FIFA në krizë për para, nxjerr në shitje barin e finales së Botërorit 2026 NULL NULL 11.07.2026 15:23 11.07.2026 15:23 FIFA ka gjetur një mënyrë të re për të përfituar financiarisht nga Kupa e Botës 2026, duke nxjerrë në shitje copa të barit që do të përdoret në finalen e turneut. Finalja e Botërorit do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në New Jersey, ndërsa tifozët dhe koleksionistët do të kenë mundësinë të blejnë një pjesë autentike të fushës ku do të luhet ndeshja vendimtare. Sipas The New York Times çmimi për një copë të vogël bari është 450 dollarë. FIFA e përshkruan produktin si një “pjesë autentike të historisë së futbollit”, e cila do të dorëzohet në një mbështjellës akrilik së bashku me një USB që shërben si certifikatë autenticiteti, transmeton Klankosova.tv. Sipas organizatës, koleksioni është krijuar për tifozët që dëshirojnë të ruajnë një kujtim unik nga një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë. Produktet do të dërgohen vetëm në adresat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, ndërsa shpërndarja do të nisë vetëm pas përfundimit të finales së Kupës së Botës. Ky vendim vjen në një kohë kur FIFA po përballet me kritika për çmimet e larta të Botërorit 2026. Sipas raportimeve, biletat standarde për finalen arrijnë deri në 32.970 dollarë, ndërsa paketat VIP, që përfshijnë ushqim dhe pije, kushtojnë deri në 34.500 dollarë. Në të njëjtën kohë, stadiumi “MetLife” ka qenë në qendër të kritikave edhe për cilësinë e fushës. Impianti përdor zakonisht sipërfaqe artificiale për ndeshjet e NFL-së, ku luajnë New York Giants dhe New York Jets, ndërsa futbollistë dhe trajnerë kanë shprehur shqetësime për përshtatjen e saj për zhvillimin e finales së Kupës së Botës.