Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE | LDK mbyll dyert për vendimin e madh, Abdixhiku ia lë ‘fatin’ e vet në duar delegatëve (VIDEO)

NULL NULL
30.07.2026 17:44

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku do të testohet besimi ndaj liderit, Lumir Abdixhiku.

Kreu i këtij subjekti politik do të jetë përballë qindra delegatëve të LDK-së, që ndërmorën nismën për shkarkimin e tij, pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Kuvendin që e caktoi vetë të mbahet sot, Abdixhiku e kishte cilësuar si të panevojshëm dhe përçarës.

Klan Kosova do të ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet e ditës së sotme, në Specialen që transmetohet edhe në Youtube.


Abidxhiku fton delegatët para votimit, “ta ruajnë qetësinë dhe maturinë” 

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij para votimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të kësaj partie, i ka ftuar delegatët që ta ruajnë qetësinë dhe maturinë.

“Ju lus që ta ruani qetësinë. Fundja jemi delegatë të shtëpisë së njëjtë politike”, u shpreh Abdixhiku.


Abdixhiku: Ku do të ishim sikur të angazhoheshim në zgjedhje kështu?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pohuar se kjo parti do të performonte shumë më mirë në zgjedhje nëse ata që po angazhohen “për betejën brenda LDK-së” do të angazhoheshin po kaq shumë në fushatë.

“LDK nuk i ka pasur nuk i ka borxh askujt një faturë të tillë”, tha Abdixhiku në fjalën e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

“Më duhet të them me keqardhje shumë se angazhimi i disave javëve të fundit për betejën brenda LDK-së ka tejkaluar çdo angazhim elektoral që kemi pasur”, deklaroi Abdixhiku, përcjell Klankosova.tv.

“Shpesh pyes veten, ku do të ishim si parti sikur të angazhoheshim kaq shumë në zgjedhje nacionale?”


Abdixhiku: Kur rrëzimi është qëllimi, LDK as nuk del më e fortë e as më e bashkuar!

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar para delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm se dobësimi i partisë nuk i shërben as demokracisë dhe as rrugëtimit të saj politik.

“Kur rrëzimi është qëllimi i shtëpisë së lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, kur rreth rrëzimit provohet të reduktohet kjo shtëpi, atëherë LDK as nuk del më e fortë, as më e organizuar, as më e bashkuar”, ka thënë Abdixhiku.

Më herët, Abdixhiku para delegatëve tha se çdo vendim i marrë ka qenë në interes të partisë.


325 delegatë të pranishëm në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së

Ka nisur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së.

Të pranishëm brenda sallës janë 325 delegatë, raporton Klankosova.tv.

Sipas llogaritjeve, 163 prej tyre vendosin pro qëndrimit apo shkarkimit të kryetarit Lumir Abdixhikut.


Abdixhiku para delegatëve: Asnjë vendim nuk e mora duke menduar për vete, por për LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para delegatëve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ka folur për rrugëtimin e tij në krye të LDK-së dhe për pesë vitet e udhëheqjes.

“Dy vite më parë, kur mora për herë të parë karrigen e kryetarit të LDK-së, e kam ditur qartë se kjo karrige nuk më përkiste përgjithmonë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka kujtuar sfidat dhe momentet e ndryshme gjatë mandatit të tij, duke theksuar se udhëheqja e LDK-së ishte bërë pjesë e jetës së tij.

“Gjatë këtyre pesë viteve kjo detyrë është bërë pjesë e jetës time. Ka pasur ditë kur kjo shtëpi më ka dhënë krenarinë më të madhe, ka pasur edhe ditë kur më ka rënduar më shumë se ç’mund të bartë një njeri”, është shprehur Abdixhiku.
Ai u ka thënë delegatëve se çdo vendim i marrë ka qenë në interes të partisë.

“Mund t’ju kem bërë krenarë dhe mund t’ju kem lënduar, por një gjë mund t’ua them me ndërgjegje të plotë: asnjë veprim, asnjë vendim nuk e kam marrë duke menduar për veten time, por për LDK-në. Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju”, ka deklaruar Abdixhiku. /Klankosova.tv


Pro dhe kundër Abdixhikut, formohen komisionet brenda Kuvendit të LDK-së

Ka nisur Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i LDK-së.

