Sqarim për politikanin Dardan Molliqaj - Klan Kosova

Sqarim për politikanin Dardan Molliqaj

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
6 years më parë

 

I dashur Dardan!

 

Në konferencën e djeshme për shtyp ti shpife për Klan Kosovën.

Në atë deklaratë nuk kishte asnjë gjë të vërtetë.

Më duhet të të sqaroj për disa elemente që nuk kanë të bëjnë aq me atë që the, por më shumë me profilin tënd si politikan.

Praktika e deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje e ka historinë e saj, të cilën ti e njeh prej së brendshmi sepse ke qenë njëri prej  krijuesve.

Ajo ka nisur në vitin 2014, kur Albin Kurti dhe Rexhep Selimi deklaruan publikisht ne Parlament atë qe ti deklarove dje.

Në praktikën time profesionale, mediumet ku kam punuar asnjëherë nuk janë përdorur si kobure ndaj askujt.

Nuk janë përdorur as atëherë kur LDK-ja e frymëzonte grupin e Botës Sot kundër meje, e as kur PDK-ja krijonte mediume për ta avansuar gjuhën e rëndë të ofendimit.

As sot.

Kurrë nuk më kanë bërë përshtypje reagimet e partive politike ndaj mediave ku kam punuar, sepse e kam ditur shumë mirë pikënisjen e tyre: mosdurimin për mungesën e përkrahjes blanko.

Nuk e kam përdorur kurrë mediumin si fuqi reaguese pasi e dija se kjo mënyrë ishte primitive dhe do ta dëmtonte imazhin e tij, për arsye se nuk do të duhet të implikohej në raste të tilla.

Ajo që dua të ta them publikisht – dhe që ty të ka bërë nervoz – është e ardhmja jote si politikan.

Duhet ta mbash në mend se intervistat tua më të rëndësishme i ke realizuar në emisionet e mediumit tim. Të kam respektuar. Nuk e fsheh bindjen time se kam pasur simpati për guximin tënd, ndonëse por jo edhe për qasjen.

Por, gjuha që përdore dje nuk kishte të bënte me profesionin e gazetarisë.

Ti ke mundur të flisje dhe të prezantoje faktografi nëse sipas teje Klan Kosova është profesionale apo jo, dhe ku ka gabuar në raport me Lëvizjen Vetëvendosje, por assesi të jepje konstatime se i kujt është ose kënd e përkrahë ky medium. Sepse ky stil i të bërit politikë stigmatizuese flet shumë keq për ty – për paragjykimet tua dhe për kritikat paushalle që i bën.

Ndryshe nga ç’thua ti në deklarim, Klan Kosova ka qindra dëshmi se ka ofruar hapësirë për beteja publike me të gjithë ata që kanë pasur mendim për çështje të caktuara. Pra, edhe për ty.

Shkrimet dhe qëndrimet e mia kanë qenë publike dhe nuk jam penduar kurrë për to, pavarësisht se jam zhgënjyer nga një tufë intrigantësh dhe hajdutësh që pas ardhjes në pushtet u turrën të gënjejnë dhe të vjedhin ç’kishte mbetur pa u vjedhur në këtë vend.

Ti për mua nuk je hajdut dhe as gënjeshtar, ashtu sikundër nuk je i tillë as për organet e drejtësisë.

Por, në mënyrë shumë zhgënjyese ti je shndërruar në personifikim të një politikani burracak që sulmon pa argument si të ishte një çunak i hidhëruar dhe mendon se do të rritet në sytë e të tjerëve duke i ofenduar ata që ia japin rastin dhe e trajtojnë me mirësjellje.

Do t’i bindësh qytetarët se je politikan i mirëfilltë kur nuk do të akuzosh për diçka që as vetë s’e beson, pasi nuk e ke fuqinë e shembujve objektivë dhe bazës argumentuese.

Ti ke të drejtë t’i shkosh në zyrë çdo kryeredaktori dhe t’i diskutosh me të profesionalisht paqartësitë që i ke në raport me qasjen ndaj teje dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ose këtë ta bësh edhe publikisht, në studio. Por vetëm me kusht të diskutimit mbi baza profesionale.

Klan Kosova ka 207 punëtorë.

Ti, Dardan, mes tyre ke miq të mirë.

Ke edhe elektorat.

Jam i bindur se të kanë treguar për lirinë e plotë profesionale në trajtimin e temave që i konsiderojnë si të rëndësishme, si dhe për ftesat që iu bëhen të gjithë atyre mysafirëve në studio të cilët kanë çfarë të thonë.

Është krejtësisht e pandershme që me një etiketim naiv t’i mëshosh vijë të gjitha atyre orëve të transmetimit kur ti dhe bashkëpartiakët e tu keni shprehur qëndrimet dhe ideologjinë tuaj çdo herë kur keni pasur vullnet, dëshirë dhe interes.

Ftesat asnjëherë nuk iu kanë munguar. Po e përsëris: ASNJËHERË.

Nëse ti pretendon ta marrësh të drejtën që sipas dëshirës tënde t’i redaktosh lajmet dhe pyetjet e gazetarëve të Klan Kosovës, atëherë ndryshon muhabeti.

S’ke pse njollos gazetarë profesionistë duke thënë fjali si ato të njerëzve të dehur nëpër kafene.

Gjithashtu, nuk e ke asnjë arsye ta mbash postin e njeriut numër dy në parti nëse mendon se të tjerët janë pengesë për dështimet e tua.

Nuk e kuptoj pse duhet të bësh konferencë shtypi për faktin se je i pafuqishëm t’i ruash kolegët e deritashëm. Më kanë ikur shumë njerëz që janë formuar profesionalisht afër meje, por asnjëherë s’kam akuzuar dikë tjetër për fajin tim dhe pafuqinë për t’i ruajtur ata. As ti nuk duhet ta bësh këtë.
Edhe diçka.

Pata krijuar bindjen dhe disi ma kishe mbushur mendjen se ke hyrë në politikë për të qëndruar gjatë.

Kështu si po sillesh tash kam frikë se karriera jote politike nuk do të zgjasë shumë. Atëherë do kthehesh prapë në anonimitet, ku mund të jesh i qetë, rehat, por me siguri do ta humbësh një përkrahës dhe dashamirës si unë.

Ti duhet ta kesh guximin t’i përballosh vetë betejat publike, e jo të krijosh fajtorë imagjinarë.

Konferenca për shtyp dhe dëshira për ta zhvendosur esencën e problemit që të mbërthen tregon dëshpërimin e pafuqisë tënde për ta ruajtur imazhin e paprekshmërisë së partisë.

Duke e ofenduar rëndë stafin e gazetarëve dhe redaktorëve të Klan Kosovës (sepse lajmet dhe emisionet i bëjnë ata) që të kanë përcjellë në çdo hap – bile edhe me xhirime ekskluzive të arrestimeve tua që pastaj janë shfaqur në mediat tjera – e ke humbur pakthyeshëm besimin e krijuar.

Kurrë nuk kisha dashur ta besoja, por tash më bën të dyshoj seriozisht, se gjatë të gjitha takimeve të përbashkëta që kemi pasur – për mua të sinqerta, ti paske qenë i mbushur me falsitet.

Vetëm tash sikur e kuptoj çfarë fshehet pas buzëqeshjes tënde të rrallë.

Më duhet të them se ti nuk je njeriu i parë që shpif kundër Klan Kosovës. Shpeshherë, kur njerëzit janë të pafuqishëm në bindje krijojnë armiq, kundërshtarë. Mos vazhdo të jesh i tillë sepse, në fund të ditës, fuqia e njerëzve sillet rreth vizionit dhe jo rreth shpifjes.

Dua t’i risqaroj dhe t’i hedh poshtë për të disatën herë deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të Klan Kosovës.

Unë nuk kam kërkuar asnjë tender dhe asnjë shërbim nga askush.

Asnjë dëshirë nuk e kam të bashkëpunoj me Qeverinë dhe shtetin për punët e gazetarisë.

Asnjë reklamë nuk e kam marrë nga asnjë kompani shtetërore.

Asnjë të vetme.

Si njeri normal, ndonjëherë i bëj nder personal dikujt, por askush s’ka asnjë shans që miqësinë që ka me mua ta konvertojë në raport miqësie me Klan Kosovën.

Klan Kosova është i gazetarëve dhe i shikuesve.

Kjo dëshmohet çdo ditë, në çdo emision – dhe askush s’ka fakte për të kundërtën.

Nuk kam kërkuar asnjë ndihmë nga askush, sepse në jetën time të gjitha i kam bërë vetë. Dhe kurrë nuk jam nënshtruar për faktin se kam pasur kriza. Ama kurrë.

Nuk i kam shërbyer askujt me asgjë. Por, gjatë viteve i kam përkrahur ato kauza që më kanë bindur se janë më të mira sesa të tjerat për këtë vend.

Nuk jam frikësuar ta përkrah një qëndrim kur jam bindur se është pozitiv për qytetarët e këtij vendi, përfshirë edhe për familjen time.

Në fund dua ta them edhe një gjë.

Nuk është mirë për një parti që vazhdimisht t’i sulmojë mediat.

Është e pakuptimtë ta kërkoni një spektër medial uniform i cili iu përkrah juve 100%.

Ndonjëherë iu lëvdojnë, ndonjëherë iu kritikojnë.

Kështu e kanë mediat.

Kryesorja është të mos gënjehet, të mos shpifet dhe të mos mashtrohet.

Ju garantoj me jetë se Klan Kosova nuk e ka bërë e as që do ta bëjë këtë.

Kurrë.

Për kujtesën tënde, kur sapo kisha filluar Klan Kosovën m’u vërsulën në shpinë policia tatimore, policia elektrike, policia e ndërtimit dhe gjitha policitë tjera të Qeverisë që kërkonin të hiqja dorë në mënyrë që Klan Kosovën ta merrnin të tjerët.

Pati dhe një përpjekje zyrtare për t’ia hequr licencën e biznesit, por dështoi.

Ky medium, i dashur Dardan, është i gazetarëve të lirë që shtrojnë pyetje për atë që është interes i publikut.

Unë të mirëkuptoj për zhgënjimin që ke dhe arsyen e vërtetë për t’i  sulmuar të tjerët.

Por, nuk dua të ta kthej përgjigjen me të njëjtën gjuhë, pasi i bie ta shkruaj një shkrim për fundin e një politikani.

Natyrisht, dera televizive e Klan Kosovës vazhdon të mbetet e hapur për ty, Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikanët tjerë pa marrë parasysh çfarë deklaroni publikisht.

Lajmi është ai që e përcakton prezencën tuaj dhe jo emri i përveçëm.

Mirë se vjen në intervistën dhe debatin e radhës.

Klan Kosova do ta dëshmojë botërisht se e ke gabim.

Krejtësisht gabim.

 

 

P.S.

Dardan, mos e merr aq seriozisht SHIK-un. Unë asnjëherë nuk e kam marrë seriozisht. Miti për SHIK-un është aq i fryrë sa kam përshtypjen se ka bërë që një pjesë e politikës e cila e akuzon dhe fajëson atë, të nisë të dëshirojë që faktikisht, në një formë të caktuar, të marrë diçka prej perceptimit të hiperbolizuar për të.