Në kujtim të Shyqri Nimanit: Një udhëtim me kaleidoskop 123 string(17) "Adriatik Kelmendi" string(103) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/850x636_adriatik_kelmendi1629223901-e1669063149431.jpg" nga Adriatik Kelmendi 22.06.2023 14:36 22.06.2023 14:36 Adriatik Kelmendi Sot në moshën 82 vjeçare ka vdekur artisti dhe profesori i artit, Shyqri Nimani. Në kujtim të tij Klankosova.tv, ju sjell një shkrim të Adriatik Kelmendit. Ka një brez të dalluar intelektualësh që kanë mbëltuar e ujitur idealin për liri të një populli, me qëllim jetesën si të barabartë e me dinjitet. Pa këtë brez intelektualësh, jam thellësisht i bindur, nuk do ta kishim sot as lirinë, e as pavarësinë, si dhe do të ishim shumë më të varfër shpirtërisht e artistikisht. RRËFIMET MË TË mira nga të gjithë librat janë ato që gjenden brenda faqeve të një pasaporte. Më ka pëlqyer gjithmonë kjo thënie. Me një thjeshtësi ngërthen në vete idenë e nxënies së dijes jo vetëm nga leximi e studimi, por edhe nga ajo që është e domosdoshme për një formësim, e sidomos formësim intelektual – përvoja. Sigurisht se gjithmonë është ndryshe të mësohet e ndryshe të sprovohet. E GJEJ KËTË shprehje të qëlluar sidomos për një ditë si kjo, për një personalitet të rrallë si ky. Me profesorin Shyqri Nimani u njohëm për së afërmi në një udhëtim. Për më tepër në një udhëtim – mision. Vendi: Bukureshti i Rumanisë. Misioni: Lobimi për domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Dhe ja ku ishim ne, 7-8 përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe politikës kosovare, shumica në të tridhjetat ose dyzetat e hershme dhe mes nesh aty – profesori. Mirëpo, kur takoheshim me përfaqësues të institucioneve dhe politikës rumune, profesori ishte mocanik me ne, por që thonë amerikanët – with a twist. Përballë skepticizmit rumun për argumentet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjithmonë në fund vinte kapakun profesor Nimani. Me të folurën e tij të ngadalshme e të artikuluar, me një anglishte për t’u lakmuar, me erudicizëm të njeriut, i cili ka ditur ta jetojë jetën, ai mbi të gjitha jepte një porosi – pavarësia e Kosovës nuk është një rastësi. Ka një brez të dalluar intelektualësh që kanë mbëltuar e ujitur idealin për liri të një populli, me qëllim jetesën si të barabartë e me dinjitet. Pa këtë brez intelektualësh, jam thellësisht i bindur, nuk do ta kishim sot as lirinë, e as pavarësinë, si dhe do të ishim shumë më të varfër shpirtërisht e artistikisht. Përfaqësues i denjë dhe i dalluar i këtij brezi është pa as më të voglin dyshim profesori Shyqri Nimani. Por, pse më lidhet metafora e udhëtimit gjithmonë me profesorin? Përgjigjja është: po, se sebepi i njohjes sime nga afër erdhi nga një udhëtim, por se sa herë kam kontakt me profesorin, qoftë duke shikuar punët e tij, qoftë duke lexuar shkrimet e tij, qoftë duke shfletuar librat e tij, ose duke pirë kafe me të – mbresa është ajo e një udhëtimi me plot aventura e mësime të reja. E mbi të gjitha – me plot ngjyra. Sikur ta shikosh jetën nëpërmjet të një kaleidoskopi. JU FTOJ QË ta shfletoni edhe librin e tij autobiografik “Nëpër gjemba drejt yjeve”. Dhe ju ftoj t’ia bëni vetes pyetjen e sinqertë: A keni pasur ndonjëherë në këto anë në dorë ndonjë autobiografi të këtillë? Udhëtimi në botën fizike dhe të dijes i profesor Nimanit ka bërë që edhe qasja e tij ndaj krijimtarisë të jetë e këtillë: me shumëdimensionalitet të një udhëtimi. Nëpërmjet shkrimit të kujdesshëm, në mënyrë që të mos paraqitet jomodest, nisur nga mbishkrimi i risjellë si lajtmotiv nga qyteti i Raguzës (Dubrovnikut) – “Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohet, e as të jesh mashtruar – si e mas unë malin, ashtu le të më mas vetë Zoti” – profesori na fton njëkohësisht në së paku tri bashkudhëtime. I pari, i natyrshmi për autobiografitë – udhëpërshkrimi jetësor, ecejaket e një të riu ambicioz drejt realizimit të ëndrrës dhe misionit të jetës. I dyti, mbase krejt i jashtëzakonshëm për autobiografitë: bashkudhëtim nëpër historinë e përgjithshme, si dhe të artit e të kulturës. I treti, gjithsesi plotësisht i rrallë për autobiografitë: bashkudhëtim me ilustrime e disejn me përkujdesje për saktësi matematikore për të bukurën, për artin. SË KËNDEJMI, kjo autobiografi është shumë më tepër, absolutisht shumë më shumë se një udhëpërshkrim jetësor i një artisti. Është një vepër e kompletuar, shumëdimensionale – lehtësisht e klasifikueshme si një enciklopedi e rrallë përvojash, dijesh e shijesh. Çka nuk është e re në këtë mes, është se e tillë na vjen e gjithë krijimtaria dhe personaliteti i profesor Nimanit. Një kombinim i hollë i sofistikimit shumëdimensional. I një personaliteti, i cili i takon brezit, pa të cilin nuk do të ishim sot ku jemi as ne e këtu. Faleminderit që ma mundësuat edhe këtë udhëtim, profesor Nimani! Faleminderit që ishit një nga pasaportat tona! (Bazuar në fjalën e autorit mbajtur në shënimin e 75-vjetorit të lindjes dhe promovimin e autobiografisë “Nëpër gjemba drejt yjeve” të Shyqri Nimanit). Publikuar më 25 mars të vitit 2017 në Koha.net