Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zgjedhje ose Zgjedhje

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
nga Ardian Gjini 05.10.2015 22:43

Gjendja e krijuar muajt e fundit në Kosovë imponon gjetjen e një zgjidhjeje. Por, çdo zgjidhje e mundshme duhet të ketë parasysh dëmet që i janë shkaktuar procesit politik dhe marrëveshjes politike në Kosovë – jo vetëm gjatë 17 muajve të shkuar, por që nga dhjetori i vitit 2010.

Kushtetuta është marrëveshje. Marrëveshje në mes forcave politike dhe sociale për atë se çka është shteti ynë, cilat janë rregullat, simbolet dhe institucionet. Si zgjedhen ato, kujt ia delegon mandatin populli, kush janë arbitrat që i zgjidhin mospajtimet, etj. Në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një marrëveshje e tillë, publike. Jemi betuar para gjithë popullit që t’i përmbahemi asaj marrëveshjeje, Kushtetutës. Ne shqiptarët e kemi një fjalë shumë burimore për marrëveshjen, e quajmë “besë”, prandaj edhe themi se “betohemi”. Ne mburremi vazhdimisht se jemi popull që e kemi “shpikur” këtë fjalë, e madje edhe këtë koncept, dhe se e mbajmë atë me “besnikëri”; një pretendim shumë i diskutueshëm ky, nëse e shohim me pak më shumë kujdes historinë tonë, sidomos atë shtetformuese, ku ka pasur humbës e fitues, ku ka pasur edhe të holla për të zhvatur. Marrëveshja është shkelur – jo një herë, por disa herë.

Fillimisht, marrëveshja është shkelur brutalisht në zgjedhjet e vitit 2010. Të gjithë jemi dakorduar dhe jemi deklaruar publikisht në Kuvend, se demokracia është e vetmja “lojë në qytet”. Se institucionet do të dalin nga vota e lirë e popullit.

Por, vjedhja e votave ka dëshmuar se ka forca të cilave nuk mund t’iu zihet besë se do ta respektojnë marrëveshjen. Ajo shkelje ka pasur pasoja serioze në sjelljen e të gjithëve dhe në standardin i cili kërkohet nga ne. Kur në një tryezë të përbashkët ku ka rregulla njëri nga të pranishmit fillon të vjedhë dhe nuk sanksionohet në asnjë mënyrë, të tjerët kanë pak zgjidhje: “ose kërcet dajaku, ose të gjithë fillojnë të vjedhin, ose heshtin dhe shpresojnë se hajni ngopet dikur”. Edhe në zgjedhjet paraprake ka pasur abuzim dhe manipulim me votën e lirë, por ato të vitit 2010 e kanë shkatërruar plotësisht besimin e njerëzve dhe të forcave politike në votën e lirë.

Momenti i dytë shumë i dhimbshëm në procesin demokratik, i cili po ashtu e ka dëmtuar shumë rëndë marrëveshjen politike dhe kushtetuese në Kosovë, kanë qenë zgjedhjet e vitit 2014. Kryeministri i atëhershëm filloi ta zbrazte arkën e shtetit pas shpalljes së zgjedhjeve. Filloi rritja e pagave dhe subvencionimi pa asnjë kriter. Këto veprime ishin abuzim i hapur me pushtetin dhe mesazhi ishte tepër i drejtpërdrejtë: ose i vjedh, ose i blej, por votat do t’i marr gjithsesi.

Momenti i tretë ishte ai i bllokimit të punës së Kuvendit nga ana e PDK, përmes deputetes aksidentalisht më të vjetër, Flora Brovina. Ai moment na tregoi se jo gjithmonë shumica mund t’i krijojë institucionet. Një pakicë prej tridhjetë e ca deputetësh e pat bllokuar punën e Kuvendit dhe nuk lejonte të vazhdonin punimet. Duhet konstatuar se numri i deputetëve që po e bllokojnë tani punën e Kuvendit është pakicë e njëjtë me atë që e pat bllokuar para një viti e ca.

Momenti i katërt ishte më i rëndi në vazhdën e shkeljeve të marrëveshjes sonë. Vendimi skandaloz i Gjykatës Kushtetuese. Jo vetëm që njëra parti politike e kishte shkelur marrëveshjen publike, betimin publik, por edhe arbitri i besuar nga të gjithë për të ndarë drejtësi e shkeli dhunshëm atë që të gjithë e quanim “besë”. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e shkatërroi edhe besimin në sistemin e drejtësisë së ndërtuar. Akterët e ndryshëm e shkatërruan besimin në njëri tjetrin, Gjykata në sistemin e vendosur dhe, në fund, erdhi Isa.

Isa Mustafa e shkeli marrëveshjen në mes atyre që dëshironin që së paku nominalisht ta rikthenin në vend një pjesë të mirë të marrëveshjes.

Assesi nuk duhet harruar edhe momentet tjera tragjikomike të “ruajtjes” së marrëveshjes sonë, si për shembull zgjedhjet dhe zgjidhjet “presidenciale”.

Në Kosovë Kushtetuta është shndërruar në mjet pune e abuzuesve të cilitdo lloj. Të parët e shkelin me të dyja këmbët, të dytët me një këmbë, e të tretët e injorojnë fare thuajse nuk ekziston. Thyejnë kopalla të gjithë ata që mendojnë se nuk jemi në krizë të thellë. As kriza ekonomike, as ajo sociale, madje as ajo e sigurisë, nuk janë më të tmerrshme se sa kriza që e sjell humbja totale e besimit, e të gjithëve. Ky truizëm po shfaqet zhurmshëm në kokat e shumëkujt këto ditë dhe po nxit pyetje në dukje bizare: si ka mundësi që në vitin 1990,… 1997, 1998, e madje edhe 1999, kemi pasur më shumë shpresa se sa tani? Si është e mundur që atëherë kemi besuar se e ardhmja do të jetë e mirë, e tani jo? Përgjigjja, besoj unë, është e thjeshtë. Atëherë i kemi besuar njëri tjetrit. Madje edhe pa Kushtetutë efektive të shkruar.

Pas gjithë këtij sakatimi të besimit të gjithkujt ndaj gjithkujt, e edhe ndaj sistemit, është naivitet i llojit të vet të pritet stabilitet në këtë vend. Fillimisht, duhet kthyer besimi.

Dalja e vetme e mençur nga kjo gjendje do të ishte një pakt politik për zgjedhje të shpejta, por jo vetëm data e zgjedhjeve. Vendit i duhet një pakt politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përpos tjerash. Zgjedhjet do të mund të konsideroheshin edhe referendum për vendimet dhe politikat kontraverse të tanishme. Nëse fitojnë të njëjtit, të tjerët duhet t’i “palojnë veshët”. Nëse fitojnë tjerët, këta të parët duhet të palohen.

Varianti i dytë është injorimi i gjendjes dhe insistimi për vazhdimin e mandatit të kësaj Qeverie. Zgjedhja e rrugës së tillë do të impononte bllokadë të vazhdueshme të Kuvendit nga ana e opozitës deri në zgjedhje; ose deri në largimin e deputetëve me dhunë nga salla e Kuvendit. E që prapë do të shpinte në zgjedhje, por atëherë nën rrethana krejt të tjera dhe shumë të paparashikueshme.

Vendit i duhen zgjedhje me pakt. Përndryshe, do të ndodhin pa pakt. Sepse kanë për të ndodhur dhe atë goxha shpejt.

 

Kjo kolumne është shkruar enkas për klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme