2 vjet nga arratisja e Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës NULL NULL 06.07.2026 07:12 06.07.2026 07:12 Faton Hajrizi Vetëm 13 ditë i pati në “liri” pas arratisjes së tij për herën e nëntë nga burgu. Faton Hajrizi arriti të ikte nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik 2024, ditën kur edhe Policia e Kosovës e shpalli në kërkim, transmeton Klankosova.tv. Përmes një postimi në Facebook, policia pati publikuar fotografinë e Hajrizit duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për kapjen e tij. Në ditët pasuese, vendndodhja e Hajrizit nuk dihej, ndonëse ai disa herë u fut në TikTok ku edhe komunikonte me njerëzit. Në disa video, Fatoni thoshte se “nuk ka rrezik prej tij” dhe se nuk ka ikur nga burgu për t’i bërë keq dikujt. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se arrestimi i Faton Hajrizit është “çështje orësh a ditësh”. Por, nuk doli ashtu, transmeton Klankosova.tv. Pak ditë më pas, në orët e para të mesnatës të së enjtes (18 korrik), mediat në Serbi raportuan për një vrasje që kishte ndodhur në Loznicë. Një pjesëtar i policisë atje u vra dhe një tjetër u plagos. I dyshuar fillimisht ishte vëllai i Faton Hajrizit, Artani, pasi në vend të ngjarjes u gjet pasaporta e këtij të fundit. Ky lajm ngjalli shqetësim në opinionin publik, dhe reagoi MPJ e Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, kjo ministri apeloi te mërgimtarët që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb. Të shpejta kanë qenë reagimet e mediave në Kosovë pasi “iu vërshuan” numrit të Artan Hajrizit, i njëjti numër i cili të mërkurën në mbrëmje telefonoi në emisionin “Debat Plus”, me pretendimin se personi që fliste ishte Faton Hajrizi. Megjithatë, rezultoi se në telefon ishte një mik i Fatonit, të paktën kështu tha Artani në një lidhje direkte për emisionin “Kosova today” gjatë së enjtes. Po ashtu, sipas Artanit, Fatoni ka qenë në disa shtete të Evropës si Italia, Kroacia e Gjermania, madje shtoi se dokumentet ia vodhi vëllai kur ishte në shtëpinë e tij e ku qëndroi për rreth dy orë. Por, pasditen e 19 korrikut 2024, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dha lajmin se i njëjti është vrarë në afërsi të Loznicës. Ndryshe, fjalët e fundit publike të Faton Hajrizit ishin “krejt Drenica e Klina kanë me m’ardhë në varrim”. Dhe në varrim i shkuan nga e gjithë Kosova.