Mes Letrave dhe Neneve të shkëmbyera ndërmjet Presidentit Thaҫi dhe Albin Kurtit 123 string(13) "Arbër Ahmeti" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/09/arberrr.jpeg" nga Arbër Ahmeti 28.12.2019 13:31 28.12.2019 13:31 Dita e djeshme na përcolli një lojë letrash mes Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Presidenti Thaçi përmes dy letrave të njëpasnjëshme (këtu dhe këtu), duke u thirrur në kompetencat që ia jep kushtetuta sipas Nenit 84 (14) dhe Nenit 95 (1), e ftoi Kurtin “në takim konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë”. Mirëpo, Kurti refuzoi të marrë pjesë në këto takime dhe duke ironizuar me referimin e ftesës së Presidentit tek nenet përkatëse: “Ndërkohë [do] t’i shqyrtoj këto nenet që [Presidenti i ka] përmendur”, edhe pse sipas parimit të ndarjes së pushteteve shqyrtimi dhe interpretimi i neneve nuk i takon as pretendentit për pozitën e Kryeministrit e as Kryeministrit. Tutje, deputetja Albulena Haxhiu theksoi se nuk është në diskrecionin e Presidentit ta propozojë apo mandatojë kandidatin për kryeministër, ndonëse mbetet e paqartë arsyeja pse deputetja vendosi ta shtjellojë këtë çështje, meqenëse në asnjërën nga letrat e Presidentit nuk lihej të kuptohej që ai po pretendonte një gjë të tillë. Komentatorët vrapuan të sqarojnë që afati prej 15 ditësh për themelimin e qeverisë fillon me caktimin e mandatarit e jo me thirrjen e Presidentit për konsultime, por e kam ende të paqartë nëse ata po i drejtoheshin opinionit apo Presidentit, bazuar në ndonjë dyshim për ndonjë lojë të tij. Dy ftesat e Presidentit Thaçi drejtuar Albin Kurtit theksojnë qartë qëllimin e tyre në inicimin e procedurave konsultative për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Disa mund ta interpretojnë këtë si lojë të Presidentit në prag të dështimit të një marrëveshjeje për qeverisje mes LVV’së dhe LDK’së, si dhe shtytje për t’i çuar përpjekjet e dy subjekteve në greminë. Disa të tjerë mund ta interpretojnë si incentivë për t’i vënë palët nën presion për të arritur sa më shpejt një marrëveshje mes tyre, duke qenë se vonesat në formimin e qeverisë faturohen në shpinën e qytetarit dhe i kontribuojnë destabilitetit politik të vendit. Të dy palët mund të kenë të drejtë, por të dy interpretimet janë në rrafshin e spekulimeve, përderisa ne nuk mund të dimë se çfarë ndodh brenda mendjes së Presidentit. Faktet deri tani tregojnë që Presidenti po e kryen detyrën e tij dhe po i përmbush obligimet e tij kushtetuese. Përballë skenës apokaliptike të rendjes së turmave me Kushtetuta ngritur lart në kafenetë e Prishtinës, dhe klithmave e ҫirrjeve në debatet e nxehta shoqëruar me raki rreth interpretimit të normave, yshtemi të pyesim: Po cili është roli i Presidentit tani sipas Kushtetutës? Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit dhe përfaqëson unitetin e popullit duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve [shih Neni 4(3); 83; 84(2)]. Secili qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të sigurohet se Presidenti është i “paanshëm dhe përfaqëson unitetin e popullit dhe jo një fragment ose interes politik partiak”, e sidomos kur ai ushtron funksionet e tij në kuadër procesit të formimit të qeverisë. (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GJK) KI 47/10, Naim Rrustemi et al v. Presidenti Fatmir Sejdiu, para. 69). Duke qenë se është detyrë e Presidentit ta garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe formimi i qeverisë është në interesin e të gjithë qytetarëve, ftesa për të filluar procesin konsultativ i shërben qëllimit të përmbushjes së këtyre obligimeve të Presidentit. Neni 84 (14) dhe Neni 95 (1) e përkufizojnë rolin e Presidentit në formimin e qeverisë. Neni 84 (14) saktëson se “Presidenti cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit” dhe Neni 95 (1) thekson se “[p]as zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Theksojmë se në përcaktimin e rolit të Presidentit në formimin e qeverisë, këto dy nene “janë të lidhura ngushtë” dhe duhet të lexohen së bashku pasi që plotësojnë njëra tjetrën. (GJK, Vendimi KO 103/14, para. 65). Neni 84 (14) ka disa elemente për t’i diskutuar, të cilat tashmë janë trajtuar nga Gjykata Kushtetuese. Elementi i parë e vesh Presidentin me kompetencën për ta caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë, i pasuar nga dy rezervime. Rezervimi i parë thekson që caktimi i mandatarit vjen si pasojë e propozimit të partisë politike dhe rezervimi i dytë dikton që partia politike duhet të përbëjë shumicën në Kuvend. Si rrjedhojë, Presidenti mund ta caktojë mandatarin vetëm pas propozimit të partisë politike dhe nuk është në kompetencën e tij që ta refuzojë kandidatin, e as nuk mundet që të caktojë një mandatar me vetiniciativë. (KO 103/14, para. 68; E. Hasani, I. Ćukalović; Kushtetuta e Republikës së Kosovës: Komentar, fq. 405). Rezervimi i dytë konstaton se partia që propozon kandidatin për Kryeministër për ta marrë mandatin duhet ta ketë shumicën në Kuvend. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që shprehja “që përbën shumicën e Kuvendit” nënkupton subjektin i cili ka kryer të gjitha procedurat ligjore dhe ka shumicën në Kuvend, prandaj ka të drejtë ta propozojë mandatarin për ta formuar qeverinë. Në sytë e Gjykatës është jorelevante nëse shumica është absolute apo relative, kjo për shkak se është Kuvendi ai që e voton qeverinë e propozuar. Kësisoj, Gjykata e interpreton shprehjen “që përbën shumicën e Kuvendit” si partinë me më së shumti deputetë krahasuar me partitë/koalicionet tjera. (KO 103/14, para. 73-80). Neni 95, në anën tjetër, përshkruan procedurat e formimit të qeverisë. Paragrafi 1 shtjellon hapin e parë që do të merret pas konstituimit të Kuvendit dhe thekson se Presidenti “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Neni 95 (1) nuk e vesh Presidentin me kompetenca shtesë, as nuk e kufizon me rezervime shtesë, por afirmon rolin e tij në inicimin e procedurave për formimin e qeverisë e madje edhe krijon obligim ligjor për të. Gjuha e paragrafit ndryshon paksa nga ajo e Nenit 84 (14), duke kushtëzuar me “shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Meqë këto dy nene e plotësojnë njëri tjetrin dhe duhet të lexohen bashkë, Gjykata e konsideron këtë kualifikim njëjtë si rezervimin tek Nenit 84 (14), pra partia që ka shumicën dhe jo partia që i ka votat në Kuvend për formimin e qeverisë. (KO 103/14, para. 84-85). Kësisoj, pretendimet që Kurti duhet t’i shkojë Presidentit me garanci e me 61 nënshkrime të deputetëve – nuk qëndrojnë. Në Holandë, për shembull, Mbreti cakton një “informateur” që e informon lidhur me negociatat mes partive dhe gjasat për t’u miratuar qeveria, por sisteme të tilla kanë tërësisht kompozicion tjetër nga ai i Kosovës dhe praktika e deritanishme nuk sugjeron shkuarjen drejt modeleve të tilla. Presidenti i Kosovës ka për obligim t’i përmbush detyrat që ia jep Kushtetuta lidhur me formimin e qeverisë. Në thirrjen për takim konsultativ, Presidenti i ka përmbushur detyrat ligjore dhe i ka ushtruar kompetencat e tij. Në anën tjetër, partia me shumicën në Kuvend duhet t’i përgjigjet ftesës së Presidentit dhe nuk ka të drejtë ta refuzojë takimin e thirrur nga Presidenti, përndryshe do të materializonte shkelje të procedurave të zgjedhjes së qeverisë. Atë që në këtë rast ka të drejtë ta refuzojë partia me shumicën në Kuvend është mandatimi, por jo procedura konsultative te Presidenti. Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton afate në këtë fazë të procesit të formimit të qeverisë. Ajo as nuk e obligon Presidentin të pres më shumë, por as nuk e detyron ta thërras më herët partinë me shumicën në Kuvend. Në të njëjtën kohë, ajo nuk e detyron Kurtin të shkojë para Thaçit me garanci për votimin e qeverisë në Kuvend dhe as nuk e obligon Thaçin të kërkojë garanci të tilla, për shkak se është në kompetencën ekskluzive të Kuvendit të vendosë nëse duhet t’ia japë besimin qeverisë së propozuar, apo jo. Por, edhe Presidenti edhe Kurti e kanë për obligim bashkëpunimin në këtë periudhë. As njëri, as tjetri nuk mund t’i tejkalojnë kompetencat dhe rolin e Presidentit në këtë fazë të formimit të qeverisë. (Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore të fokusuara në fushën e teorive të së drejtës ndërkombëtare, filozofisë të së drejtës dhe studimeve të mbrojtjes dhe sigurisë. Ai është i angazhuar me Raportet e Oxfordit mbi të Drejtën Ndërkombëtare dhe ka qenë hulumtues i ftuar në Akademinë e Mbrojtjes së Austrisë) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.