KPK miraton kandidaturat e pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit NULL NULL 19.06.2026 14:44 19.06.2026 14:44 Me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit. Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë: Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Sekretariati i KPK-së, detyrohet që brenda afatit të publikojë Konceptdokumentet e secilit kandidat, raporton BetimipërDrejtësi, transmeton Klankosov.a. Mbledhja e 295 e Këshillit po vazhdon me Raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për 2025. Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” një ditë pas mbylljes së konkursit më 11 qershor 2026 kishte raportuar për pesë emrat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026. Kujtojmë se në atë mbledhje, anëtari Milot Krasniqi e kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit. Ai kishte kritika për atë që e quante “nxitim të shpalljes së konkursit” pa qenë të pranishëm i gjithë Këshilli në takim, duke thënë se Këshilli nuk duhet të bie në diktatin e pushteteve tjera, derisa theksoi se kandidati Blerim Isufaj ishte refuzuar nga atëkohë presidentja Vjosa Osmani, pa një vendim të arsyetuar. “Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth 4 vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folë dhe flasin tjerët- ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces”, kishte thënë ndër të tjera Krasniqi. Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit.