Liberalizimi i vizave dhe cenimi i demokracisë 123 string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg" nga Ardian Gjini 12.10.2015 14:51 12.10.2015 14:51 Një njeri i ditur ka thënë shumë kohë më parë se “historia njerëzore njeh shumë momente kur të gjithë të mençurit janë pajtuar se nuk ka zgjidhje; përderisa befas, ka dalur një ‘i marrë’- ka thënë se ka zgjidhje dhe e ka gjetur atë me të vërtetë”. Diskursi vituperativ, se opozita po e pengon ‘liberalizimin e vizave’ nuk është asgjë tjetër pos shtrim i terrenit për justifikim. Me fjalë tjera, me këtë qasje, qeveria po provon t’i bëjë dy gjëra. Të sigurohet se suksesi eventual në këtë drejtim do të arkëtohet vetëm nga pushteti e në të kundërtën, dështimi eventual t’i faturohet vetëm opozitës. E kur pushteti e kalkulon edhe dështimin, vërteton se nuk ka marrur kurrfarë garanca se një gjë e tillë do të ndodhë. Përndryshe nëse do të kishte garanca, fjalia mantra e qeverisë do të duhej të ishte “opozita nuk mund ta ndalojë liberalizimin e vizave”. E vërteta është në fakt se opozita jo vetëm se në asnjë mënyrë nuk e pengon liberalizimin por as që do të mund ta ndalonte atë nga cilido skaj i absurditetit. Historia e Kosovës me liberalizim të vizave nuk ka nisur tani. Ka qenë ish Kryeministri Thaçi ai që “e ka garantuar” disa herë votuesin se liberalizimi do të ndodhë shumë shpejtë. Por ja që nuk ka ndodhur. Deri tani, arsyet kryesore për mos liberalizimin e regjimit të vizave kanë qenë korrupsioni qeveritarë, krimi i organizuar, migrimi ilegal, pushteti me primesa të theksuara autoritare, sistemi i brishtë i drejtësisë, dokumentet jo adekuate të udhëtimit, e besa edhe 5 vendet anëtare që nuk na e kanë njohur pavarësinë dhe që në të njejtën kohë janë nënshkruese të marrëveshjes Schengen. Tani po pretendohet se arsyeja kryesore për mungesë të lëvizjes së lirë na qenka opozita! Ata që kanë studiuar dhe i njohin proceset demokratike e dinë fare mirë se procesi demokratik është imun ndaj vezëve, ndaj vërshëllimave, ndaj antropomorfizmit të Kryetarit të Kuvendit, e besa edhe ndaj gazit lotsjellës. Edhepse, jo vetëm për mendimin tim, nuk është fare e këshillueshme që ai të përdoret në sallën e Kuvendit, prapë se prapë nuk e cenon procesin demokratik ashtu siq po pretendohet. Petulantizmi është prezent tek të gjitha opozitat në botë, por kurrë nuk e ka cenuar apo shkatërruar demokracinë. Asnjë forcë politike nuk e ka shterrur demokracinë nga pozita opozitare. Procesin demokratik në esencen e vet e cenon rëndë vjedhja e votave, shkelja e Kushtetutes, krimi i organizuar i instaluar në institucione, korrupsioni rampant qeveritar, nepotizmi, klientelizmi dhe shkarjet alarmante në sistemin e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit e edhe nxitja e ndjenjave ksenofobike ndaj kujtdoqoftë. Të gjitha këto bëjnë që njerëzit të mos shohin të ardhme të mirë për vehte dhe për pasardhësit e tyre. Bëjnë që të gjithë të dyshojnë në sistemin demokratik dhe të zgjedhin rrugë jo ligjore për t’i arritur synimet e tyre. Një fjalë e huaj thotë, është hipokrizi t’i gjykosh peshkatarët që vrasin tuna përderisa në dorë e ke një tuna sandwich. Njejtë, është hipokrizi t’i gjykosh për cenim të demokracisë deputetët opozitarë përderisa vëllezërit e bijtë e shefave marrin tendera qeveritarë, përderisa aparatçikët partiak gëzojnë mjete nga fondi për kuadro, përderisa shkelet Kushtetuta,… përderisa mashtrimi paraelektoral shëndërrohet në normë, përderisa politika vendos kundër kujt mund, e kundër kujt nuk mund të veprojë drejtësia. Demokracia cenohet rëndë kur në vend krijohen rrethana që e bëjnë shumë më të kushtueshme të jesh i ndershëm se sa i pandershëm. Qeverisja aktuale dhe diskursi harangoz vetëm sa do t’i thellojë hendeqet në shoqëri. Në këtë ‘betejë’ edhe efektet e arbitrazhit janë të dënuara të jenë krejt efemerale. Procesi ka marrur rrugë dhe patjetër se një ditë do t’i arrijë efektet. Nëse njerëzit e menqur, si në pushtet ashtu edhe në opozitë nuk e kuptojnë se duhet të gjendet zgjidhje për të pasur proces demokratik stabil dhe të kontrolluar, druaj se shumë shpejtë shumëkush do të gjendet i diskualifikuar për të marrur pjesë në qeverisjen e vendit; jo nga ndonjë forcë e jashtme por nga vet procesi demokratik.