Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vlera supreme e një politikani

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 12.04.2023 16:47
Blerim Shala

Vlera e një politikani, veçmas kur ai ka pasur postet më të larta në një shtet, realisht, stabilizohet, ajo merr përmasat e një qëndrimi afatgjatë, vetëm pasiqë ai më nuk është në pushtet, kur ai më nuk ushtron një post të dorës së parë në atë shtet.

Kështu ka qenë gjithmonë. Kështu është edhe tash.

Në ato javët dhe muajtë pasiqë ky politikan nuk është më në krye të një shteti, apo, pasiqë ai të bie, e kjo në shtetet demokratike ndodhë pasiqë ai apo partia e tij të cilën e ka udhëhequr, i ka humbur zgjedhjet, rëndom kërkohen arsyet pse ai ra nga pushteti.

Këtu, në këtë rast, shfaqen edhe gabimet dhe dështimet e tij, të cilat kanë bërë që ai më nuk është President apo Kryeministër.

Zatën, duhet të ketë sebep të qartë pse ndodhi rënia e tij. Veçmas nëse ajo mund të kategorizohet si një pensionim final i tij.

Shembulli konkret i cili do të përmendet këtupari është ai i Milo Đukanovićit, Presidentit të Malit të Zi, i cili pak ditë më parë pësoi disfatë në garën për Presidentin e ri të këtij shteti nga Jakov Milatović, i cili ka qenë vetëm tre vjeç, në vitin 1989, kur Đukanović u ngjit majeve të pushtetit, atëherë komunist, në republikën e ish-RSFJ-së.

Đukanović ishte pagëzuar, nga opozita pro-ruse dhe pro-serbe në Malin e Zi si autokrati i fundit i Ballkanit.

Për Karl Popperin, njërin nga mendimtarët më të ndritur të Shekulllit XX, testi kryesor që konfirmon  (apo e mohon), demokracinë në një shtet, është mënyra se si ndodhë ndërrimi i pushtetit në atë vend. Nëse pra, humbësi në zgjedhje, në mënyrë të qetë pajtohet me largimin e tij, dhe kur poashtu, në mënyrë të rregullt dhe pa trazira, e dorëzon atë pushtet, dhe ia uron fitoren kundërshtarin, kjo vërteton që ai pushtetar ka qenë një demokrat dhe ai shtet ka qenë një shtet demokratik.

Nuk ka autokrat, i cili pa gjak, pa trazira, pa hallakamë, pajtohet me humbjen zgjedhore.

Ai, për më shumë, do të bëjë krejt çka është e mundur që t’i trukojë zgjedhjet, apo, që rezultati i tyre ta dëshmojë  (edhe një herë), ’dashurinë e madhe të popullit për te’.

Asnjërën nga këto veprime nuk i bëri Đukanović në zgjedhjet e mbrama për te. Përkundrazi. Ai nuk fajësoi askë për humbjen zgjedhore. Ai, ia uroi fitoren oponentit të tij.

Ndryshe, rrëfimi për Đukanovićin është i pandashëm, në 34 vitet e kaluara nga historia e re e Malit të Zi.

Ai iu përshtat të gjitha rrethanave politike në vend, në rajon dhe në Evropë, me qëllim ta ruajë paqen në Malin e Zi, dhe t’i jetësojë interesat e shtetit të tij.

Pa kurfarë dyshimi, Đukanović ka meritat vendimtare që Mali i Zi nisi ndarjen nga Serbia, në fundvitet e nëntëdhjeta, proces ky i cili kulmoi me Referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, i cili me sukses u realizua në vitin 2006.

Për dallim prej të gjitha shteteve të tjera të krijuara sipër gërmadhave të ish-Jugosllavisë, në rastin e Malit të Zi, të gjitha komunitetet pakicë ishin mbështetëse të ri-kthimit të pavarësisë së këtij vendi, të humbur në vitin 1918, kur Mali i Zi u shkri në Mbretërinë e atëhershme SKS  (të serbëve, kroatëve, sllovenëve).

Pastaj, Đukanović e drejtoi hapur dhe qartasi Malin e Zi kah Perëndimi, një herë duke e marrë, në vitin 2010, statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, e pastaj, duke e bërë Malin e Zi, në vitin 2017, shtet anëtar të Aleancës Veri-Atlantike.

Pa Đukanovićin asnjëra nga këto arritje nuk do të realizohej.

Pa te, Mali i Zi kurrë nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës, të cilën gjë ky e bëri në tetorin e vitit 2008, me një akt të një burrshtetasi largpamës.

Đukanović ka qenë dhe mbetet mik dhe përkrahës i Kosovës. Një dukuri poashtu shumë e rrallë ndër politikanët e rajonit.

Në fjalët e tij pas humbjes së zgjedhjeve, ai, me të drejtë shfaqi shqetësimet e tij me drejtimin që mund ta merr Mali i Zi tash e tutje, apo, me mundësinë që ky shtet ta humbë busollën dhe që të heq dorë nga elementet kryesore të identitetit të tij, mbi të gjitha, nga shtetësia dhe orientimi pro-perëndimor.

Në atë rast, do të tronditej, me themel, trashëgimia e tij politike.

Kjo do të kishte pasoja të mëdha jo vetëm për stabilitetin e Malit të Zi, por edhe të gjithë rajonin.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme