Lajçak për Asociacionin: Statuti ynë trajton në mënyrë moderne mbrojtjen e pakicave NULL NULL 29.10.2023 21:46 29.10.2023 21:46 Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka folur rreth takimeve që janë mbajtur javën e kaluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, qëllimi i këtyre takimeve ishte për të avancuar drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. “E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet”, tha Lajçak. Ai tregoi se palët patën pyetje rreth propozimit evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë”, theksoi ai. Emisari i BE-së shtoi se shumë shpejt do të ftojë dy kryenegociatorët, atë të Kosovës Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq, për një takim në Bruksel, transmeton Klankosova.tv. Pjesë e takimeve të së enjtes në kuadër të dialogut ishin edhe kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel.