Komunizmi, një tregim i çuditshëm NULL NULL nga Lum Gashi 20.12.2022 00:15 nga Lum Gashi 20.12.2022 00:15 Ka diçka që e bën komunizmin një temë të fortë tavoline për të dyja taboret – për admiruesit e zjarrtë dhe për kundërshtuesit e rreptë. Ankthi i dikujt se mund të rikthehet është dëshira më e flaktë e dikujt tjetër. Shkencëtari politikës, George W. Breslauer, më 2021 botoi librin Komunizmi botëror Ngritja dhe fundi, ku tenton t’u rrijë larg emocioneve dhe qëndrimeve, dhe t’u afrohet fakteve më të pastra që tregojnë se si erdhi e si, deri diku, shkoi komunizmi nga kjo botë gjatë shekullit njëzet. Në këtë libër Breslauer mundohet t’i përqaset komunizmit me një gjykim të ftohtë, duke u ndalur nëpër stacionet kronologjike që e tregojnë ngritjen graduale të komunizmit në botë dhe pjerrjen e pashmangshme të tij. Profesori i Universitetit Kalifornia Berkli pohon që ky libër vetëm mundohet ta “kuptojë se si u bënë shtetet komuniste, se si u pëlqeu komunizmi më shumë se një miliard njerëzve në mbarë botën, se si këto shtete evoluan përgjatë kohës, dhe se pse ato ose kolapsuan ose e transformuan veten e tyre”. Ndonëse ai ndalet edhe te arritjet dhe dështimet e komunizmit, mirëpo fakti që vetëm pesë shtetet sot vijojnë të thirren komuniste, e bën të pamohueshëm që argumenti i dështimit të komunizmit është më i kabashëm krahasuar me atë të të mirave që ky sistem i ka sjellë. George W. Breslauer Sa e vështirë është për një studiues që nuk ka jetuar nën regjimin komunist të shkruajë për të? Cilat janë (dis)avantazhet tuaja në gjykim? Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe interesante. Mendoj që nëse dikush shkruan për anën përvojore të gjërave se si është ta përjetosh komunizmin në vendngjarje atëherë personi që ka jetuar aty definitivisht i gëzon avantazhet kur vjen puna te makrokonceputalizimi i natyrës së sistemeve dhe faktorëve shkakësorë që e shtyjnë evolucionin e tyre. Mendoj që pastaj mund të jetë në të vërtetë një avantazh nëse nuk ke jetuar aty sepse je më pak i prirë që të jesh polemik dhe më shumë i prirë që të tentosh të vish me një imazh të balancuar. Mendoj që regjistri i studimeve në Shtetet e Bashkuara, në Britani, Gjermani, Francë, Itali e madje edhe në Japoni tregon që ka pasur studime të jashtëzakonshme që janë prodhuar nga studiuesit emigrantë dhe studiuesit të cilët nuk kanë jetuar kurrë nën sistemet komuniste. Mendoj që kjo sugjeron që nuk është dashur domosdo të kesh jetuar nën një sistem komunist për ta kuptuar se si ka qenë. Keni hulumtuar më thellë për komunizmin e Shqipërisë? Çfarë ka unike rreth tij? Unë vetë nuk kam bërë hulumtime me burime parësore në Shqipërinë komuniste. Nuk do t’i kisha shkathtësitë gjuhësore për ta bërë këtë. Ka një numër librash dhe shumë artikuj në gjuhën angleze që janë publikuar për Shqipërinë komuniste nga njerëz me aso shkathtësish gjuhësore. Në librin tim ajo që po provoj ta bëj është që ta konceptualizoj natyrën e këtyre regjimeve bazuar në mbi 50 vjet lexime të literaturës dytësore mbi këto regjime. Pra, kjo është një përpjekje drejt një sinteze në mënyrë që të arrihet te një ide më e madhe. Sa u përket tipareve dalluese apo unike të Shqipërisë komuniste, sigurisht brenda kontekstit të Leninizmit Evropian, ai ishte një lloj unik i regjimit. Ishte një despotizëm