Burimet e Klankosova.tv bëjnë me dije se janë formuar edhe komisionet e punës së këtij kuvendi.

Kjo u bë me pajtim mes dy taboreve, atyre që janë pro Lumir Abdixhikut dhe atyre kundër.


Nis Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së

Ka nisur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin do të votohet për besimin ndaj kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Në këtë proces do të marrin pjesë 355 delegatë të LDK-së, të cilët do të vendosin nëse Abdixhiku do ta vazhdojë mandatin në krye të subjektit politik.

Klan Kosova do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së.


Quni: Besoj se Abdixhiku do të vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së

Anëtari i kryesisë së LDK-së Anton Quni, ka folur para nisjes së Kuvendit të jashtëzakonshme të kësaj partie.

Ai për Klan Kosovën tha se beson se Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së.

“Unë nuk jam nënshkrues i shkarkimit të kryetarit të LDK-së z. Lumir Abdixhiku. Besoj se deri në pranverën e ardhshme kur edhe janë zgjedhjet e rregullta ai do ta vazhdojë punën si lideri i LDK-së”, tha Quni për Klan Kosovën.


Sibel Halimi mohon presionin ndaj delegatëve: Le të triumfojë demokracia në LDK

Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, tha se pret që procesi të zhvillohet në frymë demokratike, duke theksuar se është me rëndësi që delegatët të votojnë lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre personale. Ajo mohoi se ka pasur presion ndaj delegatëve dhe shprehu bindjen se kuvendi do të kalojë pa tensione, ndërsa LDK-ja do të dëshmojë vlerat demokratike që, sipas saj, i ka kultivuar ndër vite, raporton Ekonomia Online.

“Sigurisht Lidhja Demokratike e Kosovës ka një demokraci të brendshme dhe është shumë me rëndësi që sot të triumfojë demokracia, domethënë delegatët në njëfarë forme të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe besoj që do t’ia dalim me sukses”, tha ajo.

E pyetur se a ka pasur presion për votim, ajo kundërshtoi duke thënë që LDK do të triumfojë me vlerat që i promovon.

“Jo, absolutisht jo, absolutisht. Unë jam anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ne padyshim që do ta bëjmë më të mirën sot që Lidhja Demokratike e Kosovës të triumfojë me vlerat të cilat edhe historikisht i ka promovuar dhe i ka përbrendësuar brenda jo vetëm programit të vet, por edhe të funksionimit si parti politike”, u shpreh ajo.

Halimi u shpreh se beson që kuvendi do të kalojë mirë, pa tensione.

“Unë besoj që ne sot do ta kalojmë më së miri dhe delegatët tanë kanë një vetëdije shumë të lartë për rëndësinë edhe të argumentimit, edhe fuqisë së fjalës dhe absolutisht nuk ka asnjë pretekst që sot ju të merrni informatën që do të ketë ndonjë ekses. Dhe unë besoj fuqishëm që me 36 vjet që e ka Lidhja Demokratike e Kosovës ne e kemi ndërtuar shtetin me vlerat e lirive të mendimit, të shprehjes së lirë dhe të demokracisë në përgjithësi. Kështu që unë nuk besoj që do ta merrni një informatë të tillë sepse i kam kolegë, i njoh gjithsecilin dhe çfarëdo që sot do të ndodhë, edhe përkundër që si anëtare e kryesisë, si një person që kam kontribuar shumë në diskursin publik për zhvillimin edhe të shumë çështjeve me rëndësi për vendin, nuk ka qenë koha e duhur për të organizuar një Kuvend të tillë, por megjithatë, meqë me statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kemi një mundësi të tillë, ka pasur kërkesa, është nënshkruar një listë dhe tani jemi këtu ku jemi dhe ne do të dalim faqebardhë”, shtoi ajo. E/O


Kuvendi drejt nisjes, interesim i lartë mediatik

Kanë mbetur edhe pak kohë deri në nisjen e Kuvendit të Jashtëzakonshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tashmë edhe delegatët e parë të këtij kuvendi kanë mbërritur.

Po ashtu edhe interesimi i mediave për ta përcjellur këtë ngjarje është tejet i madh.

lajme të ngjashme