Kush është kryesuesi i vërtetë i KK të Prishtinës – Kupina apo Bajqniovci? (VIDEO) NULL NULL 22.07.2023 19:16 22.07.2023 19:16 Kuvendi Komunal i Prishtinës të premten mbajti seancë të jashtëzakonshme në të cilën u zgjodh kryesuesi i ri. Në këtë pozitë erdhi Pëllumb Bajqinovci nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili s’pati kundërkandidat. Këtë mbledhje e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që janë në opozitë. Kurse 26 asamblistët pjesëmarrës përfshirë vetëm dy të opozitës, një nga Aleanca Kosova e Re e tjetri nga Nisma Socialdemokrate, votuan që të gjithë pro e me votë të fshehtë, raporton “Ju Flet Prishtina”. E kryekuvendari i ri i Prishtinës, Bajqinovci u zotua se do të jetë unifikues. Kjo mbledhje pason atë të 27 qershorit në të cilën shumica LDK- PDK e shkarkoi nga pozita e kryesuesit, Fehmi Kupinën. E para se të ndodhte kjo, vetë Kupina e kishte mbyllur seancën me arsyetimin se nuk ka kushte për të vazhduar tutje, duke e lëshuar edhe sallën bashkë me opozitën. Pikërisht vendimin e shkarkimit të Kupinës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka konstatuar si të paligjshëm, përfshirë edhe të tjerat që ishin marrë pas mbylljes së seancës nga kryesuesi. Mirëpo kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, thotë se zyra ligjore e Komunës nuk i jep të drejtë MAPL-së. “Ju flet Prishtina” ka provuar të kontaktojë me Kupinën rreth kësaj çështjeje, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm e as nuk i është përgjigjur mesazheve telefonike. /Klankosova.tv