burokratik në atë aspekt – sikurse stalinizmi. Mirëpo, edhe në epokën post-staliniste [Shqipëria] e kishte mbajtur despotizmin burokratik dhe si rezultat qe dukur shumë ndryshe nga regjimet tjera të Evropës Lindore. A mendoni që shtetet post-komuniste vazhdojnë që të vuajnë edhe sot nga trashëgimia e tyre komuniste? Nëse po, në çfarë forma i mundon kjo ata? Ka një literaturë të madhe dhe në rritje mbi trashëgiminë komuniste dhe impaktin që e kishte pasur në politikë, ekonomi dhe jetë sociale në sistemet post-komuniste. Mendoj që është e rëndësishme që ta kujtoni që trashëgimitë janë universale. Shtetet që sot janë shtete demokratike kanë dalë nga të kaluara autoritare dhe Evropa Perëndimore në shekujt shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë kishte qenë autoritare, me monarki absolute e kësisoj. Ato u zhvilluan përgjatë shekujve në regjime demokratike, dhe këto trashëgimi duhet luftuar në mënyrë që t’i konsolidojnë ose stabilizojnë regjimet demokratike. Nuk ka arsye për të besuar që kjo do të ishte e vërtetë në mesin e regjimeve post-komuniste. Mendoj që në post-komunizëm, pengesa sociale dhe ekonomike, apo mund të thoni që trashëgimia që e stopon konsolidimin e shoqërive dhe ekonomive demokratike dhe individualistike është goxha e fortë sepse një gjë të cilën e lë komunizmi si trashëgimi e si nostalgji për të kaluarën është një kombinim i rendit, stabilitetit dhe mirëqenies. Ju mund të thoni mirëqenie në sensin e sigurisë bazike materiale kundër asaj që nën kapitalizëm do të ishin cikle biznesi. Këto regjime, kur njerëzit i kujtojnë me nostalgji, nuk kishin rritje të mëdha çmimesh. Kishin vende pune. Ishte një shtet fare minimal social, mirëpo ishte një shtet social sido që të ishte. Mendoj që ajo ishte diçka që në nivelin shoqëror është trashëgimi e komunizmit që kur e bëni kalimin në kapitalizëm është një pengim i pasigurive të cikleve ekonomike kapitaliste. Enver Hoxha, diktatori komunist shqiptar Çfarë thotë paranoja e komunistëve krahasuar me paranojën që i ka karakterizuar sunduesit e sistemeve të tjera? Paranoja mund të jetë e vështirë për t’u matur. A ishte Leonid Brezhnevi paranojak? Nuk e di. Do të thosha që nëse ju e merrni si të dhënë që regjimet komuniste udhëhiqen nga njerëz që shfaqin një sasi të caktuar të paranojës, atëherë mund ta pyesni veten: pse? Dhe Pseja këtu mund të jetë, ose përgjigja këtu mund të jetë që për shkak që ata e përqafojnë një ideologji antiimperialiste në politikat e huaja, ata janë në mënyrë konstante duke e pritur luftën kundër regjimeve kapitaliste imperialiste siç ata i quanin. Kjo nga ana tjetër do të çonte në një reagim ndërkombëtar nga ato regjime kapitaliste, imperialiste të cilat do të intensifikonin çfarëdo pritshmërish apokaliptike që mund ta ushqejnë paranojën. Mirëpo, mendoj që shumica e diktaturave absolute janë të prira që ta bartin një sasi të caktuar të paranojës. Sadam Huseini për shembull ishte paranojak ndoshta i vetë-bërë. Kur jeni diktator ju gjithmonë hamendësoni se kur do t’ju shfaqen sfidat ndaj diktaturës suaj. Pra, pritshmëritë e një lufte janë edhe vendore por edhe të huaja, dhe mendoj që kjo e arsyeton varësinë e madhe të regjimeve komuniste në policinë sekrete. Duket që komunizmi dhe kapitalizmi – ndonëse në mënyra të ndryshme – janë