Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kushtetuesja i jep të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale – i hedh poshtë pretendimet e opozitës për veteranët

NULL NULL
26.06.2024 11:39
Kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Ligji për Pagën Minimale, i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjt për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale, transmeton Klankosova.tv.

“Gjykata, ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që neni 3 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Njëzëri, që neni 4 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që të konstatojë që neni 6 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-212 të Punës) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Në lidhje me veteranët e UÇK-së, Kushtetuesja tha se ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale nuk është ndryshuar përmes Ligjit për Pagën Minimale, por është ndryshuar në vitin 2017 përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve

“Ky ligj, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, që në vitin 2017 (i) ka eliminuar nenin 18 (Lartësia e shumës së pensioneve) të ligjit bazik, përkatësisht dispozitën që ka saktësuar se varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti, për vitin e ardhshëm, Qeveria me propozimin e Ministrisë së Financave, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të veteranit të UÇK-së, me kushtin që ky pension “nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”; ndërsa, (ii) i ka shtuar ligjit bazik nenin 16A (pa titull), i cili ndër tjerash, ka përcaktuar kategorizimin e veteranit të UÇK-së në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në UÇK, duke saktësuar lartësinë e pensionit mujor për secilën kategori dhe duke e kufizuar lartësinë e përgjithshme të pagesave për pensionet e veteranëve të UÇK-së në kufirin e 0.7% (zero pikë shtatë përqind) të Bruto Prodhimit Vendor në vit”.

“Aktgjykimi rikujton që ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Veteranët të vitit 2017, janë kontestuar para Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit, përmes Aktgjykimit në rastin KO01/17, ka trajtuar në mënyrë specifike çështjen e eliminimit të referencës, përkatësisht ndërlidhjes së lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me nivelin e pagës minimale në Republikën e Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin përkatës të vitit 2017, Gjykata ka vlerësuar që përderisa eliminimi i garancive që ndërlidhen me pagën minimale për kategoritë e veteranëve të UÇK-së, përbën “ndërhyrje” në të drejtat përkatëse pronësore, kjo “ndërhyrje” kishte një qëllim legjitim dhe ishte proporcionale me qëllimin e ndjekur, duke konstatuar rrjedhimisht që nuk është në kundërshtim me Kushtetutë”, thuhet në njoftim.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.