Kur Shekspiri u akuzua për “vjedhjen” e një teatri NULL NULL 10.12.2015 09:39 10.12.2015 09:39 Gjenialiteti, madje edhe identiteti i William Shekspirit janë vënë shpesh në diskutim, me pretendime se një pjesë të mirë të veprave më të njohura në fakt nuk i ka shkruar vetë. Por tani po pretendohet që dramaturgu ka qenë i akuzuar për “vjedhjen” e një teatri të tërë. Në arkivat britanike është gjetur një dokument ligjor, që pritet të publikohet në një ekspozitë në Londër. Në këtë dokument shkruhet se në vitin 1601 shkrimtari ishte i përfshirë në operacionet që çuan në shkrirjen e “Theatre”, tempullit ku u vunë në skenë shumë vepra të tij. Sipas dokumentit të depozituar në gjykatë, ishin vetë aktorët e kompanisë teatrale, mes të cilëve edhe shkrimtari, që hoqën skenën, pas një debati me pronarin. Struktura më pas u bë pjesë integrale e “Globe”, në Londër, pranë lumit Tamiz, teatri ku shoqëria shekspiriane konsolidoi famën e saj. Ndërsa në vitin 1999 u rindërtua një kopje e saj. Akuza ndaj Shekspirit ishte ajo e organizimit të veprimit të ndërmarrë nga grupi i tij teatral, në mënyrë të dhunshme, duke ngjallur edhe zemërimin e pronarit të ambientit. Por Shekspiri u lirua nga akuzat dhe në këtë mënyrë aktorët vijuan aktivitetin pa asnjë problem, duke përfituar edhe nga mbrojtja e familjes mbretërore. Në ekspozitë pritet të ketë edhe dokumente të tjera interesante rreth jetës së shkrimtarit. Prej njërës prej tyre kuptohet se shkrimtari fitonte aq pak saqë nuk mund të paguante dot as taksat. Ekspozita do të hapet më 3 shkurt, falë një nisme të “National Archives”, që ka ruajtur dokumentet origjinale të shek. XVII, si dhe nga “King’s College”, për të kujtuar 400-vjetorin e vdekjes së Shekspirit./botimeshqip/