burim i përhershëm shqetësimi për shoqërinë. A ka ndonjë propozim-sistem që ju bie ndërmend e që do të ishte sistemi më i mirë i mundshëm që mund ta ruajë planetin dhe njëkohësisht ta kënaqë specien më inteligjente të tij? Po, kjo është disi edhe pyetja madhore e kohëve tona. Edhe kapitalizmi i parregulluar edhe komunizmi despotik janë tregime paralajmëruese. Unë personalisht nuk besoj që komunizmi në formën e vet ideale është i realizueshëm në komunizëm të nivelit shtetëror kombëtar të definuar tash ashtu si Marksi e sheh shoqërinë pa klasa. Më e mira për të cilën mund të shpresojmë është demokracia sociale – demokracia sociale siç praktikohet në Evropën Perëndimore. Ky nuk është socializëm nëse me socializëm nënkuptojmë heqjen e pronës private. Këto regjime demokratike të Evropës Veriore nuk janë socialiste, janë kapitaliste. Prona private është e shenjtë dhe ju jeni i lejuar që të pasuroheni përmes kontrollit të pronës private. Mirëpo, ata pastaj e përdorin fuqinë e shtetit për rregullim dhe vënie taksash në mënyrë që të sigurohet që shkalla e pabarazisë klasore të mos bëhet shumë e rëndë, që mjedisi të mos bëhet shumë i prishur si rezultat i kapitalizmit. Unë personalisht besoj që kjo është më e mira për të cilën mund të shpresojmë. Personalisht besoj që Shtetet e Bashkuara janë shumë të parregulluara në kapitalizmin e tyre, dhe dëshiroj që Shtetet e Bashkuara të lëvizin më shumë drejt një modeli të demokracisë sociale të Evropës Veriore. A është aplikuar komunizmi në ndonjë sistem në pajtim të plotë me manifestin e vet apo gjithmonë janë aplikuar vetëm versionet e degjeneruara të tij? Manifesti komunist dhe shkrimet e Marksit se si mund të duket komunizmi ishin shumë të pahollësishme. Thërrisnin për shoqëri pa klasa dhe kjo nuk është realizuar kurrë. Disa njerëz do të argumentonin, dhe mendoj që do të argumentoja edhe unë gjithashtu, që në nivelin e shteteve kombëtare mundet me shumë gjasë të mos ketë kurrë një shoqëri pa klasa sepse pabarazia do të ishte universale. Marksizmi mendoj që do të jetë gjithmonë politikisht i rëndësishëm sepse është një thirrje kundër pabarazisë dhe eksploatimit klasor. Pasi që këto ekzistojnë kudo, atëherë do të ketë gjithmonë njerëz dhe grupe receptive ndaj mesazhit marksist që kjo është e padrejtë. Marksi pastaj bëri thirrje për revolucion dhe përmbysje të dhunshëm të klasës sunduese. E kjo bëhet e rrezikshme, një slippery slope (tatëpjetë e rrëshqitshme), sepse po e justifikuat njëherë dhunën revolucionare kundër klasës sunduese, atëherë bëhet e vështirë për ta shmangur dhunën pasi që kjo pastaj përbrendësohet në regjim si dhe në pabarazinë politike në zëvendësimin e pabarazisë klasore. Ngritja dhe rënia e komunizmit botëror, George W. Breslauer Flisni në libër për dallimet midis sistemeve komuniste. Ku qëndron rëndësia e këtyre diferencave? Kjo është interesante. Kjo është një pyetje sfiduese sepse tipari i përbashkët i sistemeve komuniste është leninizmi. Leninizmi i përkufizuar si e drejta e një partie të vetme për ta monopolizuar politikën. Kjo është e përbashkët e të gjitha sistemeve komuniste, përfshirë edhe atyre pesë shteteve që mbeten komuniste sot në botë – Kina, Vietnami, Laosi, Koreja e Veriut dhe Kuba. Mirëpo, ajo që është dalluese për ta është që kanë ardhur në fuqi