Kurti mungon – seanca për dialogun nuk vazhdon, shtyhet për një datë tjetër (VIDEO) NULL NULL 13.02.2023 17:39 13.02.2023 17:39 17:39 – Kurti mungon – seanca për dialogun nuk vazhdon, shtyhet për një datë tjetër Seanca në të cilën u debatua për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk vazhdon me kërkesë të opozitës. Kjo për shkak të mosprezencës së kryeministrit Albin Kurti, në kuvend, përcjell klankosova.tv. Deputetët e kuvendit shkuan në pauzë gjatë ditës, megjithatë, qe nënkryetarja Saranda Bogujevci, ajo e cila tha se për vazhdimin e kësaj seance, do të njoftoheni me kohë. ”Me kërkesë të opozitës, për shkak të mosprezencës së kryeministrit Albin Kurti, kjo seancë shtyhet. Për datën do t’ju njoftojmë me kohë”. ”Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë njëorëshe. Në seancën e cila nisi pas orës 12:00 u debatua për dialogun Kosovë-Serbi”. 16:04 – Gashi-Kurtit: Fjala ime të zbehu e të çorientoi, dobët kryeministër Shefi i grupit parlamentar, Arben Gashi, iu kundërpërgjigj kryeminsitrit Albin Kurti, i cili ia tërhoqi vërejtjen se po ia ndërpret fjalimin. Gashi i tha Kurtit se u zbeh e u çorientua pasi i tha “dobët kryeministër”. “Kryeministri është personi që më së shumti lëshon fjalë, atë që e thashë, që e tronditi edhe e humbi kontrollin është dobët kryeministër, u zbehe, u sarrakuqe, u çorientove vetëm për një fjalë: Dobët kryeministër”, u shpreh Gashi, njofton Klankosova.tv Gashi tha se Kurti i ndërron qëndrimet e veta, nuk shkon të raportojë në kuvend dhe nuk di ta përfaqësojë vendin. “Dobët se si i ndërron qëndrimet tua, dobët se nuk vjen të raportosh në kuvend, dobët se nuk di ta përfaqësosh këtë vend, dobët sepse e ke kallur këtë kuvend, vetëm fjala dobët të tronditi e ta humbi kontrollin”, shtoi ai. 15:52 – Abdixhiku: Kryeministri kur humb argumente fillon të prodhojë material për Tik-tok Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ironizuar me kryeministrin Albi Kurti. Ai tha se kur Kurti humb argumente, atëherë fillon të prodhojë material për rrjetin social Tik-tok. “Kryeministri kur humb argumente, fillon të prodhojë material për Tik-tok. Tha se nga Gjuriqi ka kaluar te Rakiqi, po ashtu ka kaluar nga Pantiqi e Ivanoviqi… Kryeministri ka probleme thelbësore kontradiktore se është në transformim të pozicionit të tij” u shpreh Abdixhiku në seancën e sotme të kuvendit, njofton Klankosova.tv Ai tha se kryeministri po bvie në kontradiktë me veten. “Tha është marrëveshje kontraktuale por jo e obligueshme. Kontradikta e dytë, merre ose le, është bazë e mirë, e treta do të ketë implementim të marrëveshjeve paraprake por jo Zajednicë”, shtoi ai. Abdixhiku madje tha se nuk ka ligj kur s’mund të mbash zgjedhje në veri. 15:38 – Kurti, Gashit: E pabesueshme sa e pafundme është papjekuria juaj Kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ishte duke folur për dialogun, ia tërhoqi vërejtjen deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke e quajtur të papjekur, pasi ai po e ndërpriste derisa kryeministri po e mbante fjalimin e tij. Kurti e quajti të papjekur Gashin, njofton Klankosova.tv “Për mua vazhdon të mbetet e pabesueshme sa e pafundme është papjekuria juaj”, u shprej Kurti. “Fjalimi im ka pauza ndërmjet sepse duhet të qetësohet njëri”, vazhdoi ai. 15:29 – Kurti: S’ka shkelje të asnjë fjale nga kryeministri i Kosovës në procesin e dialogut Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk e ka shkelur asnjë fjalë në procesin e dialogut. Kurti tha se ka pasur shumë gjëra që nuk janë respektuar nga ana e presidentit serb për dialogun, por jo nga ai. “Ka pasur dakordime që nuk janë respektuar pa fajin tim, megjithatë kam konsideruar që është gabim të them që s’do të ketë marrëveshje. s’mund të ankohen te unë miqtë ndërkombëtarë që s’e kam mbajtur fjalën, sepse unë e kam mbajtur, tjetërkush nuk e ka mbajtur. Mund të ketë mospajtim, por s’ka shkelje të asnjë fjale nga kryeministri i Kosovës në procesin e dialogut”, ka thënë Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, njofton Klankosova.tv Kurti tha se ka qenë i interesuar për një fazë të re dinamike në arritjen e një marrëveshje finale, por, sipas tij, s’ka faj që është vonuar. “Prita të kemi takim në shtator, prita në tetor, nuk patëm. Më 22 tetor ia kam dorëzuar Lajçakut komentet për draftin e parë, po kam dashur t’i them në takimet mujore që e kemi lënë të takohemi, por kur e pashë që s’po ndodh, atëherë ia dhashë Lajçakut komentet pasi s’kishte takim”, u shpreh Kurti. I pari i qeverisë tha se më 10 dhjetor presidenti i Serbisë e ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013. “Më 10 dhjetor unë kam qenë në qeveri, presidenti i Serbisë e ka shkelur marrëveshjen e vitit 2013. I dërgoi letra pesë anëtarëve mosnjohëse ku i tha mos e pranoni anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka shtuar ai. Ai madje tha se ky nuk ishte raportimi i parë për dialogun, pasi tha se një gjë të tillë e ka bërë edhe në qershor 2021. “Pajtohem që integrimi në NATO është jetik për sigurinë tonë.. vlera e saj sa vjen e rritet.. sa i përket katër shteteve jo njohëse të NATO-s ne e bëjmë të pamundurën, ajo çka ne bëjmë është që do të marrim në Defender Europe 2023 me 1365 ushtarë të FSK-së në këtë pranverë, në 2021 kemi marrë pjesë me 333 ushtarë. buxheti i ushtrisë së Kosovës është shtuar 20 për qind më shumë se vitin e kaluar”. “Nuk është e vërtetë që ky është raportimi im i parë për dialogun unë kam raportuar me një fjalim në qershor 2021 me 8 faqe, Bislimi e ka bërë më 25 shkurt. Andaj nuk është e drejtë të thuhet se është raportimi i parë në 2 vjet”, ka thënë ai. Ai tha se s’ka pse i propozon Serbisë asociacion në Kosovë. “Është gabim nëse në Bruksel prezantoj opsione për Asociacionin”, ka shtuar ai. 14:18 – Haradinaj: S’ka me ma nxon rrugën asnjë Kurt ose qeveri, kur bëhet fjalë për interesin e shtetit tim Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që nuk i del askush përpara interesit të shtetit. Gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, Haradinaj u shpreh pro planit franko-gjerman, si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë. “Nuk e përzij këtë plan me Kurtin, apo me ndonjë Kurt tjetër, s’ka me ma nxon rrugën asnjë Kurt, asnjë qeveri kur bëhet fjalë për interesin e shtetit dhe popullit tim”, ka thënë ai. “Kemi konfirmim direkt se menjëherë me këtë marrëveshje, kemi konfirmim nga SHBA-ja që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Për mua, plani franko-gjerman është i pranueshëm dhe përkrahet prej meje dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesore, ecjen drejt NATO-s”. “Derisa s’kemi hyrë në rresht në marrëdhënie kontraktuale me NATO-n, Kosova s’është e sigurt. Zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”, tha tutje Haradinaj. 13:43 – Hoxhaj: Kurti ia ka siguruar një fitore diplomatike Serbisë Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur në lidhje me qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti për dialogun. Hoxhaj tha se kryeministri u tregua i sinqertë në atë që tha në seancën e sotme në lidhje me procesin e dialogut, mirëpo, ky sinqeritet, sipas tij, e tmerroi. “Mendoj që kryeministri ishte shumë i sinqertë me ne në atë që e tha, por jam i tmerruar çka dëgjova nga sinqeriteti i tij se ku mund të jetë dialogu Kosovë-Serbi, kam pasur pritje tjera që dialogu duhet t’i sjellë Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, njofton Klankosova.tv Hoxhaj tha se Kurti është treguar amator në këtë “aventurë të rrezikshme”, duke i siguruar kështu fitore diplomatike Serbisë. “Zoti Kurti ka negocuar pa strategji, pa platformë dhe pa konsensus të brendshëm. Ka qenë amator në një aventurë të rrezikshme… Kurti ia ka siguruar një fitore diplomatike Serbisë para se të ulet në tavolinë”, ka shtuar Hoxhaj. 13:37 – Abdixhiku: Qeveria me sjellje arrogante nuk raporton rregullisht për dialogun Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ka thënë që qeveria nuk ka raportuar rregullisht për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Gjatë dy javëve të fundit, kryesisht përmes deklarimeve jashtë rendit të ditës, LDK-ja ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e raportimeve të rregullta të kryeministrit para shkuarjeve në Bruksel dhe pas raundeve dialoguese atje, është bërë jo vetëm praktikë e paprecedentë, por edhe refuzim i institucionit më të lartë të vendit, si pjesë e një sjellje të mbyllur, arrogante dhe kryesisht të papërgjegjshme të qeverisë”, ka thënë Abdixhiku në seancën e thirrur nga PDK-ja ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi. Abdixhiku tha që kryeministri Kurti sot për herë të parë sipas tij, po raporton për këtë çështje gjatë kësaj seance. “Ndonëse e normuar me rezolutë, sponzorizues i së cilës rezolutë gjendet në një tjetër karrige sot, raportimi i kryeministrit në Kuvend, na ndodh sot për herë të parë, besoni ose jo dhe të vetme në dy vite udhëheqje të tij. Kaq pak transparencë, e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesëve të popullit – pozitë e opozitë pa dallim nuk ka mundur të tregojë askush, asnjëherë”, tha ai. 13:33 – Kusari: Gabimet e mëhershme në dialog s’duhet t’ia faturojmë qeverisë aktuale Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se gabimet e mëhershme në dialogun Kosovë-Serbi, nuk duhen faturuar qeverisë aktuale. “Gabimet e mëhershme s’duhet t’ia faturojmë qeverisë së sotme”, ka thënë Kusari në seancën e sotme plenare. Sipas saj, ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë faza më e rrëzikshme e procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Me idenë që dy palët duhet të japin diçka, filloi edhe faza më e rëndë dhe e rrezikshme e procesit negociator në mes të Kosovës dhe Serbisë, ajo e shkëmbimit territorial, ajo kohë shkaktoi një tërmet politik në Kosovë dhe një reagim të duhur si nga spektri politik edhe nga shoqëria… Prej idesë për shkëmbim territorial e deri te mekanizmi antikushtetues, dëmi i asaj periudhe ende po e përcjell Kosovën, bindja që Kosova duhet të japë diçka mbeti e shënuar edhe në arsyetimet e sotme të bashkësisë kombëtare edhe te Serbia”, ka shtuar Kusari, njofton Klankosova.tv Kusari tha se qeveria e sotme po e ridizajnon në favor të Kosovës procesin e dialogut. 