Kosova s’mund ta shesë “diamantin e zi” (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 29.08.2022 20:20 nga Haris Ademi 29.08.2022 20:20 Zë vendin e pestë në botë me rreth 10 miliardë tonë rezerva të thëngjillit. Këtë pasuri, Kosova do të mund ta shfrytëzonte ekonomikisht, në kohën e krizës energjetike. Sipas Arben Kllokoqit, nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, kërkesa për këtë burim energjie është rritur në dy vjetët e fundit, prandaj Kosova do të përfitonte nga tregtia në rajon. Sipas tij, eksporti i linjitit në distanca të vogla do të ishte i volitshëm për Kosovën, pasi edhe çmimet në këtë kohë janë rritur. Korporata Energjetike e Kosovës aktualisht nuk ka kontratë të tillë me ndonjë prej shteteve, por ka hapur tender për shitje të qymyrit. Maqedonia e Veriut është një prej myshterinjve potencialë. “Presim që ata drejtpërdrejt apo përmes ndonjë kompanie tjetër të vijnë të blejnë qymyr te ne dhe kjo do të kishte përfitime për KEK-un”, ka thënë kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në një intervistë për Klan Kosova. Nevojë ka edhe Serbia, që tashmë i ka goditur 1 milion tonë qymyr nga Kina. Ministria e Ekonomisë nuk është përgjigjur nëse ka në plan një tregti të tillë, veçse vitin e kaluar ka dështuar shkëmbimi energjetik me Maqedoninë e Veriut, në mungesë të kushteve teknike e logjistike. Por, Kllokoqi propozon një tjetër formë të tregtimit. Sipas tij, kontratat potenciale duhet ta indeksojnë çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, sindikalisti Nexhat Llumnica vlerëson se KEK-u nuk ka fuqi punëtore për një veprimtari të tillë. Një ton thëngjill i kualitetit të lartë në tregun me shumicë aktualisht ka vlerë nga 350 deri 400 euro.