në mënyra shumë të ndryshme. Disa ishin imponuar e disa ishin indigjene. Midis tyre që ishin indigjene ishin [ato te ] sovjetikët, modeli bolshevik i kryengritjes proletare të udhëhequr nga Partia Komuniste në zonat urbane. Ndërkaq, ajo e Maos ishte rast i mobilizimit të fshatrave në luftë civile e që ishte po ashtu modeli i Vietnamit Verior. Prandaj, ka rrugë të ndryshme përmes së cilave regjimet komuniste mund të vijnë në fuqi dhe kjo duket që e ndikon po ashtu qasjen e tyre ndaj politikave sociale dhe ekonomike. Një që përqendrohet më shumë në shkatërrimin e autonomisë së fshatarësisë dhe një tjetër që ishte modeli sovjetik, dhe tjetri modeli kinez, që nuk shkonte në atë rrugë, edhe pse ata po që e kishin kolektivizuar agrikulturën. Një tjetër dallim fascinues, ndoshta më fascinuesi midis regjimeve komuniste është ai që regjimet komuniste aziatike si Kina, Laosi, Vietnami, Koreja e Veriut u kanë mbijetuar rënieve të komunizmit evropian. E kjo për mua është një pyetje fascinuese nga një pikëpamje studiuese. Pse ata mbijetuan e këta jo? Kjo është një çështje për hulumtim krahasimtar komunist. Në rastet ku përflitet për një rikthimit të mundshëm të komunizmit në përmasat e dikurshme, çfarë mendoni se kanë në mendje shumica – konceptet themelore marksiste apo performancat shkatërrimtare të shumicës së sistemeve komuniste në shekulli e njëzet? Është e vështirë që të imagjinosh se komunizmi do të rindërtohet në modalitetin stalinist, dhe me këtë nënkuptoj që nuk është vetëm nocioni leninist i një partie të vetme që e monopolizon politikën dhe dominon shoqërinë, por po ashtu i qasjes despotike ndaj vrasjeve masive të miliona njerëzve që reflektohen edhe në stalinizëm, edhe në maoizëm. Mendoj që kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u legjitimuar. Mendoj që konceptet thelbësore të marksizmit do të reflektohen në të ardhmen. Nëse do të ketë një rikthim të regjimeve individuale komuniste, do të ketë sa i përket theksimit të pabarazisë klasore si diçka e patolerueshme në ekstremet e saja aktuale, e të cilat mund t’i gjeni më Amerikën Latine, për shembull, dhe nevoja për përmbysje revolucionare. E këtu vjen në shprehje leninizmi, pra jo vetëm si marksizëm nga një parti e organizuar që tenton ta monopolizojë politikën, një parti e revolucionarëve profesionalë. Ju e shihni këtë kur e përcillni Amerikën Latine në diskutimet midis socialistëve se çfarë të bëjnë për ekstremet e pabarazisë në kontinent, nëse ata duhet të shkojnë përmes rrugës socialiste siç shkoi Venezuela e që duket ta ketë diskredituar veten, apo rrugës komuniste, rrugës leniniste të një partie komuniste që e monopolizon lidershipin e një revolucioni shoqëror. Dyshoj sinqerisht që komunizmi do të popullarizohet në bazë globale aq sa të ketë një lëvizje të rindërtuar komuniste botërore, mirëpo ju mund të gjeni shtete individuale që adaptojnë ndonjë lloj forme të organizimit leninist në mënyrë që t’i përmbysin ekstremet e pabarazisë sociale dhe ekonomike. Ju në fillim të librit thoni se ky shkrim nuk është dënim që ia bëni komunizmit, mirëpo në fund njërin prej përfundimeve e keni që përvoja komuniste ka qenë një tragjedi. Sa zor është të argumentohet që nuk po e dënoni komunizmin kur ky përfundim e quan tragjedi vënien e tij në praktikë? Në fakt unë