Kurti i pranishëm në premierën e parë të Operës së Kosovës NULL NULL 23.02.2024 14:53 23.02.2024 14:53 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka qenë prezent në premierën e parë të Operës së Kosovës. Përmes një postimi, ai ka bërë të ditur se Opera tanimë u shfaq në para-provë për audiencat e reja me programin “Arti në shkolla”. Më poshtë postimi i tij i plotë: Opera e parë e Kosovës me premierë historike! Dritat, skena, kostumet, trupa teknike, trupa artistike, të gjitha janë gati për premierën historike të operës “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, në regji të Nikolin Gurakuqit, Mjeshtër i Madh i Republikës së Shqipërisë. “Goca e Kaçanikut” ka bashkuar kapacitetet artistike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës. Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, me solistët e shkëlqyer nga të trija vendet, orkestra dhe kori i Operës së Kosovës, sollën në jetë tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër. “Goca e Kaçanikut” ka 53 vjet që është shkruar dhe premiera e saj u vu në skenë më 1979 në Tiranë. Opera tanimë u shfaq në para-provë për audiencat e reja me programin “Arti në shkolla”, e mbrëmë para premierës me mua ishin të rinjtë me energji të pandalshme nga shtatë shkollat e mesme të muzikës së Kosovës, shkolla “Don Bosko”, Fakulteti i Arteve (UP), Fakulteti i Arteve (UHZ), UBT dhe AAB dhe Universiteti i Tetovës. U ftoj të gjithëve që ta ndiqni. I uroj shumë sukses të gjithë ekipit.