mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”, shkroi ai.


11:23 – Çitaku falënderon ShBA-në, BE-në dhe Shqipërinë për lirmin e policëve

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, i është gëzuar shumë lajmit për lirmin e tre policëve që ishin kidnapuar nga njësitë speciale të Serbisë më 14 qershor.

Çitaku i ka falënderuar për angazhimin e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Shqipërinë.

Të hënën policët Beqir Sefi, Rifat Zeka dhe Mustafë Shemi, u liruan nga Gjykata e Kralevës.


11:15 – Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Falënderoj miqtë ndërkombëtarë për rolin vendimtar në këtë proces

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas vendimit për lirimin e tre policëve të arrestuar nga policia e Serbisë, ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se vendimi për lirimin e Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, është lajm i mirë.

“Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”, shkruan ai, transmeton Klankosova.tv.


11:12 – Publikohet fotoja e parë pas lirimit të tre policëve (FOTO)

Është publikuar fotografia e parë pas lirimit të tre policëve që ishin kidnapuar nga njësitë speciale të Serbisë.

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, e ka publikuar foton në profilin e tij në Facebook.

Të hënën policët Beqir Sefi, Rifat Zeka dhe Mustafë Shemi, u liruan nga Gjykata e Kralevës.

Ata ishin arrestuar më 14 qershor.

Fatmir Haxholli

______________________________________________________________________________________________________________________________________

10:56 – Flet avokati: Policët kosovarë do të mbrohen në liri, së shpejti nisen drejt Kosovës

Avokati i tre policëve të Kosovës që u rrëmbyen në kufi nga Serbia më 14 qershor ka thënë se klientët e tij janë liruar që të mbrohen në liri.

Sipas Gradimit Nalliqit, ndaj tyre është ngritur akti akuzues ndaj të cilit ai dhe zyra e tij e avokaturës do të ushtrojnë të drejtën e ankesës.

Ai bëri me dije për Klan Kosova se sapo të dalin nga Gjykata e Kralevës më përcjellje policore, tre policët do të nisen drejt Kosovës.


10:35 – Lirohen tre policët e rrëmbyer në Kosovë 

Gjykata në Kralevë të Serbisë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Beqir Sefi, Rifat Zeka dhe Mustafë Shemi ishin arrestuar më 14 qershor.

Këtë për Klan Kosovën e ka konfirmuar avokati i policëve, Gradimir Nalliq.

Kujtojmë se vetëm dy ditë pas arrestimit, atyre i ishte caktuar masa e paraburgimit, por Gjykata e Kralevës nuk pati treguar se sa është periudha e paraburgimit për policët kosovarë.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

Paraburgosen tre policët e kidnapuar nga Serbia

 

lajme të ngjashme