në kapitullin tim mbi vlerësimin e komunizmit i paraqes dy argumente. Njëri argument është tragjedia e tjetri argument është arritja. Mendoj që ka argumente që mund të paraqiten për të dyja anët. Tragjedia natyrisht përqendrohet në humbjen e jetës njerëzore dhe shkatërrimin e jetëve dhe karrierave të njerëzve nga komunizmi; me fjalë të tjera, çmimi që regjimet komuniste ishin të gatshëm ta paguajnë për ta arritur atë që donin. Mirëpo, në anën tjetër, në atë kapitull, në seksionet për arritjet e komunizmit flas për krijimin e themeleve të një ekonomie industriale, të një shoqërie industriale me lëvizje së larti, zhdukje të analfabetizmit e me radhë, si dhe krijimin e një sektori të mbrojtjes që jua mundëson të jeni më të sigurt në një botë të pasigurt. Pra, ajo që e bëj këtu është që nuk e vendos se cila është e saktë – tragjedia apo arritja. Ia dal ta kuptoj që ka pasur arritje, dhe që tragjedia qëndron te ajo që çmimi që ishte paguar për ta arritur komunizmin ishte shumë i rëndë. Pastaj argumentoj që është shumë e vështirë në një botë në të cilën çmohen vlerat njerëzore, të argumentosh që ia vlente të paguhej ai çmim në mënyrë që të arrihej ajo që u arrit. Mendoj që ky është një vlerësim i balancuar dhe është në përputhje me atë që e kam thënë në fillim të librit – që nuk është as dënim e as lëvdatë ndaj regjimeve komuniste. Në vitet e ‘40-ta & ‘50-ta ishte një druajtje kolektive e shtetërore në Amerikë ndaj komunizmit. Ishte si një ankth dhe refuzim që shkonte përtej koncepteve socio-ekonomike. Ishte edhe si refuzim kulturor e identitar që i bëhej nga shumica. Pse? Po, po. Më bien ndërmend dy libra tash për dimensionin kulturor. Louis Hartz e kishte shkruar një libër më 1950-tën, Tradita liberale në Amerikë, dhe në thelb ai argumentoi që Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kishin pasur parti të fuqishme socialiste ose komuniste për dallim nga Evropa Perëndimore sepse Shtetet e Bashkuara – së paku përjashto ekonominë jugore të plantacioneve – nuk kishin pasur kurrë aristokraci, dhe kjo e kishte dhënë efektin e vet. Sidoqoftë, një tjetër libër nga Richard Hofstadteri i quajtur Stili paranojak në politikat amerikane përqendrohej në atë se si antikomunizmi ekstrem reflektohej historikisht në stilin paranojak në politikat amerikane. Nëse i bëni këto dyja bashkë, Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë pasur parti socialiste apo komuniste të ndonjë madhësie të madhe për dallim nga Franca dhe Italia në veçanti. Kur e kombinoni këtë me stilin paranojak, ju del një histeri periodike qoftë nëse ishte mekartizmi i 1950-tave të hershme, ose nëse ishte histeria antikomuniste. Tani, histeria antikomuniste në politikën e huaj ishte sigurisht e përforcuar nga fakti që regjimet komuniste edhe në Kinë, edhe në Bashkimin Sovjetik e përkufizuan kapitalizmin dhe imperializmin si armikun kryesor. Pra, edhe paranojakët kanë armiq, dhe paranoja amerikane ishte përforcuar nga kjo gjë. Pastaj, ju e gjeni tragjedinë e amerikanizimit të Luftës në Vietnam, të justifikuar me atë se komunizmi do ta pushtojë botën nëse nuk e ndalojmë atje, e që në retrospektivë ishte një nocion absurd, mirëpo ishte një tjetër manifestim i këtij stili paranojak. Kjo nuk ishte pranuar edhe aq nga regjimet kapitaliste të Evropës Perëndimore.