13:19 – Kurti: E pranuam propozimin franko-gjerman, pasi ndërkombëtarët na thanë që ishte “merre ose leje” Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që se e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, pasi në të kundërtën Kosova do të hynte në rrugën e konfrontimit me aleatët. Kurti gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë që e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, pasi emisarët ndërkombëtarë ia bënë të qartë se ky propozim është shumë afër formatit “merre ose leje”. “Më datë 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është pranë formatit “leje ose merre” dhe se nuk do të lejohet hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vini emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, tha Kurti. 13:00 – Kurti: Ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiqit se Kosova s’pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategike përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare. “Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri). E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tutje, Kurti tha se si rezultat i qasjes së tyre fillestare dhe kujdesit ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell për herë të parë në më shumë se 12 vjet dialog “pranoi ta bëjë hapin e madh atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takiminn e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore”. Kurti tha që gjatë atij takimi ia kishte bërë të qartë Borrellit dhe Vuçiqit se Kosova s’pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje. “Për herë të parë, u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nga jashtë, ndërkombëtarisht në formatin e dialogut në Bruksel. Takimi i datës 18 shkurtit, ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar Kosovë- Serbi të përqendruar në njohje reciproke. Në takimin e 18 gushtit ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiqit që Kosova s’do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë”. 12:57 – Krasniqi, Kurtit: Marrëveshja me Serbinë s’është çështje private në mes teje e Vuçiqit Ka nisur seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga PDK-ja, ku do të diskutohet në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri i vendit Albin Kurti të japë detaje në lidhje me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë. Krasniqi madje i dha edhe disa pika të cilat duhet t’i qartësojë kryeministri. “Sot jemi këtu të kërkojmë nga kryeministri të bëhet i përgjegjshëm e të na njoftojë me detaje rreth tri çështjeve themelore secila me pyetje specifike: Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale, apo veç krijimi i status quosë së re? A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen e marrëveshjes? A është një lloj traktati që i njeh si entitetet sovrane Kosovën dhe Serbinë? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa do të ndryshojë nga ai final? A e parasheh ky propozim njohjen në mes Kosovës e Serbisë? Kush janë garantuesit e marrëveshje? A ia keni kumtuar gjashtë kushtet e asociacionit?”, është shrpehur Krasniqi. Sipas Krasniqit marrëveshja finale nuk është çështje private në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por çështje shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Marrëveshja potenciale s’është çështje private në mes teje e Vuçiqit, por shtetërore, pra në mes të Kosovës e Serbisë”, ka thënë Krasniqi, njofton Klankosova.tv Ai tha se do të kishte qenë e udhës që qeveria ta kishte thirrur opozitën për një diskutim të hapur e transparent që ta njoftonte në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut, sepse, sipas tij, çdo qeveri e përgjegjshme, një temë të tillë do të duhej ta shtronte në një rrafsh shoqëror, shtetëror e kombëtar dhe më së paku partiak e polarizues. “Kjo seancë nuk ka karakter të përplasjes e akuzës, ka karakter të kërkesës për informim legjitim,. me atë se çka po ndodh në dialog dhe cili është pozicioni i qeverisë përballë zhvillimeve të fundit.. s’jemi këtu për të dhënë mendimet tona për çështje specifike sepse nuk e dimë çka përmban plani franko-gjerman”, ka shtuar ai. 12:30 – Zhvillimet në dialog, Kurti përballet me deputetët Ka nisur seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kujtojmë se të premten, më 17 shkurt, do të mbahet një seancë solemne për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Deda: Të gjitha bizneset ankohen se viti 2024 ka qenë viti më i rëndë që nga paslufta (VIDEO) 15/01/2025
Kosova Abdixhiku: Qeveria duhet të jetë partnere me bizneset, e jo t'i kërcënojë e kundërshtojë (VIDEO) 15/01/2025