Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kuvendi me ‘dosje të zeza’, 9 emra të Vetëvendosjes me raste penale sigurojnë ulëse

NULL NULL
17.06.2026 14:00

Lista e deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, bazuar në rezultatet aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është e “pasur” edhe me persona të cilët janë të përfshirë në raste penale.

Raporti i 29 majit, i Institutit të Kosovës për Drejtësi, kishte identifikuar emrat e atyre që synonin Parlamentin, ku rezultonte se 25 kandidatë të Vetëvendosje kanë qenë të përfshirë në raste penale. Por jo të gjithë arritën të marrin mbështetjen e popullit për përfaqësim në organin më të lartë legjislativ.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 9 nga 25 prej tyre nga lista e VV-së pritet të futen në Kuvend.

Kandidatët me aktakuza aktive që kanë siguruar ulëse

Arbërie Nagavci, e cila është e 35-ta, ka aktakuzë aktive për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nga ana tjetër, ministrja në detyrë, Fitore Pacolli-Dalipi akuzohet për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, raporton Klankosova.tv.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca, si dhe kandidati nga Suhareka, Salih Zyba. 

Edhe deputeti i ardhshëm i kësaj partie, Valon Ramadani, përpos veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ngarkohet edhe me veprën “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, e cila aktualisht është ende aktive.

Për përdorim të mjetit të rrezikshëm akuzohet ende edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kandidatët me dënime penale

Nga partia e parë, listës së emrave që janë dënuar, i prin lideri i partisë, Albin Kurti. 

Sipas IKD-së, Kurti është dënuar në vitin 2018 me një dënim unik prej 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht, për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Në listën e të dënuarve nga ky subjekt politik është edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është renditur e treta, me më së shumti vota nga ky subjekt politik, raporton Klankosova.tv  Për të njëjtat vepra penale si të kryetarit të saj të partisë, Haxhiu ishte dënuar me po të njëjtin dënim unik si të Kurtit.

Megjithatë, Kurti e Haxhiu nuk janë të vetmit kandidatë të dënuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në “valle” me ta hynë edhe Liza Gashi, e dënuar me 500 euro gjobë për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Veç kandidatëve të Vetëvemdosjes, edhe tre emra të tjerë të dënuar nga partitë e tjera, do të futen sërish në Kuvend.

Bazuar në rezultatet e deritanishme, në këtë listë hynë edhe Fikrim Damka nga KDTP, i akuzuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Sulmi & Kanosja”, raporton KlanKosova.tv.

Edhe ndaj Slavko Simiqit të Listës Serbe rëndon akuza për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Ndërsa e dënuar rezulton të jetë deputetja e re e Aleancës, Teuta Haxhiu për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ajo u dënua me 1 vit burgim me kusht në vitin 2022. /klankosova.tv

lajme të ngjashme