Shefi i Painformuar i Qeverisë 123 string(15) "Blerim Xhemajli" NULL nga Blerim Xhemajli 24.11.2015 21:00 24.11.2015 21:00 25 ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Prej atëherë opozita protestoi tri herë në sallën e Kuvendit kundër kësaj krijese që del nga dialogu me Serbinë në Bruksel. Në njërën prej tyre, deputetët e bllokut VV, AAK dhe Nisma shpalosën pankarta para një mysafiri të lartë nga Bashkimi Europian. E në tjetrën u hodh gaz brenda sallës, derisa nëpër rrugët e Prishtinës pati përleshje me forcat e rendit dhe dëmtim të pronës shtetërore. Por, tek sot – më 24 nëntor – kryeministri Isa Mustafa e tha atë që duhej thënë më 30 ose 31 tetor: se nuk do ta themelojë Asociacionin nëse Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje të Kushtetutës. Në fakt, kjo është hera e parë që ai ka thirrur konferencë për media lidhur me këtë çështje, si dhe atë të demarkacionit, po ashtu të kontestuar nga opozita. Edhe për demarkacionin Mustafa e konfirmoi opsionin e ekspertizës ndërkombëtare. Por, përballja me gazetarët dëshmoi se nuk janë vetëm këto dy çështje për të cilat ai, si Shef i Qeverisë, reagon me vonesë. Madje, bëri me dije se për disa nuk reagon fare. As një javë pas ndalesës që në Veri iu bë Ministrit të Financave, Avdullah Hotit, Mustafa nuk kishte informata për ngjarjen në Rudarë të Zveçanit. “Nuk kam informata të hollësishme si ka ndodhë, por do ta shohim rastin pse ka ardhur deri te ndalesa”, tha Shefi i Qeverisë lidhur me incidentin e 18 tetorit, kur për shkak të një proteste simbolike në rrugë policia hoqi dorë nga përcjellja e Ministrit deri në pikën kufitare të Jarinjes. Hiç më aktiv Kryeministri nuk u pa as në rastin e vizitës në Kosovë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjeneralit Lubisha Dikoviq. “Sa i përket vizitës së Dikoviq në Kosovë ne nuk kemi pasur informata. Kjo vizitë është bërë nën përgjegjësinë e KFOR-it”, tha ai, pa bërë me dije nëse e ka ndërmend që nga misioni i NATO-s t’i kërkojë informatat e nevojshme. Apo, edhe të shprehë pakënaqësi eventuale karshi kësaj ose vizitave të tjera në të ardhmen. Dikush mund të ketë bindjen se, me të parën Mustafa, dëshmoi se nuk e ka fort dert nëse kallet Kosova. Me të dytën, se Veriun edhe më tej e konsideron si territor të humbur. E me të tretën, se i ka harruar të bëmat e Serbisë në Kosovë. Por, nëse këto tri përshtypje janë të gabuara, nuk duhet pasur dyshim në diçka tjetër: Isa Mustafa është duke funksionuar si i vetmuar në Qeveri. – Ose nuk dëshiron të flasë me ministra, ose ata nuk dëshirojnë të flasin me të. Ndryshe nuk komentohet mungesa e njohurive lidhur me rastin e Hotit në Veri, ani se ky i fundit njihet si bashkëpunëtor i tij i ngushtë. Bile, këtë distancë të Mustafës me ministrat po e dëshmon edhe fakti se pikërisht në ditën kur vetë e sqaroi qëndrimin se e pret Kushtetuesen për Asociacionin, nuk e pati idenë se vartësi i tij, Lubomir Mariq, iu tha mediave në Beograd se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i parëndësishëm, pasi ajo nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, por këtë e kanë bërë dy kryeministrat nën garancitë e Bashkimit Europian. – Ose nuk ka informata nga Agjencia Informative e Kosovës, ose nuk i merr parasysh ato. Ndryshe nuk mund të komentohet mungesa e njohurive për vizitën e Dikoviqit në Kosovë. Diçka e ngjashme pati ndodhur me rastin e Kumanovës, kur drejtuesit e AKI-së e thanë publikisht se Mustafa nuk i përfilli informatat e tyre. – Ose nuk ka këshilltarë, ose e këshillojnë keq. Ndryshe nuk kuptohet qasja e tij kryeneçe karshi opozitës. Aq më tepër kur tek tash, me më shumë se tri javë vonesë, ai po reflekton se Kushtetuesja, të cilës i është drejtuar Presidentja, e ka fjalën e fundit në raport me Asociacionin. E, po ashtu, se çështja e demarkacionit mund të rishikohet nga ekspertët. Nëse nuk i është lejuar nga gazi lotsjellës që t’i thotë këto gjëra në Kuvend, ka mundur që edhe në fund të tetorit, ose në fillim të nëntorit, t’i shpreh ato. Siç bëri këtë të martë. (Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.