Të izolohet aleatja ruse në Ballkan, të mundësohet anëtarësimi i Kosovës në NATO 123 string(17) "Adriatik Kelmendi" string(103) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/850x636_adriatik_kelmendi1629223901-e1669063149431.jpg" nga Adriatik Kelmendi 24.02.2022 10:01 24.02.2022 10:01 BOTA NË TË CILËN kemi rënë gjumë mbrëmë nuk është më bota në të cilën u zgjuam këtë mëngjes. Një realitet i ri botëror ka nisur. Rusia ka filluar bombardimin me synim pushtimin e një shteti 44-milionësh, Ukrainës, dhe bota perëndimore po shikon duke ngrënë thonjtë, edhe pse kishin kërcënuar se kjo nuk guxon të ndodhë. Kush mund të ndjehet i sigurt në një realitet të këtillë?! Pse nuk po i merr seriozisht Vladimir Putin kërcënimet dhe vijat e kuqe të liderëve perëndimorë? Sigurisht se shtetet perëndimore, duke u marrë me problemet e brendshme, shpesh të krijuara artificialisht vetë, nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur qëllimeve të Federatës Ruse. Këtë terren të cilin, tashmë po shihet, se Putin ka vendosur ta shfrytëzojë në plotni. NË ANËN TJETËR, klasa politike kosovare, sidomos në këto 7-8 vjetët e fundit është sjellur me ndjenjën e atij fëmijës, i cili mund të bëjë çfarëdo çapkënllëku që i bjen në mend dhe në fund i falet, se gjithmonë do ta ketë dashurinë dhe mbështetjen e parezervë të prindërve. Madje edhe kur fare nuk i kanë dëgjuar këshillat e prindërve. Politika kosovare duhet të jetë tash e tutje shumë më serioze në raport me politikën e jashtme dhe bashkëpunimin me shtetet mike perëndimore, diçka që fatkeqësisht nuk e kemi parë tash e sa kohë. Pasojat e gabimeve shumë të vogla prej sot mund të jenë të mëdha. PESË SHTETET E BE-së, të cilat kanë hezituar ta njohin shtetësinë e Kosovës, duhet të reagojnë tash për ta dëbuar Rusinë nga Ballkani. Tashmë është e qartë se i vetmi shtet i cili është rreshtuar me Rusinë në këtë pjesë të Evropës është Serbia. Mjafton të shihen ballinat e të përditshmeve beogradase dhe aty shpërfaqet në mënyrë agresive mbështetja për Rusinë dhe kundërshtimi i politikës demokratike perëndimore. Dorën në zemër as partitë në pushtet dhe ato opozitare nuk po lodhen ta maskojnë këtë mbështetje. Ky çast do të duhej të shërbente si këndellje e Brukselit dhe Washingtonit se cila është Serbia e vërtetë dhe se e ka farsë rreshtimin me vlerat perëndimore. Gjithashtu, pesë shtetet e BE-së të cilat kanë pasur dilema për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tash do të duhej t’i heqnin ato. Duke e mbajtur ambiguitetin e statusit të Serbisë në Kosovë, këto shtete e rrezikojnë rajonin, duke i lënë një derë të hapur Rusisë që të ndikojë. Me njohjen e Kosovës, dhe anëtarësimin e saj në NATO, kompletohet platoja e sigurisë në rajon dhe izolohet aleati i vetëm i Rusisë në Ballkan. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.