Lëvizje të rëndësishme te Ballkani drejt bashkëpunimit Palushi-Kabashi NULL NULL 04.06.2026 12:51 04.06.2026 12:51 FC Ballkani mund të jetë pranë një zhvillimi të ri dhe shumë të rëndësishëm në aspektin organizativ dhe financiar. Burime të afërta me klubin bëjnë të ditur se biznesmeni i njohur suharekas Shaqir Palushi është në bisedime të avancuara me presidentin aktual Arsim Kabashi për një bashkëpunim që synon ta forcojë edhe më shumë klubin në vitet e ardhshme. Sipas informacioneve, kontaktet mes palëve kanë vazhduar prej disa kohësh dhe tashmë diskutimet kanë hyrë në një fazë serioze, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje e dobishme për të ardhmen e kampionëve të Kosovës. Ideja kryesore e këtij bashkëpunimi është krijimi i një strukture edhe më të fuqishme financiare dhe organizative, e cila do t’i mundësonte Ballkanit të vazhdojë dominimin në futbollin kosovar, por edhe të rrisë ambiciet në garat evropiane. Të dy emrat gëzojnë respekt të madh në Suharekë dhe konsiderohen figura me ndikim në biznes, tansmeton Klankosova.tv. Pikërisht për këtë arsye, afrimi i tyre në një projekt të përbashkët shihet si një zhvillim që mund t’i japë klubit stabilitet edhe më të madh dhe mundësi për investime të reja në skuadër, infrastrukturë dhe akademi. Ballkani ka qenë klubi më i suksesshëm në Kosovë gjatë viteve të fundit, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke shkruar histori në arenën ndërkombëtare me paraqitjet në garat evropiane. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit synojnë që sukseset e arritura jo vetëm të ruhen, por të shërbejnë si bazë për projekte edhe më ambicioze. Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga palët, burimet bëjnë të ditur se bisedimet po ecin në drejtimin e duhur dhe se një marrëveshje mund të finalizohet në të ardhmen e afërt. Nëse ky bashkëpunim konkretizohet, Ballkani pritet të fitojë një forcë shtesë jashtë fushës, duke krijuar një bazë edhe më të fortë për sfidat që e presin në kampionatin vendor dhe në garat evropiane.