Leonard Cohen, poeti i muzikës (VIDEO) NULL NULL 11.11.2016 21:43 11.11.2016 21:43 Ishte mishërim i melankolisë, nostalgjisë dhe ndjenjave të thella. Pjesë e përhershme e lumturive dhe zhgënjimeve me dashuritë. Leonard Cohen, këngëtari më poetik i dekadave të fundit, ka vdekur në moshën 82 vjeçare. Karriera e tij artistike zgjati për gati pesë dekada, periudhë gjatë të cilës shkroi këngë të cilat trajtonin dashurinë dhe ndarjen, lumturinë dhe dëshpërimin, vetminë dhe lidhjet, politikën, luftën dhe paqen. Cohen studioi letërsinë dhe kurrë nuk kishte menduar se do të bëhej këngëtar, njofton Klan Kosova. Ai e braktisi vokacionin e shkrimtarit për t’u bërë njëri ndër tekstshkruesit më të rëndësishëm të muzikës në epokën bashkëkohore. Ka shkruar 13 vepra me poezi dhe prozë, për të cilat është shpërblyer me shumë çmime letrare, në mes të cilave edhe me Princin e Asturias. Albumin e parë “Songs of Leonard Cohen”, e publikoi në vitin 1967, kur ishte 33 vjeçar. Shumë këngë të tij janë shndërruar në hite antologjike. Në popullaritetin e madh kanë ndikuar edhe versionet e panumërta të 2000 këngëve të tij, të cilat janë kënduar nga U2, Areta Franklin, R.E.M., Jeff Buckley, Elton John, Bon Jovi, etj. Kënga “Hallelujah” i ka 200 variacione, ndonëse kur u shkrua në vitin 1984 u refuzua nga kompania diskografike pasi konsiderohej “pamjaftueshëm komerciale”. Kanadezi Cohen nuk ishte model tipik i yllit muzikor. Rrallë jepte intervista, kishte dëshirë të qëndronte për vite të tëra në vende të izoluara si në ishullin grek Hidra apo tek zen budistët në malin Baldy afër Los Angelos. Albumi i fundit, “You Want It Darker”, për të cilin mori kritika të jashtëzakonshme pozitive, u publikua vetëm dy javë më parë. Këndonte ngadalë, me zë të rëndë baritoni. Akordet në kitarë i kishte të thjeshta, ndërsa kapela e zezë ia përforconte aurën e melankolisë. Mjeshtëria e tij qëndronte në harmoninë madhështore të fjalëve të fuqishme dhe referencave universale. Të cilat e bënë të përjetshëm.