Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Objektivi final i shtetit të Kosovës 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 12.10.2022 09:30
Blerim Shala

Ditëve të fundit ndër ne është shtuar interesimi për dy tema të rëndësishme politike (dhe  jo vetëm politike), edhe për shkak të aktualitetit të tyre, i cili është reflektim i zhvillimeve  ndërkombëtare. 

Tema e parë ka të bëjë me Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa e dyta  për hyrjen (eventuale) të Kosovës në OKB. 

E para (Liberalizimi i vizave), duket, më në fund, që është perspektivë e afërm, e dyta  (anëtarësimi i Kosovës në OKB), është, me siguri një çështje që matet me vjet të tëra (në  mos më shumë). 

Qytetarët e Kosovës qëmoti (tash e më shumë se katër vjet), kanë merituar të udhëtojnë pa  viza, apo vetëm me pasaporta biometrike në Zonën Schengen të Evropës. Dihet shumë  mirë prej të gjithë neve pse kjo nuk ka ndodhur deri tash. Megjithatë, tani kur duket që jemi  pak kohë para Vendimit të BE-së që do të na mundësojë të gjithë neve që të bëhemi  evropianë së paku në këtë aspekt, ndër ne kanë nisur të paraqiten komente dhe interpretime  të cilat spikatin mundësinë që kur të nisë të zbatohet udhëtimi i lirë kah Evropa, qindra  mijëra qytetarë të Kosovës do të largohen, në kërkim të një fati më të mirë në shtetet e  Evropës perëndimore. 

Kjo mundësi ekziston. Këtë e dimë. Por nxjerrja e një droje apo shqetësimi të tillë si një  lloj argumenti dyshues apo kontestues në rrethanat e tanishme, është fare i kotë. Tash e sa kohë, mundësia për të marrë leje formale për punësim në Gjermani dhe në shumë  shtete të tjera të BE-së është reale, dhe madje, në shumë raste, më e lehtë se sa pajisja me  një vizë turistike Schengen. Dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës vetëm gjatë këtij viti kanë  shkuar në Gjermani dhe gjetiu. Me apo pa Liberalizim të vizave për ne, ky trend do të  vazhdojë.  

Çfarë dihet është që Kosova llogaritet si shtet i sigurt në Gjermani dhe në shtetet e tjera të  BE-së, apo që kosovarët nuk mund të aplikojnë për strehim politik në Gjermani.  Të gjitha analizat e mundshme për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës,  objektivisht shquajnë përfitimet evidente politike për shtetin e Kosovës, dhe ato  individuale, për të gjithë ne.  

Ky është konkludimi i vetëm i vërtetë për këtë temë. 

Tek tema e dytë, diskutimi për inkuadrimin e Kosovës në OKB, në masë të madhe u rikthye  në opinionin kosovar në vijim të fjalëve dhe spekulimeve që ndërlidhen me Nismën e re  francezo – gjermane për Marrëveshjen eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë për  normalizimin e marrëdhënieve.  

Sipas këtyre fjalëve, të cilat veçmas u përhapën nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić,  kjo Nismë e Parisit dhe Berlinit insiston që Serbia të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës  në OKB, derisa ai (lideri serb), është kundër hyrjes së Kosovës në OKB. Është ende herët të merret vesh se kah do të ecën Iniciativa francezo – gjermane, e cila  ndërlidhet edhe me mandatin e Miroslav Lajčakut, si Emisar Special të BE-së për dialogun  Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, në trajtimin që tashmë ka nisur t’i bëhet kësaj çështjeje në mediat tona, tashmë  janë shfaqur edhe vlerësimet që tema e anëtarësimit të Kosovës në OKB, nuk ka farë  prioriteti për politikën kosovare, apo, edhe që hyri apo nuk hyri Kosova në OKB, kjo nuk  ka fort rëndësi, se kombi shqiptar tashmë është i përfaqësuar në OKB përmes Shqipërisë.  

Ngritja e flamurit të Kosovës në East River, në New York (në selinë e OKB-së), është  prioritet absolut i Kosovës. Këtu nuk duhet patur kurfarë dyshime. Rrethanat e tanishme,  dhe ato (madje), që mund të parashihen për disa vjet, a mos më tepër, nuk janë aspak të  volitshme për këtë synim të kuptueshëm të Kosovës, për shkak të një konflikti të madh  politik në mes të Perëndimit dhe Rusisë. Për aq sa varet prej nesh, duhet kryer të gjitha  punët tona që Kosova të kualifikohet për ta bërë aplikimin për anëtarësim në OKB,  përfshirë këtu edhe Marrëveshjen Ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve  me Serbinë. Duhet shtuar edhe një herë këtu: Për aq sa varet prej nesh.  

Natyrisht, janë disa objektiva ndërkombëtare pak më lehtë të arritshme për Kosovës, nëse  do të ketë Marrëveshje me Serbinë, dhe nëse (në vijim), pesë shtetet mosnjohëse të BE-së  do ta njohin Kosovën. 

Anëtarsimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike do të matej, në atë rast, me kornizën  kohore afatmesme, teksa poashtu, nuk do të kishte më pengesa politike dhe procedurale  për rrugëtimin e Kosovës në BE. 

Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës në OKB është objektivi final i shtetit të Kosovës. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme