Krejt çka dihet për vrasjen në Bibaj të Ferizajt NULL NULL 17.08.2024 12:10 17.08.2024 12:10 Vrasja në një dasmë në Ferizaj. Pamje nga vendi i ngjarjes Një 89-vjeçar mbrëmjen e së premtes shkoi për gëzim në Bibaj të Ferizajt, pa e ditur që ishin momentet e fundit të jetës së tij. Sipas raportimeve nga gazetarë të Klan Kosova në terren, u bë e ditur se viktima ishte gjyshi i dhëndrit, i cili po martohej natën që u solli zi. I moshuari u vra pranë restorantit të dasmave në Bibaj, nga i dyshuari zyrtar policor, por që nuk ishte në krye të detyrës, shkruan Klankosova.tv. Rastin e kanë konfirmuar organet e rendit. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është vetëdorëzuar, dhe dyshohet se vrasjen e kreu me armën zyrtare. “Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri. I dyshuari lidhur me rastin është një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. I dyshuari lidhur me rastin është vetëdorëzuar në stacionin policor”, thuhet në njoftimin e policisë. Lidhur me ngjarjen tronditëse, është arrestuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet për veprën “ndihmë në kryerjen e veprës penale”. Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Qazim Reka. Ndërkaq, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, njoftoi se i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë. Motivet që çuan deri te ky krim i rëndë, ende janë të paqarta. /Klankosova.tv