Lenë Osmani dhe Fatih Karabaxhak triumfues në Turneun Memorial “Adem Jashari” NULL NULL 09.03.2025 11:09 09.03.2025 11:09 Të shtunën në Skenderaj u zhvillua Turneu Memorial “Adem Jashari”, një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e Federatës së Pingpongut të Kosovës. Para fillimit të garave, delegacioni i FPPK-së bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” për të nderuar figurën e heroit të kombit. Pas këtij akti solemn, kryetari i FPPK-së, Jeton Oruçi, mbajti një fjalë rasti dhe shpalli zyrtarisht të hapur turneun. Ky turne u karakterizua nga një konkurrencë e fortë, ku pingpongistët treguan nivel të lartë të lojës. Befasi solli Aron Koni, i cili fitoi ndaj Kreshnik Mahmutit, dhe Rrahman Ademaj që mposhti Sina Kayhanin, transmeton Klankosova.tv Finalja e meshkujve ishte shumë e fortë. Aron Koni nga Shqipëria avancoi me 2:0 në sete, por Fatih Karabaxhak nuk u dorëzua, duke kthyer lojën dhe fituar me rezultat 3:2. Edhe finalja e femrave ishte e baraspeshuar. Lenë Osmani avancoi me 2:0, ndërsa Leoresa Imeri barazoi në 2:2 dhe pati avantazh në setin e pestë. Megjithatë, Lenë Osmani nuk u dorëzua dhe siguroi titullin e saj të tretë për këtë vit. Renditja në kategorinë e femrave: Lenë Osmani Leoresa Imeri Anisa Domaniku dhe Taibe Ruli Renditja në kategorinë e meshkujve: Fatih Karabaxhak Aron Koni Rrahman Ademaj dhe Kreshnik Mahmuti