Nga Prishtina në Korçë e Shkup, shqiptarët “pikë e pesë” 123 string(17) "Kushtrim Reshitaj" string(70) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/kushtrim-reshitaj.jpg" nga Kushtrim Reshitaj 12.11.2022 12:01 12.11.2022 12:01 Në Maqedoninë Veriore, shqiptarët gjithmonë e kishin një armë shtesë motivi, në kërkim të sukseseve brenda këtij shteti. Në çdo sferë kur niseshin, historia i ndiqte pas, situatat e ndryshme ndër dekada të tëra, si komunitet i madh e i unifikuar brenda kësaj Republike. Njëjtë do të duhej të ishte edhe sot, e edhe në sport. Kush do ta mendonte se do të vinin ditë si këto, që 3 ekipet udhëheqëse të renditjes tabelare në Superligën e futbollit në këtë shtet, të jenë Struga, Shkëndija e Shkupi. Në rrethana normale, do të duhej që aleanca mes këtyre klubeve, të ishte halë në sytë e atyre që duan t’i shohin të përçarë, duke treguar para tyre e para gjithë të tjerëve, respektin e përkrahjen mes vete, si armë e pashtjerrur, përjetësisht! Por fatkeqësisht, po ndodh krejt ndryshe. Derbi i skuadrave shqiptare në Iliridë, ditë më parë ofroi edhe një herë atë që as në ëndrrat më të këqija, nuk duhej të guxonim ta shohim. Dhunë mes vete, goditje, rrahje, shkatërrim ndeshjesh dhe imazh skandaloz para mediave gjithandej. Njëjtë ndodhi edhe në çerekfinalen e Kupës, ku tifozët vendas të Shkupit, i dhanë të drejtë vetës që ta bëjnë ligjin, ndaj një futbollisti që shënoi gol dhe festoi para tyre. Kjo çoi në konfrontime e shkatërrim total të një ndeshje, e cila përkundrazi do të duhej të ishte festë e madhe sportive. Vazhdon të mbetët i palogjikshëm krejt ky fenomen, tash e sa kohë i instaluar mes shqiptarëve, pasqyrë anti-kombëtare, kënaqësi e palëve tjera, të cilët pa pasur nevojë ta nxisin vetë një përçarje të tillë, po u servohet vullnetarisht nga ne. Në krejt këtë “marifet”, gjëja e vetme pozitive ishte komunikata e klubit kuq e zi nga Tetova, të cilët me maturi e inteligjencë, reaguan në mënyrë të paanshme, duke kërkuar një herë e mirë, t’i thuhet STOP ngjarjeve të tilla, që para së gjithash, shkojnë në dëm të klubeve dhe investimeve të tyre. Klubi futbollistik SHKENDIJA, e tha qartë se nuk do të investojnë në gjëra që prodhojnë dhunë. Mjaft më me urrejtje, stop skenave të tilla të pahijshme. Fatkeqësisht episode të tilla po ndodhin gjithandej ku ka shqiptarë, në Shqipëri e Kosovë, sikur para disa ditësh në Korçë gjatë ballafaqimit Devolli-Labëria , apo para dy muajsh në kryeqytetin e Kosovës, ku Prishtina ndeshej me Ballkanin. Edhe këto dy përballje ajo që i karakterizoi duelet, mbi sportin, ishte dhuna. Dikush duhet ta fillojë patjetër rolin “edukativ” në këtë aspekt. Le të ngjajë sikur këtë e nisi Shkëndija, por duhet me urgjencë të rritet vetëdija në çdo fshat e qytet. Në stadiume e palestra, sot më shumë se kurrë po shohim të moshuar e fëmijë, gra e vajza, dashamirë të vërtetë të sportit, andaj është mëkat i madh që një pjesë e atyre që do të duhej të ishin shembull për të mirë, tifozët e përhershëm, të kthehen në model për keqardhje. Kemi nisur rrugë të mirë për të konkurruar edhe në gara europiane, mediat e ndryshme po shkruajnë për ne, madje edhe vetë shtëpitë kryesore sportive në botë, mirëpo e kemi obligim që çast e minutë t’ia kujtojmë vetës, se atje mund të shkojmë vetëm si europianë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.